Si pasojë e të shtënave me armë pas mesnate në Mitrovicë – një person ka vdekur e një tjetër ka mbetur i plagosur.
D.S nuk arriti t’ju mbijetojë plagëve të marra teksa ndërroi jetë në Spitalin e Mitrovicës.
Rastin për gazetën e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/July/10/auto_214810886_1833910683456812_83595265488378682_n1625904144.jpg)
“Me datën 10 korrik 2021, në ora 00:20, policia në Mitrovicën e Jugut, ka pranuar informatën për të shtëna me arme zjarri në rrugën Evlia Qelebia. Me të pranuar informatën, në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Nga informatat e para nga vendi i ngjarjes është kuptuar se si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dy persona ishin plagosur të cilët me urgjencë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, më pas janë dërguar në QKUK- Prishtinë”, kanë thënë nga Policia.
“Ndërsa rreth orës 02:00, nga autoritetet spitalore është raportuar se njëri nga të plagosurit, viktima D. S., 49 vjeçar, si pasojë e plagëve ka vdekur, ndërsa i plagosuri tjetër viktima J. S., 52 vjeçar, mbetet në tretman të mëtejmë mjekësor. Pas ekzaminimeve të kryera në vendin e ngjarjes, hetuesit e krim-teknikës si prova materiale kanë gjetur katër (4) gëzhoja dhe një predhë të plumbit si dëshmi materiale që ndërlidhen me rastin”.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/July/10/auto_213209359_1833944130120134_6869603476287102920_n1625908709.jpg)
Nga hetimet e deritashme, Policia ka vënë në shënjestër dy të dyshuar të cilët janë në kërkim policor, dhe identiteti i të cilëve është i njohur për Policinë.
“Nga hetimet e deritanishme dhe dyshimet e ngritura, dy persona të dyshuar janë në kërkim policor identiteti i të cilëve tashmë është i njohur për policinë. Rrjedha hetimore është duke vazhduar në drejtim të arrestimit të personave të dyshuar si dhe zbardhjes së të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje e rëndë. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML”, tha Zahiti.