Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidat për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor, përkundër emrave që janë përmendur si kandidatë të mundshëm për kryetar komunash.
3 korriku ishte paraparë si datë e fundit për paraqitjen e kandidaturave për kryetar të komunave, por ky afat është shtyrë nga organet e partisë.
Deri më tani, nga kjo parti për kryetar të Mitrovicës është përfolur kryetari aktual, Agim Bahtiri, por si emra të mundshëm për të parin e kësaj komune janë lakuar emra, si Armend Muja, dhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili është pjesë e Listës Guxo.
Dega e Vetëvendosjes në Mitrovicë pa dhënë detaje tha se afati për shpalljen e kandidaturave është shtyrë për të premten.
“Në bazë të Statutit të Lëvizjes Vetëvendosje, secili aktivist ka të drejtë ta paraqesë kandidaturën. Andaj deri të premten në orën 17:00, do të mirëpritet secila kandidaturë, për të filluar pastaj me procedurat tjera, duke u bazuar në rregullore të cilat i përcakton statuti ynë. Deri më tash kanë aplikuar dy kandidatë”, thuhet në njoftimin nga Dega e LVV-së, në Mitrovicë.
Situatë e paqartë është edhe në Prizren, derisa nuk është bërë e ditur se a do të hyjë në garë Mytaher Haskuka, si kandidate është përfolur edhe emri i Drita Millakut.
Kur të gjitha partitë kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre për të parin e kryeqytetit, partia në pushtet nuk ka vepruar njësoj. Ndërkaq në Pejë, Gazmend Agusholli është i vetmi që ka shpallur kandidaturën për kryetar të kësaj komune nga Lëvizja Vetëvendosje.
Nga niveli qendror i Vetëvendosjes as pas dy ditësh pritjeje, nuk janë përgjigjur në pyetjet e televizionit lidhur me kandidaturat për zgjedhjet e 17 tetorit.
Në zgjedhjet e fundit lokale, Vetëvendosja kishte fituar në Prishtinë, Prizren dhe Kamenicë, ndërsa Shpejtim Bulliqi kishte fituar mandatin në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.