Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka deklaruar se qytetarët që furnizohen nga kjo kompani nuk kanë nevojë të shqetësohen pasi gjendja e ujit është në rregull. Ky reagim i KRU “Gjakova” erdhi pas dyshimeve se qindra qyterarë janë helmuar nëpërmjet ujit të pijes në Deçan.
Në komunikatë KRU “Gjakova” shkruan se këtë njoftim po e bëjnë pas dyshimeve për kontaminim të ujit të pijes në Komunën e Deçanit.
Njoftimi i plotë:
Pas dyshimeve për kontaminim të Ujit të Pijes në komunën e Deçanit, ku burimi i ujit që furnizon këtë pjesë është nën menaxhimin e ujësjellësit – KRU ”Hidrodrini” dhe nuk ka të bëjë aspak me zonën furnizuese të KRU”GJAKOVA”, janë shfaqur dyshime dhe shqetësime të pabazuara edhe tek banorët e komunës së Gjakovës.
E kemi obligim moral që të sqarojmë konsumatorët të cilët furnizohen nga rrjeti i ujësjellësit të KRU”GJAKOVA”, duke i informuar që nuk ka vend për shqetësime, sepse trajtimi i Ujit për Pije që furnizon konsumatorët e KRU ”GJAKOVA”, bëhet sipas proceseve teknologjike për trajtim, në Impiantin e Trajtimit të Ujit për Pije gjegjësisht në Stacionin e Filtrimit.
Proceseve të cilave iu nënshtrohet uji i cili synohet të përdoret për konsum njerëzor është shumë i sigurt dhe nuk ka vend për shqetësime, përveç tjerash cilësia monitorohet gjatë 24 orëve, duke iu nënshtruar testeve mikrobiologjike dhe fiziko-kimike nga Laboratorët e akreditur ,nga të cilat rezultate Uji është shumë cilësor dhe në përputhje me vlerat parametrike bazuar në Standardet Cilësore të U.A 16/2012 dhe ato evropiane.
Edhe njëherë sigurojmë konsumatorët e KRU “Gjakova” se uji është sigurt për konsum dhe nuk ka vend për shqetësim.