Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, sot raportoi në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës, ku adresoi një varg akuzash ndaj punës ndër vite të EULEX-it në Kosovë.
Ai u shpreh se EULEX-i ka synuar të largojë nga jeta politike personat që iu referohej si “peshqit e mëdhenj”, teksa paraqiti raste, ku sipas tij, qëllimi ishte vetëm dënimi dhe jo vendosja e drejtësisë.
Ndërkaq, avokati i Sabit Gecit në rastin “Drenica 1”, Haxhi Millaku, deklaroi se ka qenë një strategji e ndjekjes së njerëzve që kanë dhënë më së shumti për vendin, bërthama të UÇK-së, njerëz të shtabit, njerëz me kredibilitet, sepse strukturat e UNMIK-ut dhe të EULEX-it janë frikësuar që të ballafaqohen me ta, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë kombëtar, e sidomos në aspektin ndërkombëtar, dhe se kishin qëllim degradimin e luftës çlirimtare të Kosovës.
“Te rasti “Drenica 1” ku e kam mbrojtur Sabit Gecin, për 3 pika të akuzës ishte liruar i pafajshëm, por tendencat kanë qenë gjithmonë, edhe përkundër faktit se i mbrojturi im ishte liruar nga aktakuza”.
“Drejtësia nuk është mision, është çështje e shenjtë. Misionet e UNMIK-ut e të EULEX-it kanë qenë mikse – me interesa të shërbimeve të ndryshme”.
“Ekipet e gjyqtarëve të EULEX-it kanë qenë nga shtetet e ndryshme dhe me vete kanë pasur politika të tyre rreth drejtësisë. Kanë pasur mbështetje të politikave nga vendet nga kanë ardhur”, tha Millaku.
Ai po ashtu e tregoi edhe një rast kur njëri nga gjyqtarët e Mbretërisë së Bashkuar e kishte lënë misionin.
“Ka qenë njëri që e ka shkëputur mandatin e tij kur i ka vërejtur tendencat e gjyqtarëve me shtetësi polake dhe të kampit lindor. Kur mbroja Sabit Gecin më 2002 ai më tha: ‘Unë kam hequr dorë dhe nga sot fluturoj për në Mbretëri të Bashkuar sepse unë i jap përgjegjësi kurorës sime mbretërore dhe shtetit tim. Nuk dua të jem vegël e strukturave organizative dhe strategjive për ndjekje’, që atë kohë i bënte UNMIK-u dhe i njëjti avaz pastaj ka vazhduar edhe me EULEX-in, me ndikime të grupeve të caktuara të interesave të shteteve të caktuara”.
“Pra, ka pasur tendenca të politikave të caktuara ndaj strukturave organizative dhe luftëtarëve të UÇK-së. Ai më tha ‘Zoti të ndihmoftë ty me drejtësinë e Kosovës dhe Kosovën’”.
Tutje, Millaku tha se kreator i strategjisë së ndjekjes së ushtarëve të UÇK-së ka qenë prokurori Salustro, duke shtuar se ai vazhdon të punojë në Beograd me pjesëtarë të ekipeve të ndryshme të kampit lindor.