Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar për situatën e ndodhur tash e dy ditë në Deçan, helmimi i qindra qytetarëve nga uji i pijes.
Ai ka kritikuar qeverinë qendrore e cila me vonesë po i trajton çështjet, por gjithashtu ka ftuar institucionet përgjegjëse që ta hetojnë rastin dhe të dalin me konkluzione sqaruese sa më shpejt.
Postimi në facebook:
Jam i shqetësuar me gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalojnë qytetarët e Deçanit.
Helmimi i qytetarëve të kësaj komune nuk është vetëm çështje e shëndetit publik, por edhe çështje e sigurisë nacionale dhe kërkon mobilizim të gjithëmbarshëm të të gjitha niveleve të qeverisjes.
Jam i brengosur edhe për neglizhencën e Qeverisë qendrore, e cila me shumë vonesë po e trajton situatën, në kohën kur duhet të jetë plotësisht pranë qytetarëve të kësaj komune.
Duhet të ndërmerren masa të shpejta për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të dëmtuar, mes tjerash duke siguruar medikamente, staf shëndetësor shtesë, si dhe ujë të pijes të sigurt.
Po ashtu, duhet ofruar gjithë ndihmën e nevojshme institucioneve lokale dhe siguri për të gjithë qytetarët e Deçanit, duke mos lënë hapësirë për panik.
Ftoj institucionet përgjegjëse që ta hetojnë rastin dhe të dalin me konkluzione sqaruese sa më shpejt!