2 Korriku, shënon 31-vjetorin e nënshkrimit të deklaratës kushtetuese me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.
E në 31-vjetorin e nënshkrimit të kësaj deklarate, ka folur delegati që njëherit e lexoi këtë deklaratë, Muharrem Shabani.
Ajo ditë për Shabanin, nuk ishte aspak e lehtë dhe po veprohej në rrethana të jashtëzakonshme, nën tytën e snajperëve e trysninë e policisë sekrete serbe.
“Rrethanat në të cilat u lexua deklarata kushtetuese pastaj edhe deklarata e Kaçanikut ishin tejet të rënda. Ishte një gjendje ku veç në Kosovë ishte instaluar një gjendje ushtarake dhe policore ishin suprimuar institucionet me vendime të kundërligjshme.
“Atë ditë kur kemi qenë ne, kanë qenë snajperët të rrethuar, bile e kishin vendosur karrigen që të mos na kapnin menjëherë, por nuk kam pranuar e kam pranuar që ta lexoj deklaratën sepse është një akt historik, ta lexoj deklaratën në këmbë”, ka rrëfyer Shabani.
Shabani kujton ngjarjet e asaj kohe që ndikuan që të kërkonin që Kosova të ishte e barabartë me republikat e tjera.
Ai thotë se mbi delegatët e Kuvendit kishte pasur presion që të përkrahnin masat për suprimimin e autonomisë së Kosovës.
“Ishin shërbime ushtarake, ishin oficerë të lartë që menjëherë në fillim të bëhej presion për fillimin e nxjerrjes së ligjeve të reja tash me ato ndryshime. Ne ato ditë kundërshtuam dhe filluam me kundërshtimin e iniciativës së re për nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës për pozicionimin politik dhe juridik të Kosovës sipas kërkesave të popullit për njësi të barabartë, republikë si republikat e tjera me liri të barabarta si për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai.
Shabani thotë se kanë qenë të detyruar që shpalljen e deklaratës ta bënin në atë presion në shkallët e Kuvendit.
“U caktua një kohë, 7 apo 8 ditore që të mbahej seanca, por e dinim që do të luheshin lojëra të ndryshme, Kryetari i Kuvendit dhe shërbimet e tij i kishin dërguar telegrame të gjithë delegatëve që seanca e 2 korriku të shtyhet dhe të mbahej më 5 korrik. Ata me 5 korrik kishin planifikuar suprimimin, masa të tjera”, ka thënë ai.
Për peshën e veprimeve të gjithë delegatët ishin të vetëdijshëm dhe ishin të gatshëm për më të keqen.
Shabani tregon se ishin të vendosur që deklarata do të lexohej edhe nëse nuk mbetet i gjallë asnjë delegat.
“Ka qenë skenari edhe ndryshe, nëse bie Muharrem Shabani, nëse vritet ka qenë i caktuar një kolegë, nëse edhe ai vritet, një tjetër kolegë dhe ne vazhduam fundi i fundit vetëm titullin ta lexojmë dhe të mos kthehemi pa e kryer këtë përgjegjësi”, ka thënë ai.
Pas leximit dhe shpalljes së Kosovës Republikë, filluan presionet ndaj delegatëve, marrja në pyetje kërcënimi me burgje, ku shumica u përndjekjen e u larguan dhe vepruan në ilegalitet apo u larguan nga Kosova deri në përfundim të luftës.
“Në një pjesë filluam herët, menjëherë të merremi në pyetje nga shërbimet sekrete të kërcënohemi me burgje, e ma vonë edhe filluan të hapin procedura penale”, ka thënë ai.
Por për protagonistin e ngjarjes së “2 korrikut”, Muharrem Shabanin, Kosova 31 vjet pas nuk është ajo që e ëndërruan shumë gjenerata.
Ai kritikoi udhëheqësit kosovarë që nga paslufta se nuk i përmbushën idealet e tyre dhe nuk punuan në të mirë të qytetarëve, por për interesa personale.
“Për fat të keq situata e Kosovës dhe gjendja në Kosovë nuk ajo që kemi pasur ideale që e kemi dëshiruar dhe që e kemi ëndërruar, kemi pritur që pas ndërrimit të regjimit serb të vijë një regjim tjetër në të mirë të qytetarëve por se a ndodhi kështu them se jo”, ka thënë ai.
Deklarata e 2 Korrikut u nënshkrua nga 140 delegatë të Kuvendit të Kosovës që atëherë përfaqësonin Kosovën me status krahine në Serbi.