Gjykata e Apelit e ka anuluar aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, duke e kthyer në rivendosje rastin ku ish-deputetja Shqipe Pantina po akuzohet se më 27 shkurt 2016 kishte sulmuar zyrtarët policor në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
E njëjta akuzohej dhe është dënuar edhe për armëmbajtje pa leje, por dënimi i shqiptuar për këtë vepër nga Themelorja është vërtetuar nga Apeli, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 29 mars 2021 e kishte dënuar Pantinën me 400 euro gjobë dhe gjashtë muaj burgim me kusht për armëmbajtje pa leje dhe sulm ndaj personit zyrtar.Kundër këtij aktgjykimi, ish-deputetja Pantina ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.
Në vendimin e nxjerrë më 14 qershor 2021, Gjykata e Apelit ka konstatuar se sa i përket veprës penale të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, pretendimet ankimore të mbrojtjes për shkelje të dispozitave të procedurës penale janë të bazuara.
Sipas Apelit, bazuar në CD-në që ishte bashkangjitur ankesës si provë, e cila përmbante regjistrimin e emisionit nga “Betimi për Drejtësi”, nuk rezultonte se e akuzuara Pantina ka pranuar fajësinë për veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar.
Në vendimin e Apelit thuhet se CD-ja që mbrojtja e ka siguruar dhe bashkangjitur ankesës reflekton një gjendje tjetër të deklarimit të të akuzuarës për fajësinë sa i përket kësaj vepre penale.Duke i vërejtur këto fakte, Apeli ka gjetur se aktgjykimi i nxjerrë nga shkalla e parë përmbante shkelje të dispozitës së nenit 248 paragrafi 1 nën paragrafi 2 të KPPK-së “pranimi bëhet vullnetarisht nga i pandehuri pas këshillimeve të mjaftueshme me mbrojtësit, nëse i pandehuri ka mbrojtës”.
Andaj, sipas gjykatës së shkallës së dytë, konstatimi në procesverbal se e akuzuara Pantina ka pranuar fajësinë në përputhje me nenin 248 dhe rrjedhimisht marrja e aktgjykimit ku shpallet fajtore nuk mund të jenë të qëndrueshëm juridikisht, ngase rezulton se e akuzuara ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale.
“Gjykata ka parasysh se shkeljet e tilla konsiderohen si shkelje me karakter relativ që nënkupton se pala duhet që ta bëjë të besueshme faktin se shkelja e tillë ka rezultuar në cenimin e ndonjë të drejte që parashihet me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, nga CD-ja e bashkangjitur ankesës rrjedh se në seanca nuk rezulton që e akuzuara Shqipe Pantina në mënyrë të qartë ka pranuar fajësinë për sa i përket veprës penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes se detyrës zyrtare nga neni 410 paragrafi 2”, nga se e njëjta thekson se unë nuk e kam pasur dashjen që ti pengoj policinë por ne policinë i kemi ruajtur, andaj s’di çka të them për këtë vepër penale”, thuhet në vendimin e Apelit.
Ndërsa, sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me sanksionin penal për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, Apeli ka gjetur se pretendimet ankimore janë të pabazuara.
Sipas Apelit, lloji dhe lartësia e dënimit të shqiptuar në raport me veprën penale dhe rrezikshmërinë shoqërore ishte adekuat dhe kjo argumentohej nga rrethanat e dhëna nga gjykata e shkallës së parë.Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të 11 gushtit 2016, Shqipe Pantina akuzohet se me 27 shkurt 2016, rreth orës 16:30, në sallën e punimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë të paautorizuar ka poseduar një bombol gazi lotsjellës, të cilën ka tentuar ta ndezë në ulësen ku ishte e ulur afër grupit të vet parlamentar dhe e njëjta i është konfiskuar nga ana e policisë.
Me këtë, Pantina akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, paragrafi 1 të KPRK-së.
Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, e pandehura ka sulmuar personat zyrtar, policët Valdete Gubetini dhe Fikrije Rashica, të cilat ishin në kryerjen e detyrave zyrtare, derisa të dëmtuarit ishin duke u përpjekur që të pandehurës t’ia marrin bombolën e gazit lotsjellës nga dora, me ç’rast të dëmtuarës-polices Valdete Gubetini i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Më këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 410, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.