Degët e listës “Guxo”, Ferizaj, Gjakovë dhe Istog kanë reaguar kundër një bashkëpunimi me Vetëvendosjen nëse kandidati për kryetar nuk vjen nga lista e tyre.
Pas këtyre degëve ka reaguar edhe kandidati për president dhe koordinator i listës Guxo në Vushtrri, Nasuf Bejta.
Bejta ka hedhur kritika ndaj formacionit politik të cilit i takon, duke thënë se nganjëherë sulmi s’është mbrojtja më e mirë.
Ai ka thënë se pas takimit të mbajtur Dubovikë të Deçanit ishin dakorduar edhe për një takim të radhës, por ai takim nuk ndodhi asnjëherë.
Bejta që ka qenë edhe kandidat për deputet nga radhët e kësaj liste ka shkruar së një pjesë të përgjegjësisë e mban edhe ai vet.
Postimi i plotë i Bejtës:
SULMI, NGANJËHERË S’ËSHTË MBROJTJA MË E MIRË!
Të nderuar përkrahës të ndryshimit të madh,
Si veprimtar i angazhuar për këtë ndryshim, jam duke i përcjellë zhvillimet e fundit politike e në veçanti deklaratat e aktivistëve të Listës Guxo, që ishte dhe është në koalicion me LVV.
Asnjë nga aktivistët e Listës Guxo nuk kemi qenë kundër këtij koalicioni. Ky koalicion edhe tani po e qeverisë vendin. Ata që fituan votat e mjaftueshme, i zunë vendet e besuara nga elektorati.
Nuk duhet harruar e neglizhuar edhe ata veprimtarë që nuk arritën të marrin votat e mjaftueshme por që vërtetë kontribuuan që proceset e rëndësishme të shkojnë në drejtimin e duhur.
Fjalët kanë qenë që aty të jetë fillimi i një nisme të re e jo fundi i saj.
Nismëtarët e Listës Guxo, pa dallime e në veçanti ata që kandiduan, para qytetarëve premtuan që pas zgjedhjeve nacionale do të formohet një subjekt i ri politik. Kaluan pesë muaj por kjo nuk u realizua dhe qytetarët asnjëherë nuk u informuan.
Në qershor, pas kërkesave të shumta u mbajtë një takim në Dubovikë të Deçanit ku morën pjesë një numër i madh i veprimtarëve, si dhe ministra e deputetë nga kjo listë.
Pas një debati mjaft konstruktiv, u vendosë që brenda javës të thirret edhe një takim ku do të diskutohej për aktivitetet e radhës, mirëpo kjo nuk ndodhi asnjëherë andaj përgjegjësinë duhet ta marrim të gjithë.
Unë jam i gatshëm ta marr pjesën e përgjegjësisë që më takon mua dhe këtë e bëj për hir të qytetarëve që përkrahën kandidimin tim.
Është dëshmuar se transparenca është çelës i suksesit ndërsa mungesa e saj, sjellë efekte të dëmshme e shpeshherë edhe të pariparueshme!
Të gjithë ata që janë deklaruar ashpër në vlerësime, duhet ta kujtojnë se ishin të përzgjedhur nga dikush e të mos bëjnë etiketime të shëmtuara si “jo profesionistë”, “militantë” e “të pakënaqur”.
Ata që besuan në frymën e ndryshimit dhe iu bashkuan Listës Guxo, nuk është etike e as morale të akuzohen se synuan “poste shtetërore”.
Me respekt për të gjithë, Nasuf Bejta!