Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dënimi i krimeve gjenocidale duhet të jetë i përhershëm, i padiskutueshëm dhe i kudondodhur në mënyrë që në të ardhmen ato të mos përsëriten kurrë më.
Kurti kujtoi një vizitë që kishte bërë në Srebrenicë në vitin 2016, e ku tha se gurët e varreve ankohen për mungesën e trupave e për mungesën e ndëshkimit të fajtorëve.
Kreu i qeverisë tha se kasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq vdiq i padënuar, bashkëpunëtorët e tij jo vetëm që shumica janë të lirë po ka të atillë që janë në pushtet politik e vendimmarrës.
Ai tha se ata sot nuk mund të përsërisin më krimet dhe gjenocidin, por bëjnë atë çka munden duke fshehur trupat e viktimave e duke fshehur kriminelët.
Kurti: Ata që nuk e pranojnë fajin e nuk kërkojnë falje thellë në zemër besojnë se kanë pasur të drejtë
“Na thonë të kemi kujdes nga ata që nuk guxojnë ta shohin në sy të vërtetën nga ata që edhe sot e kësaj dite refuzojnë t’i thonë gjenocidit në emër. Të kemi kujdes nga ata që nuk kërkojnë falje për krimet e tyre, sepse ata që nuk e pranojnë fajin e nuk kërkojnë falje thellë në zemër besojnë se kanë pasur të drejtë, e nëse rrethanat ndryshojnë ata besojnë ta përsëritin prapë të njëjtin faj, të njëjtin krim. Ne nuk guxojmë që të lejojmë që kjo të ndodhë, nuk dëshirojmë ne të fajësojmë gjithë popullin serb, e as nuk dëshirojmë dënim hakmarrës ndaj kujtdo. Por, udhëheqjes politike të Serbisë duhet t’i bëhet presion i pandalshëm nga të gjithë gjithandej derisa ta njohë dhe ta pranojë krimet që ka bërë në Bosnjë, Kosovë e Kroaci, të kërkojë falje e të nisë një proces i ndëshkimit të kriminelëve. Politikanët serbë që mbrojnë krimet nuk i bëjnë shërbim as popullit të vet, as paqes e as zhvillimit të rajonit, por përkundrazi i pengojnë që të gjitha këto”, tha Kurti.
Për më tepër Kurti tha se janë duke përgatitur padinë për gjenocid kundër Serbisë.
Kurti: Qeveria jonë ka filluar me kujdes përgatitjet për padinë për gjenocid kundër Serbisë
“Përmbi 12 mijë të vrarë në Kosovë, përreth 20 mijë gra të dhunuara, për gati 1 milion të dëbuar me dhunë prej Kosovës ne e kemi krimin, dimë dhe autorët, por ende nuk e kemi një emër për krimin e për pasoj as ndëshkimin e duhur për autorët. Ne gjendemi përballë një situate sikurse ajo që e përshkruante Winston Churchill kur konstatonte krimet hitleriane ‘gjendemi përballë një krimi pa emër’, është detyrë e jona përkujtimin dhe respektin ndaj viktimave e familjeve të tyre, por edhe ndaj botës që t’ia japim emrin e duhur këtij krimi. Prandaj, qeveria jonë ka filluar me kujdes përgatitjet për padinë për gjenocid që do ta ngremë kundër Serbisë. Me dënimin e krimeve përmes rezolutave si kjo që po e miraton Kuvendi i Kosovës, përmes padive si ajo që po e përgatitë qeveria e Kosovës ne do të kontribuojmë që të mos përsëritet më gjenocidi as në Srebrenicë e as në Kosovë. E duam paqen vetëm duke kërkuar drejtësinë, kush e harron drejtësinë nuk punon për paqe”, tha ai.