Reagon Shaip Kamberi, i kërkon përballje Vuçiqit: Sot e paske luajtur rolin e viktimës

Aktuale

Reagon Shaip Kamberi, i kërkon përballje Vuçiqit: Sot e paske luajtur rolin e viktimës

Nga: A.M. Më: 1 korrik 2021 Në ora: 20:41
Shaip Kamberi

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i ka reaguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit.

Kamberi përmes një postimi në Facebook, ka thënë se  Vuçiqi e ka sulmuar politikisht.

Po ashtu, ai ka shkruar se "Vuçiq qenka përpjekur sot sërish ta luajë viktimën".

“Problemi nuk është se z. President që kontrollon gjithçka në shtet akuzon një kryetar partie të vogël për çështje përfaqësimi në institucione, apo edhe se për z.Vuçiq, serbët qenkan vetëm ata të partisë së tij”, ka shkruar Kamberi në Facebook.

Postimi i plotë:

Presidenti Vuçiq qenka përpjekur sot sërish ta luajë viktimën, edhe duke më sulmuar politikisht.

Duke vazhduar sulmin e tij banal politik, se unë qenkam për "largimin e serbëve nga pushteti në Bujanoc", natyrisht duke mos e përmendur sërish faktin se partia-shtet e tij përjashtoi e para shqiptarët e Medvegjës nga pushteti lokal. 

Problemi nuk është se z. President që kontrollon gjithçka në shtet akuzon një kryetar partie të vogël për çështje përfaqësimi në institucione, apo edhe se për z.Vuçiq, serbët qenkan vetëm ata të partisë së tij.

I rikujtoi z.Vuçiq se unë kam qenë kryetar i Bujanocit, si rezultat i një bashkëqeverisje me serbë lokalë të Bujanocit. Por e vërtetë se nuk kam gatishmëri me bashkëqeverisur me partinë e tij dhe me partitë e ngjashme, të cilat po e qeverisin aktualisht shtetin, me politika anti-demokratike dhe autoritare.

Z.Vuçiq, unë nuk kam problem me serbët si qytetarë, por nuk pajtona me politikën e juaj, e cila është madje edhe në dëm të vetë serbëve. Ky është dallimi.

Z.Vuçiq, mos me u pajtuar politikisht me juve, nuk nënkupton me qenë kundër serbëve! Madje mos me u pajtuar me juve, sot nënkupton me qenë edhe për një Serbi më demokratike, më moderne dhe më zhvillimore. 

Pastaj, z. President, ju jeni ai që flisnit për « Razgraničenje » me shqiptarët.

Z.Vuçiq, ju nuk tregoni gatishmëri për t’i pranuar shqiptarët e Serbisë si shtetas të barabartë. Madje nuk i pranoni as kur konkurrojnë me punuar në institucionet e Serbisë.

Me ç'rast, po ju parashtrojë sërish këtë pyetjen e thjesht së cilës nuk po i përgjigjeni as ju dhe as Kryeministrja Bërnabiq : Sa shqiptarë punojnë sot në spitalin e Vranjës, që mbulon edhe Preshevën dhe Bujanocin?  

Pra, në Serbi nuk pranoni shqiptarët lokalë edhe kur ata duan të punësohen në institucione, e në Kosovë ftoni serbët lokalë të mos pranojnë punësimin në institucione.

Sidoqoftë. Lehtë është z.Vuçiq. Zbatoni marrëveshjet që keni firmosur si shtet për Luginën. Ose edhe rikthehuni në tavolinën e dialogut që e keni bllokuar me të zgjedhurit e Luginës.

Le të flasim për gjithçka. Për Serbinë, për Medvegjën, për Bujanocin, për punësimet gjithëpërfshirëse në institucione e shtetit, për investimet shtetërore në Luginën e Preshevës etj.

Ne, të zgjedhurit legjitim të Luginës, ka kohë që ju presim në tavolinën e dialogut.

Mos u frikësoni nga demokracia se nuk ju bën dëm ?

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat