Drejtori i AKI-së në komision thotë se banorët e Deçanit nuk duhet të shqetësohen për sigurinë kombëtare

Aktuale

Drejtori i AKI-së në komision thotë se banorët e Deçanit nuk duhet të shqetësohen për sigurinë kombëtare

Më: 15 korrik 2021 Në ora: 07:53
Drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti

(E plotësuar 10:36) - Ka përfunduar mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë para të cilit raportoi drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.

Pas mbledhjes së zgjati gati një orë, kryetarja ë komisionit, Ganimete Musliu tha se nga drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti u është bërë e ditur se nuk ka vend për shqetësim sa i përket sigurisë nacionale.

"Sa i përket pyetjeve tona drejtuar drejtorit të AKI-së ishim të fokusuar në sigurinë nacionale. Mund të them me bindje të plotë, për atë që tha drejtori, se qytetarët në Deçan nuk duhet të kenë panik sa i përket anës së sigurisë kombëtare dhe përgjegjësive që ka AKI-ja. AKI është në krye të detyrës me kapacitete të plota në Deçan, po vëzhgon çdo lëvizje atje, dhe tani për tani janë këto gjërat që mund të themi pasi nuk janë të dhëna përfundimtare por preliminare", tha ajo.

Ajo theksoi se u mbetet institucioneve shëndetësore që të dalin më analiza të vërtetuara laboratorike në mënyrë që të dihet saktë se çfarë është duke ndodhur vërtet në Deçan.

"Tani ne nuk mund ta quajmë as helmim, sepse nuk kemi analiza të vërtetuara se çfarë në të vërtet është duke ndodhur atje, këto përfundime i nxjerrin institutet shëndetësore, që ta dimë a është helmim, epidemi apo ndonjë problem tjetër që mund të jetë", tha ajo.

​Fillon raportimi i drejtorit të AKI-së për helmimin e banorëve të Deçanit

Ka filluar mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) ku po raporton Drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.

Ai para deputetëve të këtij komisioni po raporton lidhur me gjendjen e krijuar nga helmimi në Komunën e Deçanit.

Si zakonisht, takimi është i mbyllur për media, ndërkohë që pritet që në fund kryetarja e këtij komisioni, Ganimete Musliu të mbajë një konferencë për media.

Ajo tha se janë mbledhur për të hequr çdo dyshim lidhur me helmimin apo infektimin e qytetarëve të Deçanit, për çka nuk ka ende një rezultat se çka e ka shkaktuar gjendjen me të cilën po përballet kjo komunë.

Nga dita e shtunë qindra qytetarë të Komunës së Deçanit dyshohet se u helmuan nga uji i pijshëm. Për gjithë situatën që u shkaktua në këtë zonë, tashmë kanë filluar edhe hetimet, dhe po bëhen analiza për të zbuluar arsyen se si ndodhi e gjitha. 

***

Drejtori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Petrit Ajeti, do të raportojë sot para Komisionit të Kuvendit për Mbikqyrjen e AKI-së.

Ajeti do të raportojë në lidhje me rastin e Deçanit.

“09:00 Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë raporton Drejtori i AKI-së lidhur me gjendjen e krijuar nga helmimi në Komunën e Deçanit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303)”.

Gjatë ditëve të kaluar komuna e Deçanit është përballur me një gjendje të jashtëzakonshme ditët e fundit, ku mbi 1 mijë persona kanë kërkuar ndihmë në Qendrat e Mjekësisë pasi dyshohet se janë helmuar.

Si rezultat i kësaj është shpallur edhe gjendje emergjente në këtë komunë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat