Dënimi i Zoran Vukotiq me 10 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, është quajtur ditë historike nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
Pavarësisht kësaj, QKRMT vlerëson se dënimi prej 10 vjetësh është i ulët dhe se4 për këtë arsye ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit.
Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë nga gjykatat vendore, e nga QKRM deklaruan se kjo ditë shënon një ditë kthese dhe shprese edhe për të gjithë të mbijetuarit e tjerë që një ditë drejtësia do të vihet në vend.
Sebahate Pacolli-Krasniqi nga QKRMT, tha se dënimi i sotëm shënon triumfin e drejtësisë ndaj krimeve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Pacolli: Për neve është ditë historike
“Për neve është një ditë e jashtëzakonshme, për neve është ditë historike për faktin se është hera e parë që në Kosovë nga gjykatat tona vendore po jepet dënimi për një krim të tillë edhe është një ditë që vërtet shënon më në fund triumfin e drejtësisë ndaj krimeve të këtij lloji. Ne jemi shumë të lumtur, shumë të kënaqur që angazhimi jonë 20-vjeçar për fuqizimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale edhe pse vonë përfundimisht po merr edhe një dimension tjetër, po merr dimensionin e drejtësisë së munguar për të cilin kemi punuar shumë. Emocionet tona janë të jashtëzakonshme pavarësisht që ndoshta është vonë, pavarësisht që ndoshta dënimi nuk është në nivelin e merituar, që ne mendojmë se do të duhej të ishte, megjithatë për neve kjo paraqet le ta themi fillimin e një etape më të mirë ku drejtësia do të shënojë edhe më shumë raste të tilla të triumfit të saj karshi krimeve të kryera gjatë luftës”, tha Pacolli-Krasniqi.
Ajo tha se si QKRMT përmes shërbimeve rehabilituese kanë fuqizuar të mbijetuarën në kërkesën e saj për drejtësi dhe ka iniciuar rastin.
Pacolli: Ka qenë e pamenduar se do të vijë një moment kur drejtësia të triumfojë
“QKRMT ka punuar gjatë me të mbijetuarën për të ardhur deri te ky rast. Vetë rasti ka qenë në një gjendje krejtësisht tjetër para shumë viteve dhe ka qenë ndoshta e pamenduar se do të vijë një moment kur vërtet drejtësia të triumfojë. Kjo për faktin se ende nuk kishte pasur asnjë rast të tillë, por ne kemi punuar gjatë sikur që punojmë edhe më të mbijetuara dhe të mbijetuar të tjerë, në radhë të parë për fuqizimin e tyre psikologjik edhe fizik edhe shëndetësor. Pastaj ka ardhur momenti kur drejtësia ka qenë synimi i radhës. Të gjithë të mbijetuarit thonë se ‘të gjitha mund të realizohen, po pa përfundimin, pa triumfin e drejtësisë shpirti i tyre nuk qetësohet’”, tha ajo.
Shyhrete Tahiri-Sylejmani, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, tha se po fillon epoka e drejtësisë për të mbijetuarat e dhunës gjatë luftës.
Tahiri: Sot është një epokë e re për të gjithë neve
“Me të vërtetë sot është një ditë apo një epokë e re për të gjithë të mbijetuarat e luftës. Ndoshta edhe prej emocioneve që kam sot edhe fjalët janë humbur, por i falënderoj shumë QKRMT-së për angazhimin e tyre 20-vjeçar, gjithë stafit që na kanë përkrahur deri sot. Sot fillon kjo epoka e re për neve, drejtësi për shpirtin tonë dhe mund të them lirisht për kriminelin që është në qeli edhe ai do ta fillojë një epokë të re”, tha ajo.
Ndërsa, Fatmire Haliti, juriste në QKRMT, tha se lartësinë e dënimit do ta adresojnë në Gjykatën e Apelit, pasi për një krim të tillë 10 vjet burgim janë shumë pak.
Haliti: Do të kërkojmë rritjen e dënimit për serbin Vukotiq
“Sa i përket lartësisë së dënimit ne edhe si organizatë joqeveritare, po ashtu edhe në bashkë komunikim me të mbijetuarën, sigurisht që nuk jemi të kënaqur me lartësinë e dënimit prej 10 vjetësh dënim, sepse një krim i tillë i rëndë që iu ka bërë viktimës meriton shumë më shumë sesa 10 vjet burgim. Megjithatë ne në komunikim me Prokurorinë Speciale do të diskutojmë do t’i paraqesim ankesat tona sa i përket dënimit dhe besoj që bashkërisht do ta bëjmë ankesën në Gjykatën e Apelit, në mënyrë që të kërkojmë rritjen e dënimit ndaj atij dhunuesi”, tha Haliti.