Përplasje në Kuvend, PDK-ja e lëshon sallën - ja kur vazhdon seanca

Aktuale

Përplasje në Kuvend, PDK-ja e lëshon sallën - ja kur vazhdon seanca

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 06:23

(E plotësuar 18:15) - ​​Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë punimet në seancën e sotme, për të vazhduar nesër nga ora 10:00.

Për shqyrtim kanë mbetur edhe tri pika të rendit të ditës, ndër të cilat edhe shqyrtimi i rekomandimit për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Po ashtu, pikë e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i kërkesës së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni, si dhe zgjedhja e drejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.

Në seancën e sotme është diskutuar është miratuar rezoluta për dënimin e gjenocidi në Srebrenicë dhe është mbajtur debati për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit.

​Miratohet raporti vjetor i Akademisë së Drejtësisë për vitin 2020, dështon votimi i Raportit për RTK-në

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot raportin vjetor të Akademisë së Drejtësisë për vitin 2020, me 64 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Në seancën e sotme, në mungesë të kuorumit ka dështuar të votohet raporti vjetor i Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2020.

Gjatë shqyrtimit të raportit, Doarsa Kica Xhelili kryetare e Komisionit për Administratë Publike, vlerësoi se i njëjti nuk i përmbushë obligimet ligjore, dhe kështu ka rekomanduar që mos të miratohet nga kuvendi.

Ndërsa, nuk është miratuar raporti vjetor i Zyrës Kombëtare të Auditimit.

PDK-ja e lëshon sallën e Kuvendit për shkak të varrimit të babait të Kadri Veselit

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës e kanë lënë në gjysmë seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës.

Kjo për shkak se kanë për të marrë pjesë në varrimin e babait të ish-kryetari të kësaj partie, Kadri Veselit në Mitrovicë.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka deklaruar se arsyeja pse deputetët e këtij subjekti po e lëshojnë sallën është se kanë për të marrë pjesë në varrimin e Fazli Veselit, babait të Kadri Veselit.

“Po flas në emër të Partisë Demokratike të Kosovës. Për shkak të varrimit të babait të ish-kryetarit të kuvendit, Kadri Veseli, PDK-ja është e obliguar ta lëshoj sallën meqë do të jemi në varrim në Mitrovicë”, është shprehur Deliu – Kodra.

Opozita kritikon mungesën e Kurtit në seancë: Kryeministri vjen në Kuvend vetëm për të recituar

Opozita ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mospjesëmarrje në seancën e Kuvendit për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve për Marrëveshjen e Washingtonit. Tutje, ata thanë se Kurti vjen në Kuvend vetëm për të recituar e vazhduar folklorizmat e tij.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu- Kodra, ka thënë se është e pakuptimtë të flitet në seancë për këtë marrëveshje pa prezencën e përfaqësuesve të Qeverisë.

Ajo ka thënë se ky veprim tregon arrogancë më shumë se sa që ka pasur ndonjë Qeveri ndonjëherë.

“E pakuptimtë që ne po flasim për marrëveshjen e Washnigtonit dhe në sallë nuk kemi asnjë përfaqësues të Qeverisë. Kjo tregon arrogancë. Kryeministri braktisë Kuvendin pa u përgjigjur për çështjet që ai duhet përgjigjet. Kjo qeveri nuk krahasohet me asnjë tjetër për arrogancën që e ka pasur në Kuvend”.

Ajo ka thënë se Kurti po vjen në Kuvend vetëm për të recitua e vazhdu folklorizmat e tij.

Deputeti Armend Zemaj nga LDK-ja, ka thënë se qytetarët duhet të shohin qasjen e kësaj Qeverie në raport me këtë marrëveshje që është me interes nacional.

“Qeveria po mungon dhe qytetarët e Kosovës duhet ta shohin e ta ndajnë një qëndrim të përbashkët me qasjen e tillë karshi çështjeve me interes nacional. Nëse marrëveshjet e Washingtonit janë kundër Kushtetuese, Kurti duhet të tregoj cilat janë pikat antikushtetuese dhe cilat janë pasojat”.

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj ka thënë se deklaratat se në Washington janë thikat mbi harta është gabim strategjik.

Ajo ka kërkuar përgjigje nga kryeministri Kurti se a do ta zbatojë marrëveshjen e Washingtonit.

“Po kemi dialog pa platformë. Kanë shkuar në bisedime dhe ky Kuvend nuk di se çka është diskutuar dhe çka jo. Pse kryeministri nuk tregoi a do të zbatojë marrëveshjen e Washingtonit apo jo, kryeministri sa më parë të vij për raportim në Kuvend dhe jo të i ikë përgjegjshmërisë” është shprehur ajo.

Fadil Nura nga PDK-ja ka thënë se Kurti instaloi dhunën si formë e opozitarizmit kurse gënjeshtrën dhe mashtrimit si pjesë të politikës së tij.

“Është e papranueshme të dëgjosh kryeministrin tënd duke glorifikuar Shtëpinë e Bardhë si sinonim të së keqes”, ka thënë ai.

Ndërsa, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi e ka quajtur skandal diplomatik, mos urimin e pavarësisë së ShBA-së nga Ministrja Donika Gërvalla.

S’miratohet Raporti Vjetor i Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë miratuar Raportin Vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020.

Nga 70 deputetë të pranishëm 11 kanë votuar pro, 59 kundër, derisa nuk ka pasë asnjë abstenim.

Kuvendi shkon në pauzë deri në orën 15:30

Pas një debati rreth katër orësh, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë deri në orën 15:30.

Të zgjedhurit e popullit debatuan mbi marrëveshjen e Uashingtonit, ndërsa miratuan edhe rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë.

Pas pauzës, ligjvënësit pritet të vazhdojnë debatin për marrëveshjen e Uashingtonit dhe rekomandimin për shkarkimin e Bordit të RTK-së, si dhe shqyrtimin e disa raporteve të agjencive të dala nga Kuvendi./

Kurti: Marrëveshja i parapriu hapjes së portës në Shtëpinë e Bardhë për presidentin e Serbisë

Kryeministri Albin Kurti i është kundërpërgjigjur Avdullah Hotit të LDK-së se marrëveshja e Uashingtonit ka thyer izolimin e Kosovës në fushën ndërkombëtare.

Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ia ka përkujtuar ish-kryeministrit Hoti se me dokumentin e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë ishte zotuar se nuk do të ketë lobim për njohje dhe as anëtarësim në organizata ndërkombëtare, e cila është në kundërshtim me kushtetutën e vendit.

Kurti: Marrëveshja i parapriu hapjes së portës për presidentin serb

“Do të ishte e pamundur për Serbinë që kreun e saj shtetëror, pjesëmarrësin e luftërave në ish-Jugosllavi, ministrin e Informatave të Millosheviqit ta mirëpresë pa ia shtruar paraprakisht qilimin e kuq pikërisht dikush nga vendi i viktimave dhe askush më pak se sa kryeministri i atëhershëm. Pra, ky ishte efekti i menjëhershëm i atij nënshkrimi para se të ndodhë”, tha Kurti.

Kurti foli edhe për fizibilitetin e Ujmanit, që ka dalë nga marrëveshja e 4 shtatorit, duke thënë se do t’i përdorin të gjitha argumentet për këtë pasuri natyrore të Kosovës, ndërkohë që i është kundërpërgjigjur Avdullah Hotit se marrëveshja e Uashingtonit ka thyer izolimin e Kosovës në fushën ndërkombëtare.

Kurti: Ne do t’i përdorim të gjitha argumentet në këtë studim të fizbilitetit, por jo vetëm

“Liqeni i Ujmanit është liqen artificial, liqen nga Kosova, i Kosovës. Ne do t’i përdorim të gjitha argumentet në këtë studim të fizibilitetit të publikuar së fundmi, por jo vetëm. Edhe në studimet e tjera për ta mbrojtur këtë pasuri të Kosovës nga çfarë do pretendimi. Pra, qëndrimi ynë është i qartë, sa më shumë argumente që të gjejmë aq më mirë do të jetë dhe sa më pak sulme që do të ketë për këtë pasuri të Kosovës, sigurisht që aq më mirë do të jetë. Marrëveshja e Uashingtonit thuhet se na e paska thyer izolimin ndërkombëtar, a vetë në atë tekst kërkohet në pikën e parafundit se do të kemi moratorium 1-vjeçar për mos anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Në fakt është nënshkrim i një qëndrimi antikushtetues. Unë nuk besoj që duhet të kemi liderë institucionalë që do të lavdërohen me shkelje të Kushtetutës me paramendim”, tha Kurti.

Debati parlamentar për marrëveshjen e Uashingtonit është duke vazhduar në Kuvendin e Kosovës.

Gashi: Kurti është jorelevant për të qenë rrezik për Amerikën

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se askush në Kosovë nuk është relevant për të qenë rrezik për Amerikën e aq më pak kryeministri Albin Kurti.

Gashi tha se kryeministri u shpreh që opozita po dëshiron ta profilizojë si rrezik për Amerikën, por që ai është jorelevant për të qenë rrezik për Amerikën.

“Ju po doni me më profilizu si rrezik për Amerikën tha Kurti këtu, asnjëherë sepse ne e dimë që është shumë jorelevant kushdo në Kosovë e aq më pak Albin Kurti për me qenë rrezik për Amerikën. Problemi është se duke u sjellë me papërgjegjshmëri bëhet rrezik për Kosovën, kjo është ajo që e kemi thënë ne edhe pranverën e vitit të kaluar dhe që e kemi shqetësim edhe sot”, tha ai.

Deputeti ndër të tjera tha se ai që shndërrohet në rrezik për Kosovën është sjellja e papërgjegjshme me partnerët ndërkombëtar, kurse thekson që Kurti nuk mund të jetë rrezik për askënd sepse nuk e lënë e nuk e lëmë.

“Sjellja e papërgjegjshme në raport me partnerët ndërkombëtar shndërrohet në rrezik për Kosovën. Zoti Kurti nuk e ka idenë dhe angazhimin e tij se si ta qeverisë Kosovën se si t’i përmirësojë raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. Zoti Kurti e ka qëllimin diku tjetër se do të marrë ¾ e komunave. Nuk është qëllimi i tij me mbrojt Kosovën. Ai s’mund të jetë rrezik për askënd, sepse nuk e lënë dhe nuk do ta lëmë”, deklaroi Gashi. 

***

Kurti lëshon sallën, përplasen Abazi dhe Tahiri në Kuvend

Kryeministri Albin Kurti, pas fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohet për Marrëveshjen e Uashingtonit ka lëshuar sallën plenare.

Kjo ka nxitur partitë opozitare duke thënë se kjo qasje nuk është serioze, por deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Haki Abazi i është drejtuar shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri të ndalet sepse atij është i përgjigjur kryeministri Kurti.

Abazi: Ndalu, ndalu, ta dha përgjigjen kryeministri, tash dëgjo

“Ndalu, ndalu, qetësi ju lutem. Është shumë vështirë me u ballafaquar me vajtim. Ta dha përgjigjen kryeministrin tash dëgjo”, tha ai.

Ndërsa, Tahiri i PDK-së tha se ikja e kryeministrit Kurti është e papërgjegjshme.

Tahiri: Kryeministri iku, është i papërgjegjshëm.

“Ndodhi diçka e pabesueshme. Në një seancë të tillë kur kryeministri ftohet për një marrëveshje të rëndësishme për Kosovën dhe i adresojmë të gjitha ato pyetje, ai nuk e ka kurajën për asnjë me u përgjigj, përveç me rendit akuza për 20 vjeçarin e kaluar. E më pas të del edhe ikë është e papranueshme. Pra ky kryeministër po tregohet shumë i papërgjegjshëm”/

***

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka kritikuar Qeverinë Kurti për mjegulli lidhur me marrëveshjen e Uashingtonit. Në seancën e Kuvendit, ku po diskutohet për këto zotime, Tahiri ia kërkojë ekzekutivit qartësi lidhur me zbatimin ose jo të kësaj marrëveshje.

Megjithatë, adresoi kritika edhe për ish qeverinë e kaluar që tha se nuk e kanë shfrytëzuar mundësinë për njohje reciproke dhe anëtarësim në OKB.

Tahiri: Në secilën fushë nga Qeveria e Kosovës po shohim shumë mjegull

“Në secilën fushë nga Qeveria e Kosovës po shohim shumë mjegull, paqartësi për shumë çështje të tilla. Këtë proces nuk mundemi me shkëput prej dialogut, pavarësisht se është nënshkruar në Uashington, kjo ka qenë pjesë e dialogut i koordinuar në BE-në. Këtu kemi pas mini-shengenin një proces që ka dal nga BE-ja dhe po ashtu ky dukej se ka qenë një koordinimin ndërmjet tyre. Ajo çfarë sot është e rëndësishëm, qartësia e Kosovës në politikën e jashtme dhe sa i përket kësaj marrëveshje”, tha ai.

Tahiri tha se nuk ka dyshime për angazhimin e ShBA-së në fuqizimin e shtetit të Kosovës, por mënyra si është negociuar marrëveshja lënë shumë për të dëshiruar.

Tahiri: Mënyra si është negociuar marrëveshja e Uashingtonit lënë shumë për të dëshiruar

“Mënyrën si është negociuar dhe mënyrën si nuk është mirë shfrytëzuar ai rast në shtëpinë e Bardhë mendoj që lënë shumë për të dëshiruar”, u shpreh ai.

Duke kërkuar përgjigje konkrete, Tahiri adresoi disa pyetje ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe i tha atij të mos merret me të kaluarën, por të ardhmen.

Kurti: A keni me implementu, a keni filluar zbatimin e saj

“A keni me implementu, a keni filluar zbatimin e saj. Cilat pika keni me kërku me u ri negociuar nëse duhet. A ekziston një mundësi e tillë”, deklaroi Tahiri.

***

Ish-kryeministri nga radhët e LDK-së Avdullah Hoti deklaroi sot në Kuvend se me nënshkrimin e marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë, Kosova ka thyer izolimin e saj ndërkombëtar.

Në debatin parlamentar për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit, të propozuar nga LDK, deputeti Hoti ka vlerësuar se kjo marrëveshje ka krijuar edhe një momentum të ri në marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Bashkimit Evropian.

Hoti: Marrëveshja ka thyer izolimin ndërkombëtar

“Me këtë marrëveshje, edhe përmes një qeverisje parimore dhe konsultative si brenda ashtu edhe me miqtë ndërkombëtar, ne kemi thyer izolimin ndërkombëtar që i kishte ndodhur Kosovës… duke qenë se sponzorizohet drejtpërdrejt nga Shtëpia e Bardhë, edhe nga presidenti amerikan, vlerësohej si një marrëveshje ekonomike do të shtynte dy vendet më lehtë drejt marrëveshjes finale. Prandaj, mbi këtë qasje është arritur marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë. Për tej kësaj, këtë marrëveshje duhet parë edhe si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare… Ata që nuk e kuptojnë këtë filozofi të veprimit politik, nuk e kuptojnë edhe qëllimin e kësaj marrëveshje. Unë ju ftoj ta pyetni veten se cili ka qenë qëllimi i vendimeve tona politike në fillim të viteve 90-ta… Marrëveshja e Uashingtonit ka krijuar një momentum të ri edhe në marrëdhëniet BE-SHBA, duke qenë se tash SHBA-të marrin një rol të rëndësishëm politik edhe ekonomik në regjion. Prandaj, këtë marrëveshje duhet parë si hap drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke”, theksoi Hoti.

Deputeti Hoti ka folur edhe për ata të cilët sipas saj tij e kanë fyer dhe kritikuar për nënshkrimin e marrëveshjes, duke i quajtur naivë dhe mashtrues.

Hoti: Jam fyer dhe kritikuar, duhet të kërkojnë falje

“Jam kritikuar në këtë kuvend me gjuhë shumë të pa përshtatshme nga opozita e atëhershme. Kur unë deklaroja se i besoj Shtëpisë së Bardhë se njohja nga Izraeli është e kryer, popullistët me gjithfarë epitetesh, jashtë çdo norme e etike, duke më shtrembëruar edhe emrin dhe me epitete të ndryshme fyese. Ata popullsitë sot i kemi edhe në kuvend, edhe në qeveri, edhe në presidencë. Sot është e qartë, se ato epitete i meritojnë ata dhe jo unë. Është e ditur se kur një person të fyen dhe të nënçmon, ai në fakt më së shumti flet për veten e vet. Sot, ata njerëz nuk kërkojnë falje, as ndaj meje as ndaj Shtëpisë së Bardhë për mos respekt dhe mos besim. Këta persona unë i kategorizoj në tri grupe, nën një, ata ose janë mashtrues që kanë vepruar për qëllime elektorale ose janë naivë në marrëdhëniet ndërkombëtare ose janë të orientuar dika tjetër dhe nuk donë që konsolidimin e shtetësisë së Kosovës ta bëjnë përmes Shtëpisë së Bardhë, por me qendra të tjera”, tha ai.

Deputeti Hoti ka propozuar që në fund të debatit parlamentar të miratohet një rezolutë që sipas tij do t’i ndihmojë Qeverisë për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dënimi i krimeve gjenocidale duhet të jetë i përhershëm, i padiskutueshëm dhe i kudondodhur në mënyrë që në të ardhmen ato të mos përsëriten kurrë më.

Kurti kujtoi një vizitë që kishte bërë në Srebrenicë në vitin 2016, e ku tha se gurët e varreve ankohen për mungesën e trupave e për mungesën e ndëshkimit të fajtorëve.

Kreu i qeverisë tha se kasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq vdiq i padënuar, bashkëpunëtorët e tij jo vetëm që shumica janë të lirë po ka të atillë që janë në pushtet politik e vendimmarrës.

Ai tha se ata sot nuk mund të përsërisin më krimet dhe gjenocidin, por bëjnë atë çka munden duke fshehur trupat e viktimave e duke fshehur kriminelët.

Kurti: Ata që nuk e pranojnë fajin e nuk kërkojnë falje thellë në zemër besojnë se kanë pasur të drejtë

“Na thonë të kemi kujdes nga ata që nuk guxojnë ta shohin në sy të vërtetën nga ata që edhe sot e kësaj dite refuzojnë t’i thonë gjenocidit në emër. Të kemi kujdes nga ata që nuk kërkojnë falje për krimet e tyre, sepse ata që nuk e pranojnë fajin e nuk kërkojnë falje thellë në zemër besojnë se kanë pasur të drejtë, e nëse rrethanat ndryshojnë ata besojnë ta përsëritin prapë të njëjtin faj, të njëjtin krim. Ne nuk guxojmë që të lejojmë që kjo të ndodhë, nuk dëshirojmë ne të fajësojmë gjithë popullin serb, e as nuk dëshirojmë dënim hakmarrës ndaj kujtdo. Por, udhëheqjes politike të Serbisë duhet t’i bëhet presion i pandalshëm nga të gjithë gjithandej derisa ta njohë dhe ta pranojë krimet që ka bërë në Bosnjë, Kosovë e Kroaci, të kërkojë falje e të nisë një proces i ndëshkimit të kriminelëve. Politikanët serbë që mbrojnë krimet nuk i bëjnë shërbim as popullit të vet, as paqes e as zhvillimit të rajonit, por përkundrazi i pengojnë që të gjitha këto”, tha Kurti.

Për më tepër Kurti tha se janë duke përgatitur padinë për gjenocid kundër Serbisë.

Kurti: Qeveria jonë ka filluar me kujdes përgatitjet për padinë për gjenocid kundër Serbisë

“Përmbi 12 mijë të vrarë në Kosovë, përreth 20 mijë gra të dhunuara, për gati 1 milion të dëbuar me dhunë prej Kosovës ne e kemi krimin, dimë dhe autorët, por ende nuk e kemi një emër për krimin e për pasoj as ndëshkimin e duhur për autorët. Ne gjendemi përballë një situate sikurse ajo që e përshkruante Winston Churchill kur konstatonte krimet hitleriane ‘gjendemi përballë një krimi pa emër’, është detyrë e jona përkujtimin dhe respektin ndaj viktimave e familjeve të tyre, por edhe ndaj botës që t’ia japim emrin e duhur këtij krimi. Prandaj, qeveria jonë ka filluar me kujdes përgatitjet për padinë për gjenocid që do ta ngremë kundër Serbisë. Me dënimin e krimeve përmes rezolutave si kjo që po e miraton Kuvendi i Kosovës, përmes padive si ajo që po e përgatitë qeveria e Kosovës ne do të kontribuojmë që të mos përsëritet më gjenocidi as në Srebrenicë e as në Kosovë. E duam paqen vetëm duke kërkuar drejtësinë, kush e harron drejtësinë nuk punon për paqe”, tha ai.

Kuvendi i Kosovës miraton rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë. Rezoluta u iniciua nga koalicioni boshnjak ne Kuvendin e Kosovës, Vakat. Deputetet të Listës Serbe lëshuan sallën para kësaj pike të seancës.

Në bazë të rezolutës, dënohet ashpër gjenocidi i shtetit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut si dhe dënohet çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera. Rezoluta po ashtu fton institucionet shtetërore që të nderojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian e ka shpallur këtë Ditë të Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë, datën 11 korrik të shpallet ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se miratimi i rezolutës për Srebrenicës është “veprim fisnik dhe i duhur”. Ai tha se kjo ishte masakra më e madhe në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe sipas tij, duhet të bëhet dënimi i krimeve të tilla gjenocidiale, me qëllim që veprime të tilla të mos përsëritën në të ardhmen.

Sipas Kurtit, padia për gjenocid ndaj Serbisë, që po përgatit Kosova, do të kontribuojë që në të ardhmen të mos përsëriten ngjarje siç ndodhën në Srebrenicë.

“Ata që nuk e pranojnë fajin e nuk kërkojnë falje, thellë në zemër besojnë se kanë pasur të drejtë”, tha Kurti.

Kuvendi i Kosovës e miratoi rezolutën para se të shënohet përvjetori i 26-të i gjenocidit në Srebrenicë. Përkatësisht, të dielën më 11 korrik parashihet edhe varrosja e 19 viktimave të gjenocidit.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid.

Më 8 qershor 2021, gjykatësit e Kombeve të Bashkuara e mbështetën dënimin me burgim të përjetshëm ndaj ish-shefit ushtarak serb, Ratko Mlladiq për gjenocidin në Srebrenicë dhe mizoritë tjera gjatë gjithë luftës së Bosnjës më 1992-95.

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm, i shpallur nga shkalla e parë më 2017, për rolin e tij në vrasjen e rreth 8.000 burrave dhe djemve myslimanë boshnjakë në Srebrenicë.

Më 17 qershor, Parlamenti i Malit të Zi miratoi një rezolutë që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës.

Parlamenti gjithashtu shkarkoi ministrin e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Leposaviq për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinës.

Në anën tjetër, në Kuvendin e Serbisë janë dy rezoluta në lidhje me Srebrenicën. Në njërën kërkohet që Srebrenica të dënohet si krim, kurse tjetra si gjenocid. Diskutimi mbi rezolutat ende nuk është futur në rend të ditës atje.

Maqedonia e Veriut ka miratuar rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në vitin 2010.

Ndërsa Shqipëria deri më tani nuk ka miratuar ndonjë rezolutë të ngjashme./REL

***

Padia e bërë nga shteti i Kosovës ndaj Malit të Zi për kthimin e 4 mijë e 500 metrave katrorë tokë në shëtitoren Rafailoviq, ka përplasur deputetin e PDK-së Bekim Haxhiu me kryeministrin Albin Kurti.

Haxhiu ka pyetur kryeministrin e Kosovës se pse nuk kanë bërë padi edhe për 42 prona të tjera që janë të Kosovës në Malin e Zi, dhe se a e ka harruar Qakorrin e Zhlebin për një pushimore në deti. Në përgjigjen e tij, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se në momentin që do të ketë një komision të ri shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit do të trajtohen të gjitha çështjet që kanë mbetur pezull.

Pyetje sërish për kryeministrin pati deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, i cili pyeti se a e ka hequr dorë nga Qakorri e Zhlebi për një pushimore në deti.

Haxhiu: A ke heq dorë nga Qakorri e Zhlebi për një pushimore në deti

“Ju këtë vend e keni bllokuar me kauzën tuaj të demarkacionit, qytetarëve ua ke humbur mundësinë e liberalizimit të vizave duke brohoritur në Kuvend ‘Qakorri’, ‘Zhlebi’. Derisa po vija këtu në Kuvend një qytetar që ishte në protestë me ju tha me iu pyet, a ke heq dorë nga Qakorri e Zhlebi për një pushimore në deti. Kjo është pyetja e qytetarit se ai tha kam prit që ka me e paditë Malin e Zi për Qakorr e për Zhleb, por po doket që Qakorrin e Zhlebin e dha për një pushimore në deti ”, tha ai.

Atij i është përgjigjur kryeministri Albin Kurti, i cili tha se në momentin që do të ketë një komision të ri shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit do të trajtohen të gjitha çështjet që kanë mbetur pezull.

Kurti tha se ai do ta bëjë maksimumin që të korrigjojë gjithçka që është bërë dëmshëm në vitin 2018 kur është ratifikuar marrëveshja e demarkacionit. Ai tha se do të përdor të gjithë mekanizmat sa më shpejt që mundet që të korrigjojë, siç tha ai, gabimet fatale që janë bërë nga deputetët në atë legjislaturë.

Kurti: Do të përdori mekanizmat sa më shpejt që mundem që të korrigjoj gabimet fatale

“Janë së paku 22 prona të Trepçës në hapësirën e ish-Jugosllavisë e jashtë territorit të Republikës tonë dhe ne si qeveri do të angazhohemi maksimalisht në këtë drejtim që ajo që ka qenë e Kosovës të bëhet e Kosovës edhe nëse nuk është tani. Siç mund të jeni në dijeni Komisioni shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit nuk ka mandat, në momentin që do ta kemi një komision të ri të emërtuar të gjitha çështjet që kanë mbetur pezull do të trajtohen nga komisioni përmes mekanizmave të veçantë që do t’i rekomandoj ky komision. E unë do të bëjë maksimumin që të korrigjoj gjithçka që është bërë padrejtësisht, gabueshëm, e dëmshëm në vitin 2018 kur u pat ratifikuar ajo marrëveshje e cila ia humbi territorin e saj Kosovës. Pra, unë do të përdori mekanizmat sa më shpejt që mundem, sa më shumë që mundem në mënyrë që të korrigjoj gabimet fatale, të tmerrshme që i patët bë ju në atë legjislaturë”, tha Kurti.

Sa i përket padisë, Kurti tha se Avokatura Shtetërore në baze të dokumentacionit që posedon ka bërë këtë padi, pasi që në bazë të arkivave vërtetohet qartë pronësia e Republikës së Kosovës mbi atë pronë.

Kurti: Më pastaj do të fillojnë procedurat për vërtetimin e pronësisë

“Atë që qeveritë e kaluara nuk e kanë bërë për sa i përket krijimit të një regjistri apo regjistrimi të pronave në Mal të Zi dhe në shtetet e tjera, qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht ministria e Drejtësisë ka filluar mbledhjen e të gjitha dokumentacioneve në shtete të ndryshme kur pas një verifikimi të tillë mbi pronësinë do të krijojmë një regjistër për pronat tona në shtete të ndryshme dhe më pastaj do të fillojnë procedurat për vërtetimin e pronësisë. Pra, qeveria e Republikës së Kosovës është kompetente vetëm për vërtetimin e pronësisë të pronave shtetërore, pronave që janë regjistruar në emër të qeverisë apo ministrisë përkatëse që ekzistojnë në shtete të ndryshme. Ndërsa, për numrin dhe vërtetimin e pronave shoqërore jashtë vendit është përgjegjëse AKP-ja. Pra, në masën në të cilën ne do të arrijmë të kemi dokumentacion në atë masë sigurisht që edhe do të veprojmë”, tha Kurti.

Ministria e Drejtësisë në Kosovë e ka dërguar në gjykatë Komunën e Budvës në Mal të Zi dhe kompaninë ‘Sunraf Beach Properties” duke kërkuar kthimin e rreth 4 mijë e 500 metrave katrorë tokë në shëtitoren Rafailoviq, ku ishte dikur vendpushimorja për fëmijë. Në këtë padi thuhet se pushimorja me emrin “Ganimete Tërbeshi” ishte blerë 6 dekada më parë.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se nuk do të ketë zbatueshmëri të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, e ratifikuar më 2018-ën, në Kuvendin e Kosovës.

Kurti në seancën e sotme, mes tjerash u shpreh se si Qeveri do të angazhohen që pronat e Trepçës, të cilat janë në hapësirën e ish-Jugosllavisë, jashtë territorit të Kosovës, të bëhen të shtetit të Kosovës.

”Janë së paku 22 prona të Trepçës, në hapësirën e ish-Jugosllavisë, e jashtë territorit të Republikës tonë. E ne si Qeveri do të angazhohemi në këtë drejtim që ajo që ka qenë e Kosovës, të bëhet e Kosovës edhe nëse nuk është tani”.

”Siç jeni në dijeni Komisioni Shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit nuk ka mandat. Në momentin që do ta kemi një komision të ri të emëruar, do të trajtohen të gjitha çështjet që kanë mbetur pezull përmes mekanizmave të veçantë që do t’i rekomandojë ky komision”.

”E unë do të bëjë maksimumin që të korrigjojë gjithçka që është bërë padrejtësisht gabueshëm, e dëmshëm në vitin 2018 kur u pat ratifikuar ajo marrëveshje, e cila ia humbi territorin e saj Kosovës”.

”Unë do të përdori mekanizmat, sa më shpejtë që mundem, sa më shumë që mundem, në mënyrë që të korrigjojë gabimet fatale të tmerrshme që patët bërë ju në legjislaturën e kaluar”.

​Kurti: Funksionimi i universitetit në veri të Mitrovicës nuk është legjitim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se funksionimi i universitetit në veri të Mitrovicës nuk është legjitim, pasi nuk ka hartuar një statut në përputhje me Ligjin për Arsimin dhe nuk është akredituar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.

Në seancën e sotme plenare, kreu qeveritar tha se askush nuk duhet të vë në dyshim mekanizmat e shtetit për të parandaluar një veprimtari të jashtëligjshme, mirëpo është interes i Kosovës që qytetarët në atë pjesë t’i integrojnë në institucionet e vendit.

Kurti: Nuk ka dyshim se funksionimi i këtij universiteti nuk është legjitim

“Nuk ka dyshim se funksionimi i këtij universiteti nuk është legjitim, pasi nuk ka hartuar një statut në përputhje me Ligjin ën Komuna dhe nuk është akredituar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe për këtë arsye ky universiteti nuk financohet nga buxheti i Kosovës dhe nuk do të menaxhohet deri sa funksionimi i tij të jetë në përputhje me Ligjet e Kosovës. Askush nuk duhet ta vë në dyshim se shteti jonë ka mekanizma për të parandaluar një veprimtari të jashtëligjshme, por gjithashtu e kemi parasysh se këtë universitet studiojnë qytetarë të Kosovës dhe është interes i yni që ata të integrohen në shtetin tonë”, tha ai.

Këtë deklarim, kreu qeveritar e bëri pas pyetjes së deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi për ndërtimin e universitetit në pjesën veriore me financim serb.

​Tahiri thotë se Qeveria Kurti është e paaftë për t’iu kundërvu fushatës së Serbisë ndaj Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, e ka quajtur të paaftë qeverinë e Kosovës që t’i kundërvihet ofensivave të Serbisë dhe fushatës që ajo po bënë për ta barazuar dhe fajësuar Kosovën luftën e vitit 1998-1999.

Ai tha se derisa shteti i Serbisë dekoron kriminelin Goran Radosavljeviç përgjegjësin kryesor edhe për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, nuk ka pasur asnjë reagim nga Qeveria e Kosovës.

Tahiri: Qeveria e paaftë për t’iu kundërvu fushatës që Serbia po bënë ndaj Kosovës

“Qeveria e Republikës së Kosovës jo vetëm që ka harruar të angazhohet në tema të tilla vitale, por është tërësisht e paaftë fatkeqësisht me iu kundërvu ofensivave të tilla. Deri më sot fatkeqësisht Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë në një vijë me ata që denigruan dhe sulmuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe kjo është për turp. Pra, qeveria e Republikës së Kosovës është e paaftë me iu kundërvu një fushate të tillë të cilën po e shohim kudo në Evropë. Mjafton një angazhim i madh i qeverisë së Republikës së Kosovës, në çdo ministri të jashtme në Evropë, në çdo vend në botë t’iu tregohet dhe të informohet për këto veprime që i bënë sot presidenti Vuçiq dhe qeveria e Republikës serbe”, tha Tahiri. 

***

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kërkuar të ketë më shumë përgjegjësi në çështjen e vaksinimit ndaj Covid-19.

Ai apeloi tek qytetarët që të kenë më shumë kujdes kur vie tek aplikimi i dozave të vaksinës, për shkak të raportimeve të skadencës, duke iu referuar pranimit nga Ministri Arben Vitia, të vaksinave AstraZeneca si donacion nga Norvegjia.

”Tani 16 muaj po përballemi me pandeminë Covid-19, dhe këtu një punë të jashtëzakonshme që nga fillimi i pandemisë, ka bërë stafi shëndetësor”.

”Vaksinat AstraZeneca u pranuan me shumë vonesë nga Qeveria e Kosovës. Në bazë të raportimeve, thuhet se këtyre vaksnave afati i skadencës iu kalon në qershor dhe korrik. Bazuar në vendimin e EMA-s, shumë vende të BE-së kanë larguar përdorimin e AstraZeneca për përdorim nën moshën 60 vjeç”.

”Pra, Norvegjia i largoi nga përodrimi, Ministri Vitia i pranoi ato vaksina. Pra për të mbrojtur shëndetin e tyre, kërkoj tek qytetarët që para vaksinimit të shiqojnë mirë vendimin e OBSH-së dhe rregullatorëve të barnave, çdo vaksinë e prodhuar me procedurë emergjente, afatin e përdorimit”.

”Ju kërkoj që të kryeni punën në mënyrë profesionale dhe të mos bini pre e mashtrimeve të kësaj qeverie”.

***

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga AAK-ja, Time Kadrijaj, pati një kërkesë për Kryeministrin Albin Kurti, gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare.

Ajo kërkoi nga kryeministri që siç tha “ta mbrojë luftën e UÇK-së, çlirimtarët dhe eprorët”.

“Mbroni luftën e drejtë të UÇK-së sepse ne kemi bërë luftë të drejtë dhe çlirimtare. Mbroni çlirimtarët dhe eprorët. Merrni shembull nga shteti fqinj të cilët dekorojnë kriminelë e vrasës, ndërsa Qeveria jonë shpesh herë nëpër istanca vendore dhe ndërkombëtare përton me ia përmend emrin UÇK-së dhe përdorin terma fyese, ky është turpi më i madh që mundet me i ndodh një shteti dhe një qeverie”, tha ajo.

***

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës shprehu ngushëllime për vdekjen Fazli Veselit, babait të ish kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.

Tahiri tha se Veseli ka qenë një veprimtar i madh i çështjes kombëtare dhe se në momentet më të vështira të tij, nuk e pati afër djalin e tij, Kadriun, pasi po përballet edhe një herë në një betejë për Kosovën.

Tahiri: Sot ndërroi jetën një veprimtar i madh i çështjes kombëtare

“Para disa orësh ka ndërruar jetë një veprimtar i madh i çështjes kombëtare, zotëri Fazli Veseli. Ai dhe familja e tij ishin familje të cilat ishin të përndjekura nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit. I ndjeri ishte edhe babai i një prej themeluesve të UÇK-së, zotëri Kadri Veseli. Fatkeqësisht sot kur ndërroi jetë ai nuk e pati afër djalin e tij të vogël, Kadriun sepse ai po përballet edhe një herë në betejë për Kosovën edhe dy dekada pas çlirimit të Kosovës. Prandaj sot dua t’i shpreh ngushëllime në emër të grupit parlamentar për humbjen e prindërit dhe bashkëshortit të tyre”, tha ia.

Në emër të Kuvendit dhe të deputetët ngushëllime shprehu kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Konjfuca: Në emër të Kuvendi të Kosovës e shfrytëzoj rastin t’i shprehi ngushëllime familjes Veseli

“Të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe në emër të Kuvendi të Kosovës e shfrytëzoj rastin t’i shprehi ngushëllime familjes Veseli për vdekjen e babait të tyre, të babait të ish kryetarit të Kuvendit, zotëri Kadri Veseli”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka shprehur ngushëllime familjes Veseli për humbjen e Fazli Veselit, babait të ish-kryekuvendarit, Kadri Veseli.

“Në emër të Kuvendit, i shprehim ngushëllime familjes Veseli për vdekjen e babait të tyre”, ka thënë Konjufca para fillimit të seancës.

Lajmin për vdekjen e babait të Kadri Veseli e ka bërë të ditur me anë të një postimi në rrjetin social Facebook Donjet Bislimi, kryetarit të Rinisë të PDK-së.

“Ishe Hero sepse rrite heroin tonë të gjallë, Prehu në paqe Baci Fazli. Ngushëllime familjes Veseli, Mitrovicës dhe gjithë Kosovës!”, ka thënë Bislimi.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur sot në seancë plenare, ku pritet të debatojnë për marrëveshjen e Uashingtonit.

Përveç kësaj, të zgjedhurit e popullit kanë një mori pikash tjera në rend të ditës. Ligjvënësit para vetës kanë propozim-rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, propozimin për shkarkimin e bordit të Radio Televizionit të Kosovës dhe raportet vjetore të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020 dhe akademisë të Drejtësisë për vitin 2020.

Ndërkohë, pritet të emërohen edhe (7) anëtarëve të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore

***

Kuvendi i Republikës së Kosovës mban sot seancën e rregullt plenare në të cilën do të debatoj në lidhje me veprimet e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së Washingtonit.

Seanca e së mërkurës do të fillojë me deklarimet jashtë rendit të ditës, për të vijuar me pyetjet parlamentare.

Pas këtyre pikave, pikë e radhës së rendit të ditës të jetë propozim - rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.

Seanca e rregullt do të vijojë me debat parlamentar në lidhje me veprimet e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së Washingtonit, sipas propozimit të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas debatit parlamentar, seanca do t’i vijojë punimet me shqyrtimin e Raportit Vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2020; shqyrtimin e Raportit Vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2020, dhe shqyrtimin e  Raportit të punës së Akademisë së Drejtësisë për vitin 2020.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat