Hoti propozoi Konjufcën për kryetar të VV-së, kundërpërgjigjen nga partia e Kurtit

Aktuale

Hoti propozoi Konjufcën për kryetar të VV-së, kundërpërgjigjen nga partia e Kurtit

Nga: A.Zh Më: 4 korrik 2021 Në ora: 15:38
Glauk Konjufca dhe Albin Kurti

Anëtari i PSD-së Shkodran Hoti, dje ka propozuar që Glauk Konjufca të bëhet kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

“E kam të qartë se Memli nuk është zgjidhja e duhur sipas partive të tjera, por për PDK'në po. Ashtu siç bëri mirë LDK me Lumirin, edhe PDK ka goditë në pikë me Memlin. Tash mbetet veç edhe VV me e vendos në krye Glaukun dhe fillon me u normalizu skena politike”, ka shkruar Shkodran Hoti në një postim në Facebook.

Por, në LVV janë kundërpërgjigjur, duke thënë se kjo parti e ka liderin e saj, përcjell Bota sot. Driton Tali, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se VV-ja e ka liderin më të mirë jo vetëm në partitë vendore, por edhe në ato të rajonit dhe më gjerë.

Ai ka thënë se tani VV-ja ka prioritet jetësimin e programit qeverisës, ndërsa do të veprojnë sipas procedurave kur të vije koha e zgjedhjeve të brendshme në këtë parti.

Reagimi i Talit në Facebook:

Vetëvendosje e ka liderin e saj!

Po i lexojë disa "dashamirë" të LV'së që po e propozojnë Glaukun për kryetar të LV'së, në kontekst të ndryshimeve të lidershipit që bënë LDK dhe PDK.

Si mik dhe këshilltar i të dyve (në "Qeverinë Kurti 1" i Albinit e në "Qeverinë Kurti 2" i Glaukut) më duhet ta marr si kompliment këtë propozim (besoj edhe kolegët e mi në kabinetin e Kryetarit të Kuvendit ashtu ndihen).

Si mik i Glaukut, të cilin e njoh tash e shumë vite, them se Ai është një patriot që e do fort Kosovën dhe shqiptarinë në përgjithësi, intelektual "par excellencë", shok shembullor dhe qytetar shumë i ndershëm.

Por LV'ja e ka liderin e saj!

Bile liderin me të mirin jo vetëm ndër partitë shqiptare ekzistuese, por edhe ato të rajonit dhe më gjerë!!!

Prandaj, ne LV'ja, si organizatë e cila nuk e ka problemin e lidershipit dhe e cila më 14 shkurt e fitoi bindshëm besimin e qytetarëve (me 50.25%) për ta qeverisur Kosovën, tashti jemi të përkushtuar, me tërë energjinë, që ta jetësojmë programin tonë zgjedhor, për ta bërë Kosovën shtet ku jetohet mirë për të gjithë qytetarët e saj (pa marrë parasysh afinitetin e tyre).

E kur të vjen koha e zgjedhjeve të brendshme atëherë ne në transparencë të plotë (si gjithmonë deri tashti), do të veprojmë sipas statutit dhe procedurave.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat