Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka ftuar qytetarët e kësaj pjese të Mitrovicës që të ruajnë gjakftohtësinë, pasi serbët në veri paralajmëruan protesta në mbrëmje.
Bahtiri, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ndër të tjera iu është referuar “struktura dashakeqe” organizatorët e protestës.
“I lus qytetarët e Mitrovicës që të mos bien pre e provokimeve të strukturave dashakeqe serbe që veprojnë në Mitrovicën e Veriut, ku disa prej tyre kanë paralajmëruar protestë për sot”, ka shkruar ai.
Serbët kanë paralajmëruar protestë, pasi siç pretendojnë, po iu kërcënohet siguria e tyre çdo ditë e më shumë. Ata e kanë lidhur këtë me një eksploziv që sot ka shpërthyer në një veturë në fshatin Suhadoll.
Postimi i plote
I lus qytetarët e Mitrovicës që të mos bien pre e provokimeve të strukturave dashakeqe serbe që veprojnë në Mitrovicën e veriut, ku disa prej tyre kanë paralajmëruar protestë për sot.
Ne duhet të punojmë natë e ditë për krijimin e paqes dhe stabilitetit të qytetit tonë, ndërsa jo stabiliteti i përshtatet vetëm atyre që nuk ia duan të mirën Republikës së Kosovës.
AB