Kurti dhe Vuçiq takohen më 19 korrik në Bruksel

Aktuale

Kurti dhe Vuçiq takohen më 19 korrik në Bruksel

Më: 13 korrik 2021 Në ora: 12:49
Pamje të takimit të parë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel

Takimi i ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të mbahet të hënën më 19 korrik, në Bruksel, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Ai ka konfirmuar se ata do të vazhdojnë bisedimet në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

"Ky takim i nivelit të lartë të dialogut, do të fokusohet në diskutimin për progresin e arritur – për hapat e ardhshëm në dialog, i cili është shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë", ka thënë Stano.

Ky është takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel.

Për herë të parë, dy zyrtarët janë takuar më 15 qershor dhe gjatë takimit kanë prezantuar pozicionet e tyre të kundërta.

Në fund palët kanë thënë se nuk janë pajtuar për asgjë, mirëpo kanë shprehur gatishmëri për vazhdim të dialogut.

Javën e kaluar në Bruksel janë takuar zëvëndëskryeministri i Kosovës për dialog, Besnik Bislimi me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

As në këtë takim nuk është arritur ndonjë përparim./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat