Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka thënë se një prej synimeve të kësaj ministrie është që Forcën e Sigurisë së Kosovës ta bëjë forcë operacionale që ta mbrojë integritetin territorial të Kosovës.
Syla ka përmendur edhe marrëveshjen e vitit 2013 në mes të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe KFOR-it që FSK-ja të mos jetë e pranishme në veriun e Kosovës duke thënë se për sa kohë të jetë valide kjo marrëveshje Qeveria Kurti do ta respektojë dhe do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me KFOR-in.
“Është një marrëveshje në mes të KFOR-it dhe ish-presidentit [Hashim] Thaçi ku shkruhet se për një kohë ndalohet që FSK-ja të jetë në veri të vendit. Por, ne jemi në bisedime – kryeministri Albin Kurti pati një bisedë me Sekretarin e NATO-s Jens Stoltenberg dhe për sa kohë të jetë në fuqi ajo marrëveshje, ne do të jemi në kontakt me KFOR-in që FSK-ja të jetë në atë pjesë”.
Ai deklaroi se Qeveria e Kosovës do të jetë në vazhdimësi në shqyrtim të këtij vendimi që një ditë i njwjti të shfuqizohet dhe FSK-ja të jetë në tërë territorin e vendit.