Avokati Tomë Gashi, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ndaj ish-ministres së Integrimeve Evropiane Dhurata Hoxha.
Ish-ministrja e PDK-së, së bashku me katër ish-zyrtarë në këtë ministri akuzohen për nënshkrimin e një kontrate në shumë prej 168.000 euro për lobim në Paris për ndarjen e Kosovës.
Gashi, përmes një postimi në Facebook, ka kujtuar se si në vitin 2016 ish-ministrja Hoxha akuzonte secilin që thoshte se aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari është vrarë, përcjell Bota sot.
Teksa e ka quajtur “ministre të padrejtësisë”, avokati ka treguar se Hoxha i kishte dërguar kërkesë prokurorit të shtetit Aleksandër Lumezit për të iniciuar hetime penale kundër tij si përfaqësues juridik i familjes Dehari.
Reagimi i Gashit në Facebook:
Tani kush po hetohet e kush po akuzohet?
Ministrja e PDK-së, e cila akuzonte secilin që thoshte se Astrit Dehari është vrarë!
Në vitin 2016 ish-ministrja e Padrejtësisë Dhurata Hoxha i dërgonte kërkesë zyrtare prokurorit të shtetit z. Aleksandër Lumezit për të iniciuar hetime penale kundër meje si përfaqësues juridik i familjes Dehari dhe kundër ekspertëve të pavarur, të cilët e vërtetuan me ekspertizë se Astrit Dehari është vrarë.
Dje, kjo ministre u akuzua nga Prokuroria Speciale e Kosovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sepse kishte nënshkruar kontratë në shumë prej 168.000 euro për lobim për ndarje të Kosovës.