(E plotësuar 13:09) - Ish-anëtari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Bajram Mjeku, ka reaguar pasi deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për shkarkimin e tij.
Ai ka publikuar letrën që ia kishte dërguar Kryetares së Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media e Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica-Xhelili, ku kërkonte themelimin e një komisioni hetimor parlamentar.
Në atë letër, Mjeku kishte paralajmëruar se nëse do të shkarkohej nga Kuvendi do ta konsideronte vendim politik dhe do ta dërgonte rastin në Gjykatë.
“Në rast se nuk intervistohem nga një komision hetimor parlamentar, në mënyrë që të sqarohet në detaje se cilat shkelje të mundshme i kam bërë si anëtar i Bordit të RTK-së dhe në rast se ditëve të ardhshme shkarkohem në Kuvendin e Republikës së Kosovës, vendimin do ta konsideroj politik dhe do ta ankimoj në Gjykatë. I vetëdijshëm se verdikti i Gjykatës mund të vonohet me vite, ka shumë rëndësi që kurdo që të ndodh, të dëshmoj pastërtinë time para Zotit, familjes dhe institucioneve të vendit”, thuhej në letër.
***
Deputetët shkojnë në bufe, vonohen për seancë – Konjufca i thërret në mënyrë interesante
Kryekuvendari Glauk Konjufca, ka bërë apel tek deputetët të cilët nuk gjenden në sallën ku po mbahet seancë, t’i kthehen punimeve.
Ai këtë thirrje madje e ka bërë në një formë të veçantë, meqë deputetët e munguar ishin duke qëndruar në byfe.
”Meqenëse në byfe gjendet një televizor i vocërr”.
”Të gjithë ata që po na dëgjojnë prej byfesë, i ftojmë të kthehen”.
E zuri gjumi në Kuvend, Adriana Matoshi befason me shpejgimin e saj - fajëson opozitën
Në seancën e sotme, deputetja Adriana Matoshi u kap duke ‘fjetur’.
Por ajo pati një arsye…
Aktorja shqiptare postoi fotografinë në instastory ku shihet duke ‘fjetur’, përmes së cilës tregoi se pse ndodhi kjo gjë.
“Kur Opozita fol e ti e nin zemrën tu u ngushtu e krytë tu t’dhimtë”, ka shkruar ajo.
***
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj është përplasur me deputetin e VV-së, Valon Ramadani lidhur me misionin e Televizionit Publik.
Selmanaj tha se vetëm partitë komuniste kanë pasur mision të parë edukimin dhe janë munduar ta edukojnë masën përmes mediumit publik.
Selmanaj u shpreh se deputeti i VV-së tha se misioni i parë i mediumit publik është edukimi e që sipas Selmanajt kjo ndodh vetëm në sistemet komuniste.
“Një deputet del në publik dhe thotë që misioni i parë i Televizionit Publik është edukimi, mediat kanë misioni informimin, edukimin e bëjnë shkollat dhe universitetet. Sistemet komuniste e kane përdorë mediumin publik për informim, për me tepër thotë se qëllimi kryesor është edukimi, pastaj informimi dhe zbavitja. Kjo është e turpshme me u dëgju në Kuvend”.
Pas kësaj ka replikuar deputeti i VV-së, Ramadani duke thënë se neni tre në RTK thotë se RTK-ja ka misionin informimin, edukimin dhe argëtimin.
“Unë desha shkurt t’ia lexoj një nen deputetit Selmanaj, neni 3 thotë RTK ka misioni informues, edukues, kulturor dhe argëtuar. Tjetër herë kish qenë mirë me i lexu nenet e pastaj me folë”.
Në kundër replikën e tij, Driton Selmanaj u shpreh se edukimin e masave e bëjnë vetëm partitë komuniste.
“Tash po më del shqetësim edhe më i madh, po të mendonte vetëm deputeti Ramadani kështu edhe do ta lokalizonim, por Grupi Parlamentar po mendojka kështu me britmat e tyre. Më shkoj koha e replikës me këtë kakofoni. Renditjen që e tha ai më herët, e vendosi si masë të parë edukimin tani e lexoj si të dytën, edukimin kontekst të emisioneve për fëmijë mund ta bëjnë edhe mediat, por edukimin e masave popullore e bëjnë vetëm partitë komuniste”.
***
Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë votuar pro shkarkimit të Bordit të RTK-së.
Emrat e anëtareve Bordit të shkarkuar të RTK-së janë: Sali Bashota, Agron Gashi, Lirim Geci, Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Albinot Maloku.
Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur në tërësi rekomandimin për shkarkimin e këtij Bordi.
Ndërkaq partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë kundërshtuar një gjë të tillë, duke e quajtur këtë e vendim si puro politik dhe tentim për kapje të shtetit .
Kuvendi gjithashtu nuk aprovoi raportin vjetor të RTK-së për vitin 2020. Për këtë pikë 62 deputetë votuan kundër, kurse pro dhe abstenime nuk pati.
***
Partitë opozitare po kundërshtojnë shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, duke thënë se ky është një shkarkim politik dhe me qëllim që bordi i ri t’i shërbejë pushtetit.
Në seancën ku është duke u diskutuar rekomandimi i shkarkimit të Bordit të RTK-së, kryetarja e komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica-Xhelili, ka lexuar arsyet e dhëna për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së.
Xhelili: Kanë dështuar të sigurojnë qasje të papenguar dhe të pakontestuar të ZKA-së në auditim
“Anëtarët e bordit drejtues në vazhdimësi kanë dështuar të sigurojnë qasje të papenguar dhe të pakontestuar zyrës së Auditorit të Përgjithshëm në auditimin e rregullsisë dhe performancës. Në bazë të nenit 136, paragrafi 1 të kushtetutës auditori i përgjithshëm është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar përfshirë veprimtarinë ekonomike të institucioneve publike, ndërsa, Ligji për RTK-në e përcakton të njëjtin si institucion publik. Opinioni ligjor i Drejtorisë së përgjithshme për çështje ligjore dhe procedurale i Kuvendit të Kosovës konfirmon se asnjëherë nuk kishte ndonjë dispozitë në kuadër të ligjit për RTK-në që e kontestonte autoritin e ZKA-së. Në bazë të shkresave është evidentuar kontestimi i vazhdueshëm i procesit të auditimit nga menaxhmenti i RTK-së, ndërsa bordi ka dështuar të luaj rolin vendimmarrës dhe mbikëqyrës duke amnistuar këtë situatë të pengimit të personit zyrtar”, tha ajo.
Deputeti i LVV-së Armend Muja, tha se e mbështesin në tërësi propozimin e komisionit për shkarkimin e anëtarëve të bordit të RTK-së.
Muja tha se në vitin 2008 RTK i ka pasur 242 punëtorë, ndërse në vitin 2020 ka përfunduar me 1 mijë punëtorë.
Si arsye për shkarkim, ai tha se bordi i RTK-së ka refuzuar që të auditohet nën arsyetime të ndryshme, e në fund u shpreh se Zyra ligjore e Kuvendit ka dhënë mendim se asnjëherë nuk ka pasur asnjë pengesë që të kryhet auditimi i RTK-së.
Muja: Asnjëherë nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore që të auditohet RTK
“Sa i përket auditimit, çdo institucion në Kosovë përfshirë edhe Gjykata Kushtetuese që është ose mëtohet të jetë institucion i pavarur nuk e refuzon auditimin. Refuzimi i auditimit nga RTK është bërë mbi arsyetime të ndryshme jo po cenohet pavarësia, jo andej jo këndej, nuk është ai arsyetim i mjaftueshëm dhe ne në diskutim gjatë raportimit të Auditorit kemi pranuar evidencë që RTK, menaxhmenti i RTK e ka kontestuar këtë procedurë. Çështja jonë ka qenë pse, pse i ik ti auditimit. Dy, një arsyetim ka qenë që kështu po thotë Ligji i RTK-së, mirëpo Zyra e Kuvendit e ka dhënë vërdiktin, asnjëherë nuk ka pasur asnjë pengesë ligjore që të auditohet RTK”, tha ai.
Nënkryetari i Kuvendit nga PDK, Bedri Hamza, tha se në këtë legjislaturë janë ndërruar detyrat e komisioneve dhe shumica prej tyre tha se janë shndërruar në komisione hetimore dhe se Kuvendi po shndërrohet në gjykatë.
Ai tha se kjo që po bënë pushteti nuk është kapje e shtetit, por sic tha ai, plasje e shtetit.
Hamza: Kjo nuk është kapje e shtetit, kjo është plasje e shtetit
“Kjo nuk është kapje e shtetit, kjo është plasje e shtetit, shkarkoni more me një vendim të gjitha bordet, me një vendim, mos e lodhni Kuvendin, mos i lodhni krejt e keni bërë nijet, një vendim i shkarkojmë të gjithë. Mirëpo, le të mendojnë edhe ata të cilët janë duke i bërë këto veprime që munden me u përballë me përgjegjësi ligjore dhe unë inkurajoj të gjithë ata të cilët janë të ndikuar nga këto vendime që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore. Është keqpërdorim i pozitës zyrtare kur ki tejkalim të kompetencave të cilat t’i ka përshkruar ligji dhe t’i ka dhënë ligji”, tha ai.
Hamza ka inkurajuar të gjithë anëtarët t’i ndjekin rrugët ligjore, pasi tha se nuk mundet me pa emërim individual e shkarkim kolektiv.
Deputeti i LDK-së Agim Veliu, tha se ajo që po shihet gjatë këtyre tre muajve të kësaj qeverie është sulm ndaj fjalës së lirë dhe ndaj të gjithë atyre që nuk kanë mendim si qeveria.
Veliu tha se kjo që po ndodh sot nuk është ndikim në transmetuesin publik, por është kapje klasike i këtij televizioni.
Veliu: Kjo që po ndodh sot nuk është ndikim, është kapje klasike
“Kjo që po ndodh sot nuk është ndikim, është kapje klasike ose thënë ndryshe shtetëzim i transmetuesit publik. Pas kësaj ndërhyrje të pushtetit në transmetuesin publik tani nuk ka mbetur asgjë tjetër veçse edhe emrin me ia ndryshu këtij televizioni, ta zëmë ‘Televizioni i partisë shtet’. Personalisht po edhe LDK distancohet nga kjo ndërhyrje në transmetues dhe nuk do të jemi pjesë e kësaj goditje për fjalën e lirë dhe demokracinë. Ju që keni vendosur ta kapni edhe këtë institucion tash nuk iu ka mbetur tjetër veçse ta dërgoni në RTK një komisar politik për propagandë dhe agjitacion”, tha ai.
Shefi i Grupit Parlamentar të AKK-së, Besnik Tahiri, tha se ky shkarkim është puro politik dhe me qëllim që bordi i ri të jetë nën menaxhimin e qeverisë.
Tahiri: Ky shkarkim për vlerësimin tim është puro politik
“Ky shkarkim për vlerësimin tim është puro politik, është i njëanshëm, nuk ka të bëjë asgjë me vlerësimin e asaj që e kam thënë më herët që lidhet drejtpërdrejtë me vlerësimin e një organi kolektiv siç është bordi, po ka të bëjë me një vendim që buron thjesht edhe shqip me vendos një bord tjetër i cili është në menaxhim të drejtpërdrejtë prej qeverisë”, tha ai.
***
Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj është përplasur me deputetët e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës pasi ajo filloi fjalën e saj në seancë për shkarkimet e bordeve nga qeveria Kurti.
Kadriaj ka ndërprerë fjalën e saj duke iu drejtuar deputetëve të VV-së se nuk i pyet se çfarë duhet të flasë pasi paraprakisht kryesuesja e seancës Saranda Bogujevci iu drejtuar deputetes së AAK-së se janë duke diskutuar për shkarkimin e Bordit të RTK-së.
“A duhet me të vetë ty se çka me folë, çka keni, une të veti ty çka me folë a”, u është drejtuar Kadrijaj deputetëve të VV-së.
Deputetja më pas ka kërkuar nga nënkryetarja Bogujevci që t’i disiplinojë deputetët e partisë së saj.
“Kryesuese a mundesh me mbajt pak rendin dhe disiplinoj këta anëtarët e Byrosë Politike të Vetëvendosjes” është shprehur Kadriaaj.
Pas kësaj Bogujevci ka kërkuar nga deputetja që të ketë kujdes me fjalët.
“Zonja Kadriaaj të lutem keni kujdes me fjalën në fakt u tërheqa vërejtjen të gjithë deputetëve që ishin duke folë”, tha Bogujevci.
Flet edhe Armend Muja: Koha është që televizioni publik të mos i shërbejë vetvetes
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka kritikuar menaxhmentin e RTK-së për refuzim të lejimit të auditimit dhe tejkalim të shpenzimeve.
Gjatë fjalimit të mbajtur në foltoren e Kuvendit të Kosovës, ai u shpreh se refuzimi i RTK-së për auditim është bërë mbi arsyetime të ndryshme, të tilla si ‘jo sepse po cenohet pavarësia e RTK-së, etj.’. Nuk është ky arsyetim. Pse i ik ti auditimit?
Arsyetimi tjetër ka qenë që kështu bëhet ligji i RTK-së, por zyra e Kuvendit ka dhënë verdiktin se asnjëherë s’ka pengesë ligjore që të auditohet RTK-ja.
Muja po ashtu u shpreh se modeli i financimit nuk është adekuat dhe se u refuzuan propozime të financimit që janë të pranueshme.
“RTK-së i duhet edhe qëndrueshmëria e televizioneve të tjera. RTK s’ka strategji, ka tejkalim të shpenzimeve dhe borxhe, ndërsa për këtë si arsyetim është dhënë se ‘valla është formuar televizioni në gjuhën serbe’, ndërsa janë 58 gazetarë dhe nuk janë ë mjaftueshëm për ta shpjeguar dyfishimin e shpenzimeve”.
“Shpenzimet në punëtorë janë 70%. RTK ka përfituar rreth 7 milionë euro gjatë kohës së parapagimit. Janë paratë e taksapaguesve të Kosovës dhe do të auditohen.
“Ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi të përkushtuar që tash e tutje të fillojë edhe evropianizimi i Radio Televizionit të Kosovës sipas parimeve të EBU-së. Koha është që televizioni publik të mos i shërbejë vetvetes por publikut”, deklaroi Muja.
Shkarkimi i bordit të RTK-së, ja si e quan AAK vendimin
Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërin e Kosovës, e ka quajtur puro-politik, rekomandimin për shkarkim të bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
Sipas tij ky vlerësim është i njëanshëm, dhe thjeshtë pohon se bëhet për të vendosur një bord tjetër nën menaxhim të Qeverisë Kurti.
”Në rrethana as nuk ish dashur të vie, as nuk ish dashur të trajtohej në këtë forë”.
”Ky shkarkim për vlerësimin tim është puro politik, është i njëanshëm. Ka të bëjë me një vendim që buron thjeshtë-shqip, për ta vendosur një bord tjetër, i cili është në menaxhim të Qeverisë”.
”Ne si GP i AAK-së, vlerësojmë se ky është rekomandim, që të vetmin synim e ka të krijojë një bord tjetër i cili do t’i shërbejë qeverisë por jo publikut”.
***
Shkarkimi i Bordit të RTK-së, ja çfarë mendon Agim Veliu
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë diskutuar për shkarkimin e bordit të RTK-së.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, kritikoi Qeverinë Kurti, duke thënë se po bëjnë sulme ndaj atyre që nuk mendojnë njëjtë si pushteti.
“Sulm ndaj fjalës të lirë, edhe të atyre që nuk kanë mendim të njëjtë si të Qeverisë. Po sulmohen ekspertet, shërbyesit civil, secili që nuk mendon si ata. Dënimi kolektiv, iu takon regjimeve autoritare që kanë probleme me fjalën e lirë. RTK ka pasur nevojë për auditim dhe të kërkohet llogari nga individët, por jo kolektive”, tha ai.
Tutje, Veliu tha se shkarkimi i Bordit të RTK-së, do të jetë njollë e demokracisë.
“Kjo që po ndodhë sot do të jetë njollë e demokracisë, do të ketë reagime. Shteti po zhytet në autokraci. RTK-së le t’ia ndërrojnë emrin lë të bëhet televizioni i partisë pushtet”, tha ai.
Veliu në emër të LDK-së, tha se distancohen nga goditja e RTK-së.
***
Bedri Hamza nga Grupi Parlamentar i PDK-së, gjatë diskutimit për shkarkimin e Bordit të RTK-së, ka thënë se po ndryshohet puna e komisioneve të Kuvendit.
“Është totalisht e padrejtë dhe e papranueshme me thanë që një institucion sikurse RTK nuk ka pasur auditim. Këtë e demanton edhe deklarata e bordit të RTK në prill të vitit 2021. Nuk jam këtu në emër të PDK ti mbroj shkeljet ligjore të kujtdo qoftë. Mirëpo kjo nuk është kapje e shtetit kjo është plasje e shtetit”, ka thënë Hamza.
Ai ju drejtua ekzekutivit që: “shkarkoni me një vendim të gjitha Bordet, mirëpo le të mendojnë edhe ata që janë duke i bërë këto veprime se mund të përballen me ligjin. Është keqpërdorim i detyrës zyrtare kur ki tejkalim të kompetencave”.
Hamza ka shtuar se nuk mund të ketë emërim individual e shkarkim në tërësi.
Kuvendi nuk miraton Raportin vjetor të RTK-së për vitin 2020
Me 62 vota kundër, Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar raportin vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2020.
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal dhe Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere i kanë rekomanduar Kuvendit që të mos miratohet ky raport.
Diskutimi për këtë raport ka përfunduar në seancën e djeshme por për shkak të mungesës së kuorumit.
***
Ka filluar seanca e Kuvendit të Kosovës, e ku në rend dite është shkarkimi i Bordit të RTK-së.
Kuvendi nuk e miraton raportin vjetor të punës së RTK-së
Ky është rendi i ditës:
9. Shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit funksional për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,
10. Shqyrtimi i kërkesës së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni,
11. Zgjedhja e drejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.
Kuvendi pritet të votojë sot për shkarkimin e Bordit të RTK-së
Kuvendi i Kosovës vazhdon edhe sot punimet. Në seancën e sotme që është vazhdim i të djeshmes pritet të shqyrtohen edhe tri pika të rendit të ditës.
Ndër to, shkarkimi i anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Seanca pritet të fillojë në ora 10:00
Ky është rendi i ditës:
9. Shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit funksional për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës,
10. Shqyrtimi i kërkesës së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni,
11. Zgjedhja e drejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.