Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka reaguar lidhur me helmimin e 1 mijë e 500 qytetarëve në Komunën e Deçanit. Shkaku i helmimit dyshohet se është uji i pijshëm.
Selmanaj përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se urgjentisht duhet të thirret mbledhje e jashtëzakonshme për gjendjen e rëndë në Komunën e Deçanit.
Ai mes tjerash, propozon që urgjentisht gjithashtu duhet të ndahen mjete financiare për mbulimin e shpenzimeve për trajtimin shëndetësorë për të gjithë të prekurit.
Ja shkrimi i tij:
Thirrje për Qeverinë e Kosovës.
• Të thirret urgjent mbledhje e jashtëzakonshme e qeverisë për gjendjen e rëndë në Komunën e Deçanit;
• Të ndahen mjete financiare për mbulimin e shpenzimeve për trajtimin shëndetësorë për të gjithë të prekurit;
• Të sigurohen barnat e nevojshme për trajtimin e të sëmurve;
• Të dërgohen profesionistë shtesë shëndetësorë për t’ju dal në ndihmë Qendrave të Mjekësisë Familjare në Komunën e Deçanit;
• Të merren dhe dërgohen mostrat e analizave në vendet e zhvilluara për të nxjerrë sa më parë përfundimet e shkaqeve që quan në helmimin kaq masiv të qytetarëve të kësaj komune.
Vetëm bashkë mund t’ia dalim çdo sfide!