Specialja nuk i dha leje Veselit për varrimin e babait, ja si shkon procedura për lirimin e përkohshëm

Aktuale

Specialja nuk i dha leje Veselit për varrimin e babait, ja si shkon procedura për lirimin e përkohshëm

Më: 8 korrik 2021 Në ora: 19:12
Kadri Veseli

Dje Fazli Veseli, babai i Kadri Veselit, u varros në Mitrovicë. Por ish-kryetari i Kuvendit e PDK-së nuk ishte prezent në lamtumirën e fundit të të atit pasi që po mbahet i paraburgosur në Hagë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. 

E ligjërisht të pandehurve u është njohur e drejta për të kërkuar leje për lirim të përkohshëm.

Dhomat e Specializuara treguan se korniza ligjore u lejon të paraburgosurve të kërkojnë lirimin e përkohshëm me kusht që kërkesa e tyre të ketë bazë humanitare.

“Kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara të Kosovës u lejon personave të ndaluar të bëjnë kërkesa tek paneli kompetent (gjykatës(it)) kur ka arsye bindëse humanitare. Paneli vendosë për kërkesa të tilla. Çdo kërkesë/parashtresë përfshirë kërkesat bërë nga mbrojtja dhe vendimet nga një panel publikohen në webfaqen e DHSK-së”, thuhet në përgjigjen e Speciales.

Ndërkaq, avokati Artan Çerkini thotë se për ditët se sa i lejohet të qëndrojë në Kosovë vendos gjykata specifikisht për çdo rast.

“Një të paraburgosuri i aprovohet kërkesa për lirim të përkohshëm nëse këtë e arsyetojnë arsyet e forta humanitare. Sa i përketë ditëve, Gjykata vendos rast për rastit, nuk është e përcaktuar më rregullore”, tha Çerkini.

Rregullorja e Procedurës dhe e Provave para Dhomave të Specializuara parasheh lirimin e përkohshëm edhe në mungesë të ndonjë kërkesë formale (proprio motu).

“Me kërkesë të një të paraburgosuri, ose proprio motu, paneli mund të urdhërojë lirimin e përkohshëm të të paraburgosurit, kur ky lirim përligjet prej arsyeve humanitare bindëse”, thuhet në Rregulloren e Speciales.

Tutje rregullorja përcakton edhe lirimin me kusht në vendet e treta nëse paraprakisht merret pëlqimi i shtetit.

“I paraburgosuri nuk lirohet në shtetin e tretë pa pëlqimin e atij shteti. Paneli dëgjon mendimin e shtetit të tretë në të cilin i paraburgosuri kërkon të lirohet. Vendimi merret sa më shpejt që të jetë e mundshme dhe jo më vonë se tri (3) ditë pas parashtrimit të fundit”, shkruhet në Rregullore.

Specialja mund të caktojë kushte të cilat i gjykon të përshtatshme kurdo që vendos për lirimin e përkoshëm të një të paraburgosuri me synim për të garantuar praninë e tij.

Kujtojmë që deri më tani të drejtën e lirimit të përkoshëm e ka shfrytëzuar Kadri Veseli gjersa vizitonte babait e tij në Mitrovicë, i cili ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Të pyetur rreth lirimit të përkoshëm të Veselit për varrimin e babait, Specialja nuk dha shumë informacione duke thëne se paneli do të vendosë për kërkesa të tilla.

Image
comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat