Ahmeti uron Krasniqin: Të inkurajoj që të vijosh rrugën e trasuar nga paraardhësit e tu

Aktuale

Ahmeti uron Krasniqin: Të inkurajoj që të vijosh rrugën e trasuar nga paraardhësit e tu

Më: 4 korrik 2021 Në ora: 14:41
Memli Krasniqi

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka uruar Memli Krasniqi për pozitën e tij si i pari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ahmeti thotë se nevojitet guxim i veçantë për të marrë mbi supe përgjegjësi në kohëra sfiduese dhe për këtë ka inkurajuar që të vijoj rrugën e trasuar nga paraardhësit e tij.

Ai i ka ofruar mbështetjen e tij dhe partisë që drejton.

“I dashur Memli, përzemërsisht të uroj për marrjen e përgjegjësisë dhe zgjedhjen Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në një proces demokratik dhe transparent. Nevojitet guxim i veçantë për të marrë mbi supe përgjegjësi në kohëra sfiduese dhe për këtë të inkurajoj që të vijosh rrugën e trasuar nga paraardhësit e tu të cilët na mungojnë shumë dhe uroj si dhe kam bindjen që do të rikthehen shpejtë, faqebardhë dhe krenar. Dy partitë tona ndajnë vlera të përbashkëta për demokracinë, lirinë, sundimin e ligjit, shtetësinë e Kosovës dhe integrimin e dy vendeve në Bashkimin Europian dhe në NATO. Tek unë dhe tek BDI do të gjesh partner të sinqertë dhe të përkushtuar për punë të mbara sepse Kosova, thellë në mendjet dhe zemrat tona, është mall, është realizim ëndrrash, është zenit jetësor. Të uroj shëndet dhe mbarësi në sfidën e re me dëshirat më të sinqerta për sukses në të mirën e përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe rajonit”, ka shkruar Ahmeti.

Të shtunën (3 korrik) Memli Krasniqi u zgjodh Kryetar i PDK-së. 469 delegatë të Konventës së dhjetë zgjedhore të PDK-së kanë votuar pro tij, ndërsa shtatë të tjerë nuk e kanë përkrahjen kandidaturën e Krasniqit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat