Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar popullin amerikan për 245 vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Osmani thotë se historia ka dëshmuar se në momentet më të vështira të kombit shqiptar, Amerika zgjodhi të ishte mbrojtësja dhe promovuesja më e madhe e së drejtës.
Ajo ka theksuar se shqiptarët ndihen të bekuar me miqësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Sot, populli amerikan feston 245-vjetorin e pavarësisë, kurse ne miqtë e tyre bashkëfestojmë me ta, ngaqë kjo ditë na e kujton rolin e këtij kombi të madh për jetësimin e synimit tonë për të jetuar të lirë e të mosvarmë. Historia ka dëshmuar se në momentet më të vështira për kombin tonë, Amerika zgjodhi të ishte mbrojtësja dhe promovuesja më e madhe e së drejtës sonë, duke u rreshtuar përkrah nesh në përpjekjet tona për liri. Prandaj, ne shqiptarët, populli mik i kombit amerikan, sot ndihemi të bekuar me miqësinë me të. Kjo miqësi mbështetet sa në përkushtimin tonë ndaj lirisë, po aq edhe në vlerat e përbashkëta të cilat ne i ndajmë me kombin amerikan. Qytetarët e Kosovës sot e përjetojnë festën e pavarësisë së SHBA-ve si festë të tyre. Ata luten për mirëqenien e popullit amerikan dhe urojnë njëri-tjetrin për miqësinë me të, e cila, sikur thoshte presidenti historik i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, “është e përhershme””, ka shkruar Osmani.