Ish-kryetari i Kuvendit dhe njëherësh ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, arriti sot në Kosovë, tri ditë pas varrimit të babait.
Pasditen e së shtunës, Kadri Veseli arriti në Mitrovicë nën përcjellje të eskortës së EULEX-it, ku fillimisht vizitoi varrin e babait të ndjerë.
Më pastaj, në atë përcjellje, Veseli është drejtuar për tek shtëpia e tij në Bajr të Mitrovicës dhe e gjithë kjo vizitë përfundoi në vetëm dy orë.
Veseli nuk arriti që të jetë i pranishëm në varrimin e babait, Fazli Veseli, por nuk u lejua të qëndrojë jashtë tendës së vendosur ku po mbahej e pamja për babanë e tij.
Ai për këtë periudhë të shkurtër qëndroi bashkë me familjen e ngushtë, gjithmonë duke pasur rreth shtëpisë EULEX-in në përcjellje dhe pas dy orësh veturat u panë duke u larguar nga shtëpia e tij.
Nuk ka ndonjë informacion nëse ai është kthyer menjëherë në Hagë, por qytetarët e kanë parë duke u larguar pas vizitës së shkurtër që ia bëri familjes.
Ardhja e Kadri Veselit në Kosovë me rastin e vdekjes së babait të tij u bë me leje të Gjykatës Speciale dhe vizita vjen pas asaj që kishte në muajin maj, kur babain e kishte të shtrirë në spital.