Kosova mbetet shumë mbrapa me vendime adekuate të zgjidhjes së problemeve të shumta për komunitetet rom, ashkali, egjiptian, të cilët ende ballafaqohen me sfida, probleme dhe diskriminime të shumta.
Kështu u tha diskutimin me aktivistë nga shoqëria civile, në dy vjetorin e vrasjes së Kujtim Veselit, ku u shtjelluan pikëpamjet e tyre për diskriminimin dhe racizmin në Kosovë, ku edhe u akuzuan institucionet për dështimet në mbrojtjen e individëve që vazhdojnë të rrezikohen çdo ditë në forma të ndryshme nga racizmi.
Gazmend Qyqalla, aktivist nga grupi Drejtësi për Kujtimin, tha se nuk mjafton vetëm komunitetet të merren me diskriminimin, por duhet të pranohen dhe të ballafaqohet edhe popullata shumicë
Qyqalla: Një person i komunitetit që nga lindja e deri në vdekje ballafaqohet me diskriminim
“Një person i komunitetit rom, ashkali, egjiptian prej momentit që të lind e deri në momentin që vdes ai ballafaqohet me çështjen e diskriminimit. Fillimisht ai nëse jeton në një lagje shqiptare ka me pas problem të rritet, pastaj në klasë, në shkollë fillore, të mesme dhe fakultet dhe shoqëri dhe në përgjithësi has në sfera të ndryshme të diskriminimit. Andaj këto çështje e sjellin komunitetit këtu ku është, të larguar prej shumicës dhe të varfër“, tha ai.
Shpresa Agushi nga rrjeti i organizatave të grave rome, ashkalike dhe egjiptase në Kosovë, tha se duhet të ngitet i gjithë shoqëri për thyerjen e ligjit nga institucionet në rastin e Kujtim Veselit.
Agushi: Minoritetet ende me sfida, probleme dhe diskriminime të shumta
“Ndaj Kujtimit, çështja nuk është kryer në mënyrë adekuate, domethënë është shumë diskriminuese që një prokuror të dënohet vetëm me 30 përqind të pagës për gjashtë muaj, në fakt ai ish dashtë të largohet nga puna për moskryerjen e punës sepse ai ka dhënë një premtim që do t’i respektojë të gjitha të drejtat...edhe pse ne si shoqëri civile, avokojmë, debatojmë dhe shpesh kërkojmë përgjegjësi prej tyre, në shumë raste, Kosova mbetet shumë mbrapa në vendimin adekuat të zgjidhjes së problemeve të shumta dhe minoritetet ende po mbeten me sfida, probleme dhe diskriminime të shumta“, tha ajo.
Muhamet Arifi nga Balkan Sunfloëers Kosova, tha se të gjithë e dinë çka është racizmi pas iu ka ndodhur në vitet 80 e 90.
Arifi: Disa shqiptarë po e shprehin racizmin te minoritetet
“Po më duket që shqiptarët të cilët kanë pas elemente rasore nga dikush tjetër, tash po e shprehin te dikush tjetër që është më i pafuqishëm, që është shumë e keqe“, tha ai.
Përndryshe, u dha një historik i vraskes së të miturit Kujtim Veselit, ku u tha se në fund të janarit 2019, nëna e Kujtim Veselit, Makfire Ilazi kishte folur me babain e vrasësit të Kujtimit, duke i treguar se djali i saj po abuzohej seksualisht nga Sefedin Osmani. Aty u theksua se babai i vrasësit e kishte raportuar rastin në Polici, por këta të fundit kanë neglizhuar rastin.
Kujtim Veseli e kishte konfirmuar se abuzohej seksualisht dhe i jepte substanca narkotike dhe më 11 korrik, gjendet i vrarë në një kompleks banesor në Fushë Kosovë. Kurse, në tetor 2020, Sefedin Osmani dënohet me 25 vjet burg për dy vepra penale, dhunimin e personit nën moshë dhe vrasjen e tij.
Megjithatë, sipas shoqërisë civile të komuniteteve kishte neglizhencë nga policia dhe prokurori i rastit.