Që nga marsi i këtij viti qytetarët në Kosovë kanë filluar të vaksinohen me vaksinat anti-COVID. Nga 15 qershori ka filluar vaksinimi masiv në vend, ndërsa deri dje (e mërkurë) janë vaksinuar mbi 236 mijë qytetarët në nivel vendi.
Pas lirimit të masave anti-COVID nga Qeveria e Kosovës me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKShPK), maskat lejohet të mos mbahen në ambiete të hapura apo kur jeni duke ecur vetëm.
Megjithatë, në rastet kur është një grup më i madh i personave apo kur frekuentohet transporti publik, është e nevojshme mbajtja e maskës.
Media ka dërguar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë, lidhur me kohën se deri kur do të vazhdojë bartja e maskës, dhe se a është e nevojshme të bëhet një gjë e tillë edhe pas vaksinimit.
Nga kjo ministri, thonë se vaksinimi nuk garanton mbrojtje 100 për qind nga infektimi me virus.
“Sa i përket vaksinimit, ai po vijon, ndërsa ka shumë shtete ku përkundër vaksinimit të popullatës masat barten ende, për shkak se as vaksinimi nuk garanton 100% që dikush që është vaksinuar nuk mund të infektohet”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Kujtojmë se edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot u vaksinua me dozën e parë të AstraZeneca.
Ai në një konferencë për media i ftoi qytetarët që të vaksinohen kundër COVID-19, pasi që siç shtoi, ekspertët vlerësojnë që në vjeshtë do të ketë një valë të re të pandemisë.