Ish-gjyqtari tregon detaje: EULEX-it i kërkohej t’i largonte nga skena politike disa “peshqi të mëdhenj”

Aktuale

Ish-gjyqtari tregon detaje: EULEX-it i kërkohej t’i largonte nga skena politike disa “peshqi të mëdhenj”

Nga: Bota sot Më: 12 korrik 2021 Në ora: 08:10

(E plotësuar 12:59) - ​Ish-gjyqtari i EULEX-it: Specialja u bë për t’i dënuar ish-komandantët e UÇK-së

Ish-kryetari i asamblesë së gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons ka thënë se nuk i beson Gjykatës Speciale.

Ai tha sot para deputetëve të Kosovës se niveli i tij i besimit në Dhomat e Specializuara është i barabartë me besimin që ai e ka në gjyqësorin e Rusisë apo Iranit.

“Në Gjykatën Speciale kam po aq besim sa do të kisha pasur në një gjykatë në Rusi apo në Iran. Ky është niveli i besimit që unë e kam në Dhomat e Specilizuara të Kosovës”, tha Simmons.

Ai shtoi se ka vërejtje edhe në komunitetin ndërkombëtar karshi Gjykatës Speciale.

“Ka shqetësime të mëdha në nivel të komunitetit ndërkombëtar në lidhje me nivelin e kompetencave të Gjykatës dhe në lidhje se si po administrohet drejtësia”, tha Simmons.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të reagojë pasi tha se Gjykata Speciale “është aty vetëm për t’i ndëshkuar ish-komandantët e UÇK-së”.

Ai theksoi se në misionin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë punojnë shumë zyrtarë që mendojnë vetëm se si t’i mbushin xhepat me para.

“Në EULEX ka persona të ndershëm dhe të hapur që e bëjnë punën e tyre dhe që kanë ardhur në Kosovë me qëllimin për të bërë mirë. Mirëpo fatkeqësisht ka shumë zyrtarë atje që dëshirojnë t’i mbushin xhepat. Ata e shohin këtë si mundësi për të bërë para dhe s’kanë interes për Kosovën dhe qytetarët e Kosovës”, tha Simmons.

Simmons: Shefi i EULEX-it kërkoi eliminimin politik të Ivanoviqit

EULEX-it është cytur që t’i largojë nga skena politika disa persona që cilësoheshin si “peshqi të mëdhenj”, thotë ish-kryegjykatësi i këtij misioni, Malcolm Simmons. Ai përmendi rastin e politikanit tashmë të ndjerë serb, Oliver Ivanoviq.

Simmons tha se donin ta eliminonin politikisht politikanin serb që atë kohë dilte hapur kundër pushtetit në Serbi dhe vartësve të tyre në Kosovë.

“Shefi i misionit më shtyu që ta çojë përpara rastin e Oliver Ivanoviqit. Ma tha qartë se nuk donte që Ivanoviq të merrte pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale në Kosovë”, tha ai.

Para deputetëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, Simmons tha se për të dënuar politikanë të rangut të lartë, bëhej presion nga ndërkombëtarët dhe jepeshin decidivisht kërkesa specifike.

“Më kanë thënë se misioni ka synuar të largojë nga jeta politike persona që quheshin peshqi të mëdhenj. Më thanë se presin të shohin gjykatësit e EULEX-it t’i dënojnë ata”, tha Simmons.

Simmons: EULEX-i bëri pak për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë

Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons ka thënë se është bërë shumë pak për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë, ani pse në vitin 2014 ka zbuluar dokumente, ku përfshihen informata për të dyshuarit serbë dhe të gjitha të dhënat personale të viktimave kosovare.

Duke raportuar para Komisionit për Legjislacion, Simmons tha se qëllimi kryesor i punës së EULEX ndër vite në Kosovë ka qenë dënimet dhe jo procesi gjykues i drejtë.

“Këto krime janë bërë në Kosovë kundër banorëve të Kosovës nga njerëz me prejardhje etnike serbe, të cilët shumë prej tyren nuk janë qytetarë të Kosovës.

Kur kam diskutuar këtë çështje me EULEX ata kanë thënë që autoritet serbe nuk i kanë resurset dhe vullnetit për t’i hulumtojnë këto krime”, tha ai.

***

Ish-kryetari i asamblesë së gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons ka thënë se ka pasur ndikime politika në rastin “Kleçka” ku ish-komandanti i UÇK-sëm Fatmir Limaj dhe nëntë ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së u akuzuan për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës.

Ai ka cituar gjykatësin Charles Smith, që siç thotë Simmons, kishte thënë se duhet dënuar të akuzuarit.

“Shtetet anëtare të EULEX-it presin dënime”, e citoi Simmons gjykatësin Charles Smith.

Simmons tha se gjykatësi i këtij rasti e kishte emëruar veten si gjykatës të Apelit.

Simmons tha se ishte kërcënuar nga gjykatësi britanik, i cili sipas tij kishte kërkuar që të kishte dënime në këtë rast.

“Në katër raste të ndara, ka pasur pretendime se Charles Smith ka provuar të ndërhyjë në gjykime. Mund t’ju ofrojë dokumente për të gjitha katër rastet. Dhe nuk ishte vetëm gjyqtari Smith që donte të ndërhynte”, tha Simmons.

Ai tha se çdo aktgjykim që i shpallte të pafajshëm ish-pjesëtarët e UÇK-së shihej si dështim.

“Shfajësimi shihej si dështim”, theksoi Simmons.

Ai tha se në këtë rast kishte dëshmi të dobëta dhe hetimi në të ka kushtuar miliona euro.

“Kleçka ka qenë një rast që asnjëherë s’është dashur të shkojë në gjykim”, tha Simmons.

Në verën e 2012-ës, Fatmir Limaj dhe nëntë pjesëtarë të tjerë të UÇK-së u akuzuan për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, që siç supozohej të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999, deri në mesin e qershorit të atij viti, në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-ja, e që ndodhej në fshatin, Kleçkë.

E më 17 shtator 2013, procesi u shpall i përmbyllur me pafajësinë e të akuzuarve. Ishte hera e dytë që Fatmir Limaj u shpall i pafajshëm nën akuzat për krime lufte. Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant “Çeliku”, i cili në shkurt të vitit 2003, qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë, gjatë luftës së vitit 1998.

Ish-kryegjykatësi i EULEX-it tregon se çfarë përmbanin dokumentet që iu dhanë prokurorëve serbë

Malcolm Simmons, ish-kryegjykatës i misionit evropian në Kosovë, EULEX, tha sot në Komisionin për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion se ky mision u ka dhënë dokumente prokurorëve serbë lidhur me rastet e krimeve të luftës.

Simmons tha para deputetëve se aty përfshiheshin edhe informata specifike edhe për dëshmitarët e atyre krimeve me prejardhje shqiptare.

“Në 2014 kam zbuluar shume dokumente të krimeve të luftës të cilat u janë dhënë prokurorëve serbë. Këto akuza për krime të supozuara të kryera nga persona të etnisë serbe gjatë luftës. Këto dokumente përfshinin informata për këta persona, por edhe të dhënat personale dhe detaje të dëshmitarëve me prejardhje shqiptare. Këto krime janë bërë në Kosovë kundrejt banorëve të Kosovës nga serbë, shumë prej të cilëve ishin edhe qytetarë të Kosovës”, tha Simmons.

Ai tha se rastet e krimeve të kryera nga serbët në Kosovë BE-ja ka dashur që të mos hetohen fare pavarësisht se çfarë prova kanë.

“Autoritetet serbe në 10 vjet e kanë dënuar vetëm një person, në një mision që ka kushtuar me miliona miliona euro”, tha Simmons.

Simmons tha se Gjykata Speciale është mekanizëm që Bashkimi Evropian e përdori si zgjidhje në dialogun Kosovë-Serbi.

“Pse të mos ketë edhe serbë të akuzuar para Dhomave të Specializuara? Pse BE-ja mendoi se zgjidhja ishte që autoritetet serbe të merren vetë me rastet e krimeve të luftës. E kanë ditur se ata as nuk kanë kapacitete dhe as vullnet që ta bëjnë këtë”, tha Simmons.

Ai tregoi se ndërkombëtarët nuk kishin besim në gjykatat e Kosovës. duke theksuar se “Gjykata Speciale ishte mekanizmi që BE-ja e përdori me Serbinë në dialogun Kosovë-Serbi”.

***

Ish-kryetari i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons tha se ky mision ka pasur objektiva politike në Kosovë.

Para deputetëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, Simmons tha se kishte direktiva që gjykatësit e këtij misioni t’i largonin nga skena politike disa politikanë që konsideroheshin si “peshqi të mëdhenj”, duke i dënuar.

“Më kanë thënë se misioni ka synuar të largojë nga jeta politike persona që quheshin peshqi të mëdhenj. Më thanë se presin të shohin gjykatësit e EULEX-it t’i dënojnë ata”, tha Simmons.

Ai u tha deputetëve se mund t’u ofrojë detaje për secilin rast ku ka pasur ndërhyrje me karakter politik. Ai tha se këtë do ta bëjë në rast se deputetët vendosin ta hapin një hetim të plotë për këtë.

“Nëse ju vendosni të hapni një hetim të plotë, unë dua t’ju ofroj detaje të plota të rasteve kur ka pasur ndërhyrje në hetime”, tha Simmons.

Ish-kryegjykatësi i EULEX-it tha se kishte ndërhyrje edhe në email-et e tij.

Simmons për skandalet e korrupsionit: EULEX-i dhe BE-ja më janë kundërpërgjigjur me sulme personale

Malcolm Simmons, ish-kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, ka thënë që që EULEX-i dhe BE-ja i janë përgjigjur atij me sulme personale ndaj pretendimeve të tij lidhur me skandalet për korrupsion.

“EULEX-i dhe BE-ja asnjëherë nuk i kanë mohuar akuzat që i kam bërë për korrupsion ndaj tyre, por më janë kundërpërgjigjur duke bërë sulme personale ndaj meje”, ka thënë ai.

Ai përmes një video-lidhjeje është duke raportuar para deputetëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit lidhur me pretendimet për skandalet e EULEX-it në Kosovë, përfshirë ndërhyrjet politike, manipulimin e provave dhe ndikimet tek dëshmitarët.

Malcolm Simmons, ish-kryetar i gjykatësve në EULEX pati dhënë dorëheqje nga ky institucion, duke akuzuar këtë mision dhe BE-në për korrupsion.

Simmons pati deklaruar se EULEX-i dëshironte ta rrëzonte një pjesë të klasës politike së Kosovës.

Malcom Simmons raporton para deputetëve për skandalet e EULEX-it

Ka nisur raportimi i ish-kryetarit të asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons para deputetëve.

Simmons përmes një video-lidhje do të raportojë për skandalet e EULEX-it në Kosovës, përfshirë ndërhyrjet politike, manipulimin e provave dhe ndikimet tek dëshmitarët.

Raportimi i Simmons po bëhet para deputetëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion.

Se do të raportojë para deputetëve më 12 korrik, e kishte konfirmuar vetë Simmons.

“Unë pres që ta jap dëshminë time në Parlamentin e Kosovës më 12 korrik. Kam besim se pasi të dëshmojë, Parlamenti të vendosë që të nis një hetim të plotë publik”, ka thënë Simmons.

Në anën tjetër, avokati i Simmonsit, Artan Qerkini tregon për formatin e raportimit dhe pretendimet e ish gjyqtarit britanik.

“Pas kërkesës së ardhur nga Kuvendi që Simmons të raportoj më 12 korrik, kam kontaktuar me të, dhe ai e konfirmuar që do të raportojë nëpërmjet video-lidhjes. Arsyeja pse Z.Simmons nuk ka mundur të vie fizikisht në Kosovë, është përhapja e variantit Delta të Koronavirusit, dhe në rast se vjen do t’i duhej të qëndronte 2 javë në karantinë”, u shpreh Qerkini.

Malcolm Simmons është një ndër sinjalizuesit që raportoi për shkeljet e rënda politike dhe orkestrimin e proceseve gjyqësore në misionin e EULEX-it në proceset ndaj pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

***

Ka nisur raportimi i ish-kryetarit të asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons, para deputetëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion

Ai po raporton përmes një video-lidhje do të raportoj për skandalet e EULEX-it në Kosovës, përfshirë ndërhyrjet politike, manipulimin e provave dhe ndikimet tek dëshmitarët.

***

Ish-kryetari i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons do të raportoj sot në Kuvendin e Kosovës.

Simmons përmes një video-lidhje do të raportoj për skandalet e EULEX-it në Kosovës, përfshirë ndërhyrjet politike, manipulimin e provave dhe ndikimet tek dëshmitarët.

Raportimi i Simmons do të bëhet para deputetëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion.

Raportimi do të bëhet në ora 10:00. Kështu bëhet e ditur në faqen zyrtare të Kuvendit t të Kosovës. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat