​Mblidhen pesë Komisione Parlamentare

Aktuale

​Mblidhen pesë Komisione Parlamentare

Më: 6 korrik 2021 Në ora: 08:01
Kuvendi i Kosovës

Në Kuvendin e Kosovës sot do të mblidhen pesë Komisione Parlamentare.

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës për Persona të Pagjetur, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport dhe Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, janë këto komisionet që do të mblidhen këtë të martë.

Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinor, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës, për Persona të Pagjetur dhe Peticione që do të mblidhet në ora 10:00 do të ketë dëgjim publik lidhur me zbatimin e strategjisë nacionale për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në Kosovë 2013-2023.

Në orën 10:00 do të mblidhet edhe Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ku në rend ditë ka shqyrtimin e raportit të auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vitin 2020-të. E ftuar do të jetë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Po ashtu në këtë komision do të shqyrtohet edhe raporti i auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Kompanisë Regjionale “Bifurkacioni” për vitin 2020 ku i ftuar do të jetë kryetari i bordi dhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv.

Deputetët e këtij komisioni do të shqyrtojnë edhe raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ndërmarrjes Publike Lokale “Hortikultura” Sh.A për vitin 2020. Të ftuar do të jenë edhe kryetari i bordit dhe kryeshefi ekzekutiv.

Kurse në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale që po ashtu do të mblidhet në ora 10:00 do të shqyrtohet projektligji për amandametimin 02 të marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Dukatës së Madhe të Luksemburgut për projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II).

Në ora 11:00 do të mblidhet Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport. Në këtë komision do të shqyrtohet projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet MAShTI-it dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e projektit “Hulumtimi dhe Shkencat e Aplikuara në Arsimin e Lartë +(HERAS +)” (ADA numri referues 8116-00-2020).

Para deputetëve të këtij komisioni do të raportoj edhe Ministrja e MAShTI-it, Arbërie Ngavci.

Ndërkohë që pritet të formohet grupi punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për tekstet shkollore dhe dokumentacionit pedagogjik.

Ndërsa në ora 13:00 do të mblidhet Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion.

Në këtë komision do të shqyrtohet ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Po ashtu do të shqyrtohet në parim edhe Projektligji për Gjykatë Komerciale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat