Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Holandës Tessa Van Staden ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi është i një rëndësie të veçantë për të gjithë rajonin.
Ajo në një përgjigje ka deklaruar se shpreson të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht e obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë, e cila do të kontribuonte në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor.
“Dialogu Prishtinë-Beograd i ndërmjetësuar nga BE-ja është i një rëndësie thelbësore jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë por për të gjithë rajonin.
Ne jemi të inkurajuar që bisedimet midis palëve kanë rinisur dhe shpresojmë që kjo të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme e cila do të kontribuojë në stabilizimin e qëndrueshëm të Ballkanit Perëndimor dhe në integrimin evropian të të dy vendeve, edhe pse dialogu Prishtinë-Beograd dhe liberalizimi i vizave mbeten të dy shumë të rëndësishëm, për Holandën ato janë procese të ndara”.