Qeveria e Kosovës u bën thirrje qytetarëve të kualifikuar të grupeve me prioritet sipas planit të vaksinimit që të regjistrohen dhe të aplikojnë për vaksinim, në kohën kur vendi ynë ka pranuar edhe mbi 180 mijë doza të reja të vaksinës.
“Sasitë e vaksinave vazhdimisht po shtohen, andaj ju bëjmë thirrje qytetarëve të kualifikuar të grupeve prioritare sipas planit të vaksinimit që të regjistrohen dhe të aplikojnë për vaksinim në: ekosova.rks-gov.net”, thuhet në një postim të Qeverisë së Kosovës në Facebook.
Kosova sot ka pranuar 182.900 doza të vaksinës Astra Zeneca nga Norvegjia.
Deri më tash në vendin tonë janë vaksinuar gjithsej 204.774 qytetarë, prej tyre 1.900 vetëm sot. Të dyja dozat e vaksinës kundërCOVID-19 i kanë marrë 48.437 persona, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në listën për vaksinim kundër koronavirusit së fundi janë përfshirë edhe gazetarët, kameramanët, fotoreporterët, zyrtarët e Agjencionit të Aviacionit, Agjencia Shtetërore e Navigimit Ajror, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, zyrtarët doganorë dhe gastronomia.
Ndërkohë, vazhdon caktimi i terminëve edhe për kategoritë që më herët janë përfshirë në vaksinim kundër COVID-19 si qytetarët mbi moshën 55-vjeçare, personat me sëmundje kronike pa dallim moshe, qytetarët që i takojnë ndonjërit nga profesionet si: punëtorë shëndetësorë; mësimdhënës, Forcat e sigurisë (Policia dhe FSK), pjesëtarët e Këshillit të Sigurisë së Kosovës; pjesëtarët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, pjesëtarët e Autoritetit Civil të Kosovës, zjarrfikësit, si dhe qytetarët të cilëve u kërkohet vaksinimi nga Ambasadat për udhëtim jashtë vendit (për çështje të vizave).
MSH tërheq vëmendjen se cilado kategori e qytetarëve që merr mesazhin/njoftimin për vaksinim, me rastin e paraqitjes në qendrën e vaksinimit sipas vendbanimit të tij, duhet të ketë me vete dëshmi për kategorinë së cilës i përket.