Raportimi i ish-kryetarit të Asamblesë së Gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons në Komisionin për Legjislacion lidhur me punën ndër vite të EULEX-it në Kosovë, la shumë paqartësi pas vetës.
Është e vërtetë se rezultatet e punës së këtij misioni ishin të mangëta, mirëpo ajo që na bën të dyshojmë në deklaratat e z. Simmons është koha kur po raportohen parregullsitë. Kjo pasi të jesh kryetar i Asamblesë së Gjykatësve të EULEX-it e të heshtësh për gjithë ato keqpërdorime të zyrtarëve, me procese të porositura e me prapavijë politike është shumë absurde.
Si nuk i ra ndërmend z. Simonns si kryetar Gjykate që t`i denonconte keqpërdorimet atëherë, por pikërisht tani kur Gjykata Speciale në Hagë është duke e kryer punën e saj. Si mundi ai të qëndronte aq komod në kolltukun e tij kur para syve të persekutoheshin njerëz për qëllime politike.
Puna e Gjykatës Speciale nuk duhet të kontestohet, pasi e njëjta është e vetmja shpresë për familjarët e të vrarëve për motive politike, të cilëve drejtësia vendore ua mohoi për vite me radhë të drejtën për të ditur se kush ua vrau më të dashurit. Pikërisht kjo është arsyeja se përse deklaratat e z. Simmons janë mjaft të dyshimta. Mbase ato edhe mund t`i ketë porositur dikush që nuk e do zbardhjen e së vërtetës nga Gjykata Speciale. Pra gjithçka mbetet në pikëpyetje kur kemi për bazë fakti se z. Simmons ka bërë një deklaratë të vonshme i zhveshur nga petku i Kryetarit të Asamblesë së Gjykatësve të EULEX-it.
Nëse EULEX-i dhe drejtësia vendore dështuan t`i zbardhin vrasjet politike, Gjykata Speciale nuk do të dështojë. Kjo pasi hetimi i vrasjeve të kundërshtarëve politikë hyn në mandatin e saj.
Pra, askush nuk do të duhej të dyshonte në punën e një gjykate që u ngrit si pasojë e dështimit të drejtësisë vendore.
Drejtësia gjithsesi duhet ta thotë fjalën e saj, sado e rëndë dhe e papranueshme të jetë kjo për dikë.