​Një ditë pas marrjes së detyrës, Krasniqi bën homazhe në Prekaz: Këtu lindi liria e Kosovës

Aktuale

​Një ditë pas marrjes së detyrës, Krasniqi bën homazhe në Prekaz: Këtu lindi liria e Kosovës

Më: 4 korrik 2021 Në ora: 14:25
Memli Krasniqi nën shoqëri të bashkëshortes dhe fëmijëve të tij bëri homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

Një ditë pasi mori detyrën e të parit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi nën shoqëri të bashkëshortes dhe fëmijëve të tij bëri homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Nga aty Krasniqi u shpreh se Prekazi mbetet udhërrëfyes meqë pikërisht në këtë vend lindi dhe mori kuptim liria e Kosovës. Për këtë arsye kryetari Krasniqi e konsideroi të domosdoshme që ditën e parë të punës së tij si i pari i partisë ta vizitojë Prekazin në mënyrë edhe që të frymëzohet vetëdija politike.

Krasniqi: Prekazi mbetet udhërrëfyesi ynë, këtu lindi liria e Kosovës

"Prekazi mbetet udhërrëfyesi ynë sepse ky është vendi ku ka lindur dhe ku ka marrë kuptim liria e Kosovës. Andaj e konsideroj të patejkalueshme dhe të domosdoshme ardhjen në Prekaz para marrjes së çfarëdo përgjegjësie. Pra është edhe nder, obligim privilegj edhe përgjegjësi që në ditën e parë si kryetarë i PDK-së së bashku me familjen time të vijë në Prekaz për të marrë një frymëzim shtesë por edhe për të fuqizuar vetëdijen tonë politike për punët të cilat na presin dhe për të marrë një inspirim shtesë nga sakrifica titanike e familjes Jashari," tha ai.

Kransiqi thotë se ADN-ja e PDK-ës është Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Krasniqi: ADN-ja e partisë sonë është UÇK-ja

"Unë e kam thënë edhe dje në konventën e PDK-së që ADN-ja e partisë sonë është UÇK-ja, lufta dhe sakrifica e mijëra heronjve e çlirimit tonë dhe Adem Jashari është simboli i gjithë kësaj lufte. Kështu që ndjehem i përgjegjshëm ndaj historisë së Partisë Demokratikë të Kosovës ndaj të gjithë tyre njerëzve që për vite e dekada kanë punuar për ta sjellë partinë tonë deri në këtë faze dhe për punën qe na pret në të ardhmen," tha ai.

Pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi bëri homazhe edhe tek Kompleksi Memorial në Marinë të Skenderajt.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat