Presidentja Osmani takoi senatoren amerikane, i kërkoi ndihmë për këtë çështje

Aktuale

Presidentja Osmani takoi senatoren amerikane, i kërkoi ndihmë për këtë çështje

Më: 3 korrik 2021 Në ora: 14:45
Joni Ernst dhe Vjosa Osmani

(E plotësuar  17:44) - Kryeparlamentari Glauk Konjufca deklaroi sot se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm dhe i domosdoshëm për të ardhmen e Kosovës, por edhe për paqen e stabilitetin në rajonin tonë dhe në botë.

Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me senatoren republikane nga Iowa, njëherësh veterane e ushtrisë amerikane, Joni Ernst, e cila shoqërohej nga këshilltari për Siguri Kombëtare, Pete McAleer, ambasadori Philip Kosnett, atasheu ushtarak i SHBA-së në Kosovë, kolonel Stephen Rose, dhe Amy Carnie, shefe e sektorit politik/ekonomik në Ambasadën amerikane.

Me këtë rast, Konjufca shprehu falënderime dhe konsideratë të lartë për kontributin e SHBA-së dhe të senatores Ernst, si përkrahëse e fuqishme e Kosovës, veçanërisht për transformimin e FSK-së në një forcë të mbrojtjes territoriale të ndërveprueshme.

Ndërsa, senatorja Ernst përgëzoi Konjufca për marrjen e detyrës së re dhe shprehu përkrahjen e pa rezervë të SHBA-së për Kosovën.

Ndryshe, senatorja republikane nga Iowa, Joni Ernst gjatë ditës është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.

***

Presidentja Vjosa Osmani u takua sot me senatoren e Iowa-s në Senatin e SHBA-së Joni Ernst, me të cilën bisedoi për raportet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve mike dhe bashkëpunimin e shkëlqyer të cilin Kosova e ka me shtetin e Iowa-s.

Osmani e falënderoi senatoren Ernst për kontributin e saj në promovimin e shtetësisë së Kosovës dhe u shpreh shumë e lumtur që dy vendet tona po e thellojnë dita-ditës bashkëpunimin në shumë fusha.

“Përkrahja që shteti i Iowa-s, Garda Nacionale e këtij shteti i ka dhënë Forcës së Sigurisë së Kosovës është e jashtëzakonshme. Falë mbështetjes suaj, FSK-ja sot po shndërrohet në forcë të armatosur, të përgatitur profesionalisht, e gatshme për t’i shërbyer ruajtjes së paqes”, tha Osmani.

Sipas saj, se partneriteti të cilin dy vendet tona e kanë ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta dhe përkushtimin e përbashkët për demokraci po thellohet vazhdimisht dhe ne presim që ai të zgjerohet në shumë fusha.

“22 vjet më parë ushtarët tuaj i shpëtuan jetët tona. 22 vjet më pas ne shohim mundësi të reja për ta thelluar edhe më tej partneritetin ndërmjet vendeve tona, duke investuar në bujqësi, arsim, ekonomi e në fusha të tjera”, tha Osmani.

Presidentja Osmani i kërkoi senatores Ernst ndihmën e SHBA-ve për anëtarësim të Kosovës në NATO, ngaqë ky është synim yni strategjik.

Senatorja Ernst, ndërkaq, u shpreh e lumtur që po rikthehej në Kosovë dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ajo tha se ndihet tejet e lumtur me zhvillimin profesional të FSK-së dhe transformimin e saj në forcë të aftë për t’i shërbyer paqes në rajon dhe në botë.

***

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim senatoren amerikane, Joni Ernst, me të cilën ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani gjithashtu ka thënë se me senatoren amerikane ka folur edhe për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në fushën e mbrojtjes si dhe fushat e tjera.

“Kënaqësi të mirëpres Senatoren Joni Ernst nga Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona, e në veçanti bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në fushën e mbrojtjes si dhe fushat e tjera”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Image
Joni Ernst dhe Vjosa Osmani

***

Një delegacion i Kongresit amerikan, që udhëhiqet nga senatorja republikane, Joni Ernst po viziton Prishtinën, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga Ambasada amerikane në Prishtinë.

“Gjatë qëndrimit në Kosovë, senatorja Ernst do të takohet me liderët qeveritarë, sipërmarrësit vendas dhe partnerët e tjerë kosovarë për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin në kuadër të Programit për Partneritet Shtetëror të Ajovës me Kosovën – që është standard i artë për programet e partneritetit shtetërorë në mbarë botën”, tha një zëdhënës i Ambasadës amerikane.

Ky program ka për bazë bashkëpunimin ndërmjet Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

“SHBA-ja mbetet e përkushtuar në mbështetjen e FSK-së, në transformimin e tyre transparent 10-vjeçar drejt një force multietnike të mbrojtjes territoriale. Aktivitetet e përbashkëta ndërmjet Gardës Kombëtare të Ajovës dhe Kosovës jo vetëm që rrisin kapacitetet e FSK-së, por ndërtojnë raporte të rëndësishme, prezantojnë lidership dhe rrisin besimin mes dy vende tona”, thotë Ambasada amerikane.

Senatorja nga shteti i Ajovës, Ernst ka shërbyer për mbi 23 vjet në Ushtrinë amerikane dhe po ashtu është gruaja e parë, veterane e ushtrisë, që u zgjodh në Senatin amerikan.

Në maj të vitit 2021, trupat e FSK-së, së bashku me anëtarët e Gardës Kombëtare të Ajovës, u nisën në mision në Kuvajt. Ky është misioni i parë jashtë vendit i FSK-së.

Sipas ambasadës amerikane, kjo prezanton vullnetin e Kosovës për të ndarë përgjegjësitë “përtej kufijve, duke iu bashkuar SHBA-së dhe partnerëve të tjerë për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin botëror”.

Më 2018, pas ndryshimeve ligjore të miratuara në Kuvendin e Kosovës, ka nisur transformimi i mandatit të FSK-së në forca të armatosura. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Ndryshe, përveç bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimi në biznes dhe shkëmbimet në fushën e arsimit, janë pjesë kyçe e Programit të Partneritetit midis Ajovës dhe Kosovës. Në kuadër të këtij programi, në maj, Oda Ekonomike Amerikane nënshkroi një marrëveshje me Universitetin Drake në Ajova, për të shkëmbyer studentë nga kompanitë me bazë në Kosovë.

Përveç kësaj, 26 të diplomuar programi “Gratë në Energji” nga Fondacioni i Sfidave të Mijëvjeçarit, së fundmi janë kthyer në Kosovë pasi kanë përfunduar studimet dyvjeçare në fushat e lidhura me energjinë në Del Moines Area Community College./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat