Çfarë përmban Rezoluta e Kosovës për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë?

Aktuale

Çfarë përmban Rezoluta e Kosovës për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë?

Më: 7 korrik 2021 Në ora: 13:15
Foto

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kanë miratuar rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë. Këtë rezolutë e mbështetën të gjitha grupet parlamentare, me përjashtim të Listës Serbe, e cila lëshoi sallën në momentin që u iniciua kjo rezolutë.

Ky është teksti i plotë i Rezolutës për Srebrenicë:

Duke pasur parasysh:

- Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventën për të Drejtat Civile dhe Politike, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut;

- Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB S/RES/827 25 maj 1993;

- Rezolutat e Parlamentit Evropian 7 korrik 2005, 15 janar 2009 dhe 15 korrik 2015 për Srebrenicën;

- Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës nr. 02/552, të datës 6 korrik 2005, me rastin e dhjetëvjetorit të masakrës në Srebrenicë;

- se pas okupimit të dhunshëm të Srebrenicës, e cila ka qenë zonë e mbrojtur e OKB-së, nga e ashtuquajtura URS, e ndihmuar dhe e financuar nga regjimi i atëhershëm i Republikës së Serbisë, më 11 korrik 1995, në mënyrë të planifikuar, kanë vrarë mbi 8.000 boshnjakë, kanë dhunuar një numër të madh të grave, dëbuar dhunshëm mbi 25.000 pleq, gra dhe fëmijë;

- se krimet e kryera nga forcat serbe në Srebrenicë përbëjnë krim të gjenocidit siç është definuar në Konventën e OKB për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, 9 dhjetor 1948;

- se masakra në Srebrenicë është njohur dhe e pranuar si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Aktgjykimin e Apelit, Rasti Nr.: IT-99-33, 19 prill 1993;

- Vendimin e apelit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë 26 shkurt 2007, që konstaton se aktet e kryera në Srebrenicë dhe rrethinë rreth datës 15 korrik 1995, janë akte të gjenocidit të kryera nga te ashtuquajtur ushtarët e URS dhe se të njëjtat duhet të quhen me emrin e vërtetë: Gjenocid.

- se krimi i rëndë i kryer nga forcat e ashtuquajtur URS në Srebrenicë është cilësuar gjenocid dhe krimi më i rëndë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, me disa aktgjykime të plotfuqishme për gjenocidin, nga Tribunali i Hagës;

- Aktgjykimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Rastin Nr. IT-09-92-T, 22 nëntor 2017 dhe vendimin e Apelit të Mekanizmit të Përhershëm Ndërkombëtar për Gjykatat Penale për rastin MICT-13-56-A, 8 qershor 2021;

- duke iu bashkangjitur rezolutave dhe deklaratave të ngjashme të vendeve demokratike, organizatave ndërkombëtare dhe Parlamentit të BE-së,

KUVENDI I REPUBULIKËS SË KOSOVËS

Miraton këtë:

R E Z O L U T Ë

Pika numër dy e rezolutës konstaton dhe pranon se, pas pushtimit të Srebrenicës nga forcat ushtarake të URS, të njëjtat për disa ditë kanë kryer masakra në Srebrenicë dhe rrethinë, duke vrarë e masakruar mbi 8,000 burra, djem dhe të mitur boshnjakë.

Pika numër tre: Ndjen dhe shprehë pikëllimin e thellë për njerëzit e pafajshëm që kanë pësuar në gjenocidin e Srebrenicë, gjatë luftës së përgjakshme në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe ju shpreh ngushëllime anëtarëve të mbijetuar të familjeve.

Pika numër katër: Dënon fuqishëm çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera.

Pika numër pesë: Fton institucionet shtetërore që të nderojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian e ka shpallur këtë Ditë e Përkujtimit për Gjenocidin në Srebrenicë, datën 11 korrik të shpallë ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.

Pika numër gjashtë: Fton të gjitha shtetet që të bëjnë përpjekje shtesë për t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për planifikimin dhe kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.

Ndryshe, Gjenocidi i Srebrenicës ose Tragjedia e Bosnjës ka ndodhur në korrik të vitit 1995 në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u vranë më shumë se 8,000 boshnjakë myslimanë. Gjenocidi është zbatuar në rajonin e Srebrenicës nga Ushtria e Republikës Serbe (VRS) nën udhëheqjen e Ratko Mlladiq.

Mlladiq, pas 15 vitesh fshehje, u arrestua në maj të 2011 gjersa u dënua javë me parë me burg të përjetshëm  për gjenocidin në Bosnje-Hercegovinë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat