“Jam i befasuar, nuk e kam mizën pas veshit”, reagon ish-sekretari në MIE pasi iu ngrit aktakuzë

Aktuale

“Jam i befasuar, nuk e kam mizën pas veshit”, reagon ish-sekretari në MIE pasi iu ngrit aktakuzë

Nga: A.Zh Më: 7 korrik 2021 Në ora: 18:40
Demush Shasha

Demush Shasha, ish-sekretar në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Ai ka thënë se lajmin për ngritjen e aktakuzës e ka marrë nga mediat, lidhur me një kontratë, për të cilën ka thënë se e ka refuzuar, përcjell Bota sot.

Drejtori i Institutit EPIK, është shprehur i befasuar nga vendimi i prokurorisë, e cila nga të qenit dëshmitar e ka zhvendosur në të qenit i pandehur. Ai ka treguar se kontratën për lobim, e kishte dërguar për interpretim në Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, për tu siguruar se asnjë veprim i MIE-së të mos ishte në kundërshtim me ligjin.

Por, Shasha ka thënë se ai “nuk e ka mizën pas veshit” dhe se kjo aktakuzë nuk do ta ndalë së kritikuari për gjendjen në vend.

Shasha, bashkë me ish-ministres e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha dhe Fitim Mustafën, Kushtrim Cukajn dhe Nuhi Osmanin, akuzohen se i kanë paguar 168,000 euro një kompanie lobimi me seli në Paris, që kishte promovuar idenë se “modifikimi i territorit” mund të jetë një zgjidhje në dialogun Kosovë - Serbi.

Reagimi i tij në Facebook:

Nga mediat mora vesh që më është ngrit aktakuza lidhur me një kontratë të cilën kam refuzuar të nënshkruaj dhe kam qenë gati të pranoj edhe koston personale për këtë refuzim.

Jam i befasuar nga vendimi i prokurorisë pasi që në cilësi dëshmitari kam dhënë deklaratën në polici. Në cilësi dëshmitari kam dhënë deklaratë edhe në prokurori. Papritmas, javën e kaluar, prokuroria më ka ftuar edhe në cilësi të te pandehurit. Gjatë intervistës nuk kam arritur të kuptoj se çfarë e ka shtyrë prokurorinë të më ri-cilësoj mua nga të qenit dëshmitar në të qenit i pandehur.

Sidoqoftë, thonë kur nuk e ke mizën pas veshit e ke lehtë. Nuk e kam mizën pas veshit, sepse që nga fillimi kam marr çdo hap në përputhje me ligjin dhe për hir të transparencës kam shkuar edhe më larg duke dërguar të gjithë kontratën për interpretim në institucionet sikur Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik – vetëm dhe vetëm për tu siguruar se asnjë veprim i MIE-së të mos jetë në kundërshtim me ligjin. Prandaj, sot nuk e kam mizën pas veshit.

Për fund edhe një gjë. Kritikat e mija për shtetin e kapur janë publikisht të njohura. Unë në vazhdimësi kam folur dhe flas për nevojën e ndërtimit të institucioneve kredibile, sepse i kuptoj pasojat e rrezikshme të cilat mund vijnë nga një shtet i kapur. Flas, sepse kam parë nga dora e parë se brenda institucioneve ka politikanë dhe shërbyes civil të shkëlqyeshëm, të cilët shërbejnë me dinjitet në interesin e shtetit. Kam parë nga dora e parë se brenda sistemit të drejtësisë ka profesionistë të jashtëzakonshëm, të cilët mund të ofrojnë qytetarëve një drejtësi që e meritojnë. Një drejtësi të pavarur para së cilës të gjithë jemi të barabartë. Prandaj, larg qoftë se ky zhvillim do më ndaloj nga kritikat për gjendjen tonë në vend. Përkundrazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat