Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur pas dënimit të Zoran Vukotiq, me 10 vjet burg për shkak se kishte përdhunuar një grua shqiptare në Vushtrri.
Abdixhiku përmes një shkrimi në Facebook, këtë e ka quajtur si një drejtësi e vonuar, përcjell “Bota sot”.
Lideri i LDK-së ka theksuar se ky dënim duhet t’i shërbejë prokurorisë si motiv për t’i sjellë para drejtësisë secilin kriminel që sot mbetet i lire.
Ja shkrimi i tij:
Krimet e luftës as nuk vjetërsohen e as nuk harrohen. Drejtësia e vonuar - edhe pas 23 vitesh - është megjithatë drejtësi.
Zoran Vukotiq është i dënuari i parë në Kosovë për dhunim seksual të një gruaje shqiptare. 10 vjet burg nuk zhbëjnë vuajtjet sistematike të grave e burrave shqiptarë; porse mbesin shenjë e obligimit tonë shoqëror e historik për dëshmim të krimit si krim.
Dënimi i sotëm duhet t’i shërbejë prokurorisë si motiv për t’i sjellë para drejtësisë secilin kriminel që sot mbetet i lirë; e këtyre të fundit për t’u bërë të qartë që një ditë - megjithatë - dora e drejtësisë së Republikës së Kosovës do t’i gjejë.