“Është sakatu, gabim i madh”, përplasje të forta pozitë-opozitë në Kuvend

Aktuale

“Është sakatu, gabim i madh”, përplasje të forta pozitë-opozitë në Kuvend

Më: 16 korrik 2021 Në ora: 06:24

(E plotësuar 19:10) Miratohet në parim projektligji për Gjykatën Komerciale

Pasditen e së premtes, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim projektligjin për Gjykatën Komerciale. Me 66 vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime është miratuar ky projektligj për krijimin e kësaj gjykate.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci ka bërë të ditur se më pas komisioni funksional dhe komisionet e përhershme do t’i paraqesin Kuvendit të Kosovës raportin me rekomandime.

Bogujevci: Miratohet projektligji për Gjykatën Komerciale

“Konstatoj se me 66 vota për, asnjë kundër, pesë abstenime, kuvendi miraton në parim projektligjin numër 08/L-015 për Gjykatën Komerciale. Kërkohet nga komisioni funksional dhe komisionet e përhershme që në afatin e paraparë me rregulloren e kuvendit ta shqyrtojnë projektligjin dhe kuvendit t’ia paraqesin raportin me rekomandime”, ka njoftuar Bogujevci.

Më tej, ajo ka bërë të ditur se kjo seancë do të vazhdojë të hënën në orën 10:00.

Miratohet shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021

Me 68 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në parim shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca njoftoi se ky projektligj është miratuar në parim.

“Me 68 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, miratohet në parim Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021”, ka thënë Konjufca.

Seanca e Kuvendit po vazhdon.

Tahiri: Buxheti për GJK dhe KP është “sakatu”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kritikuar buxhetin që është paraparë për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës. Ai tha se ky buxhet jo që është shkurtuar, por tha se është “sakatuar”.

Tahiri tha se nuk mund të ketë luftim të krimit dhe korrupsionit pa pasur investime në prokuror, gjyqtarë, staf mbështetës.

Tahiri: E ka sakatu buxhetin për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial

“Jo që është shkurtuar buxheti për këto po realisht e ka sakatu buxhetin për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial. Pra, tashmë po bien trendi i rekrutimit të gjyqtarëve të rinj nga KGJK dhe fatkeqësisht gjatë kësaj periudhe të dëgjimeve as që janë ftuar as nga komisioni as nga qeveria, pra po flasim për Këshillin Gjyqësor. Me fol për luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar, me fol për rritje të kapaciteteve dhe mos me bë veprime konkrete, pra me parapa për numrin e rekrutimin e një numri të caktuar të gjyqtarëve në Republikën e Kosovës është dëm shumë i madh”, tha ai.

Sipas tij, nuk do të ketë as rekrutim të prokurorëve të rinj në Kosovë, pasi kjo tha se nuk është paraparë në rishikimin e buxhetit.

Tahiri: Ky rishikim nuk parasheh që vendit t’i shtohen prokurorë shtesë

“Ky rishikim nuk parasheh që vendit t’i shtohen prokurorë shtesë, e kam lënë sistemin me diku 202 prokuror, një pjesë e tyre normalisht janë pensionuar dhe gjithmonë duhet me shku dhe rekrutu prokuror të ri, por kjo pa buxhet nuk bëhet”, tha ai.

Po ashtu, ai tha se kurrfarë mbështetje nuk i jepet Policisë së Kosovës, derisa ka kërkuar edhe rritje të pagave për Shërbimin Korrektues të Kosovës. 

​Ministri Murati përplaset me opozitën për rishikimin e buxhetit

​Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati është përplasur me deputetët opozitarë në seancën e sotme të Kuvendit. Duke debatuar për rishikimin e buxhetit për vitin 2021, shefi i financave të shtetit tha se kritikat e opozitës nuk janë përmbajtjesore, pasi gjitha masat, siç e quajti ringjalljen ekonomike janë pjesë e programit qeverisës. Mirëpo këtë pako ekonomike opozita e quajti të mangët.

Ministri Murati në foltoren e Kuvendit tha se në programin e ringjalljes ekonomike mbështeten prodhuesit dhe ekonomia në përgjithësi.

Image

Murati: Gjitha masat janë pjesë e programit qeverisës

“Gjitha masat janë pjesë në programin qeverisë qqë janë reflektuar në pakon e ringjalljes së ekonomike. Po ashtu kemi mbështetjen për prodhuesit dhe ekonominë për përjgithësi. Komplet këto masa kapin vlerën e 108 milionë euro”, tha ai.

Mirëpo, të njëjtin, Bedri Hamza nga PDK e quajti të pamjaftueshme për ekonominë e vendit.

Hamza: 108 milionë euro janë të pamjaftueshme për ekonominë

“Nëse dikush më thotë se veç 108 milionë janë mjaftueshëm unë nuk pajtohem me këtë. Nuk është me rëndësi a të pëlqen apo jo ligji për rimëkëmbjen ekonomike,. Pasi është në fuqi dhe jeni të detyruar për të zbatuar sepse është miratuar në Kuvendin e Kosovës”, u shpreh Hamza.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti tha se ministri Murati është i paqartë se në cilat linja buxhetore do të marrë të hollat për ringjalljen ekonomike.

Hoti: Nuk e di çka konsideroni program të rimëkëmbjes ekonomike

“Nuk e di çka konsideroni program të rimëkëmbjes ekonomike, një gjë është që e keni deklaruar 400 e sa milionë. Ju identifikoni qartë se cilat linja buxhetore janë pjesë e programit ekonomike”, tha ai.

Derisa, Besnik Tahiri nga AAK tha se ekzekutivi nuk ka bërë arsyeshmërinë e rishikimit të buxhetit.

Tahiri: Por arsyeshmëria nuk është e saktë dhe kuptueshme

“Si shef i grupit parlamentar nuk jam me bllokuar këtë rishikim, por arsyeshmëria nuk është e saktë dhe kuptueshme”, theksoi Tahiri

Hoti: Rishikimi i buxhetit nuk reflekton premtimet elektorale të qeverisë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka deklaruar se nuk do ta mbështesin rishikimin e buxhetit për vitin 2021. Ai tha se i njëjti nuk reflekton asnjë nga premtimet elektorale të kësaj qeverie dhe të programit qeverisës.

Hoti tha se premtimet që janë dhënë për rritje të pagave, pensioneve e disa skema sociale, nuk është e qartë se si do të realizohen.

Hoti: Ky rishikim i buxhetit nuk e reflekton asnjë nga premtimet elektorale të kësaj qeverie

“Rishikimi ka supozuar që pandemia ka përfunduar edhe pse ne jemi larg arritjes së cakut të vaksinimit masiv të qytetarëve edhe kjo nënkupton që krejt parashikimet buxhetore mund të jenë të pasakta. Vala tjetër e pandemisë mund të pritet pak në gusht ose në shtator, në fakt edhe vet ministri i Shëndetësisë para disa dite e ngriti shqetësimin e tij që duhet të përgatitemi për një valë të re të pandemisë dhe kjo ka implikime buxhetore në përgjithësi. Duhet thënë dhe kjo është shumë e rëndësishme, ky rishikim i buxhetit nuk e reflekton asnjë nga premtimet elektorale të kësaj qeverie dhe programit të qeverisë. Një çështje që është ligjore që është obligim ligjor i qeverisë, i Ministrisë së Financave është mirëmbajtja e rregullës fiskale ne e dimë që e kemi tejkaluar rregullën fiskale vitin e kaluar për shkak të pandemisë, por tash ministri duhet të na tregojë qartë se si do të kthehemi ne brenda rregullës fiskale këtë vit dhe vitin e ardhshëm në veçanti”, tha Murati.

Hoti e ka quajtur shkelje ligjore shfuqizimin e memorandumeve në mes qeverisë e komunave për projekte të ndryshme.

Hoti: Është shkelje ligjore shfuqizimi i memorandumeve me komunat

“Është gabim i madh, është shkelje ligjore, është mosrespektim i ligjit shfuqizimi i memorandumeve me komunat. Ne gjatë punës që do të bëjmë në komision unë do t’i nxjerri një nga një projektet komunale të cilat janë shfuqizuar këto memorandume edhe praktikisht do të shohim efektin e vendimeve jo ligjore të plot ministrave sa i përket realizimit të këtyre projekteve. Për të gjitha këto arsye ne e kemi të pamundur që të mbështesim këtë rishikim të buxhetit”, tha ai.​

Tahiri kritikon për vonesë Qeverinë: Rishikimi i buxhetit s’mundet të hyjë në zbatim para shtatorit

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka kritikuar Qeverinë për vonesë në rishikimin e buxhetit për vitin 2021. Ai tha se rishikimi në këtë kohë do të bëjë që Ligji mos të hyjë në fuqi deri në muajin shtator, e kjo sipas tij është e rrezikshme pasi hynë në ciklin tjetër për miratimin e buxhetit për vitin 2022.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për rishikimin e buxhetit, Tahiri tha se ekzekutivi duhet të ketë parasysh edhe implementimin e Ligjit për Paga.

Tahiri: Ky rishikim nuk ka si të vjen në zbatim para shtatorit

“Ky rishikim nuk ka si të vjen në zbatim para shtatorit. Duke qenë se është kështu, ne po hymë në ciklin tjetër, sepse duhet ta miratojmë buxhetin për vitin 2022 me gjitha zotimet që janë në planin legjislativ të qeverisë dhe do të jetë shumë problem për t’i shti në zbatim”, thotë ai.

Ai tha se ekzekutivi në rishikimin e buxhetit duhet të ketë parasysh edhe investimet kapitale.

Tahiri: Të jenë parasysh investimet kapitale

“Të ketë parasysh investimet kapitale, shkurtimi i tyre drejtpërdrejtë është problem shumë i madh i qarkullimit edhe të parasë, por edhe të jetës më të mirë në komuna. Kërkoj nga ju edhe në këtë temë ta trajtoni”, tha ai.

​Hamza: Buxheti i rishikuar nuk i adreson nevojat e qytetarëve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka kritikuar Qeverinë për rishikimin e buxhetit të vitit 2021.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës tha se ky buxhet nuk i adreson nevojat e qytetarëve dhe ka shpërpushje të madhe me programin qeverisës.

Hamza: Ky buxhet i rishikuar nuk i adreson nevojat e qytetarëve

“Kemi një buxhet që vjen për t’u rishikuar, i cili nuk i adreson nevojat e qytetarëve të ekonomisë së Kosovës. Ka një mospërputhje të plotë të programit të qeverisë dhe dokumentin të cilin ne sot po e diskutojmë. Në program kemi premtime megalomane, të cilat nuk janë në kuadër të buxheti që janë pa mbulesë dhe të parealizueshme”, tha ai.

Krahas kësaj, nënkryetari i Kuvendit tha se në propozimet aktuale nuk parashihen rritje të pensioneve, të pagës minimale dhe se nuk përfshihen asnjë prej premtimeve të ekzekutivit.

Hamza: Në propozimin aktual nuk ka rritje të pensioneve

“Në propozimin aktual nuk ka rritje të pensioneve, përkundër atyre shtesave të vogla që kanë qenë duke i marrë pensionistët edhe këto iu kanë ndalu. S’ka parashikim për rritje të pensioneve për kategoritë e luftës dhe për as një nga pensionet që realizojnë pensione përmes buxhetit të Kosovës”, tha ai.

Hamza kërkoi që të sillen në Kuvend, ndryshimet në Ligjin për Paga dhe implementimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Ministri Murati: Përmes rishikimit të buxhetit synojmë mposhtjen e pandemisë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se përmes rishikimit të buxhetit si qeveri synojnë mposhtjen e pandemisë, me theks të veçantë në imunizimin e popullatës dhe mbështetjen e sistemit shëndetësor për t’u përballur me këtë situatë. Prioritet tjetër tha se është edhe adresimi i dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia dhe njëkohësisht rindërtimi i një ekonomie më të mirë.

Murati, teksa ka arsyetuar buxhetin tha se të gjithë treguesit në dispozicion deri më tani tregojnë për një rikuperim të ndjeshëm të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2021, krahasuar me projeksionet fillestare.

Ai tha se me buxhetin e rishikuar për vitin 2021 shpenzimi do të jetë total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.

I pari i Financave tha se të hyrat buxhetore kanë treguar një performancë tejet të kënaqshme gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2021. Ndërsa tha se edhe indikatorë të tjerë të ekonomisë si qarkullimi i bizneseve edhe ardhja e mërgatës shërben si indikacion se janë në rrugë të mirë drejt një ringjallje ekonomike.

Murati: Të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro

“Me buxhetin e rishikuar për vitin 2021 shpenzimi do të jetë total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro. Me këtë rishikim të hyrat buxhetore priten të rriten me rreth 155 milionë euro, gjë që mundëson edhe rritjen e shpenzimeve dhe ekzekutimin e buxhetit përkatësisht. Në këtë rritje vlen të theksohet që përfshihet edhe një dividentë e paraparë prej 30 milionë eurove nga dy ndërmarrje publike. Sa i përket deficitit buxhetor dhe borxhit publik marrë parasysh performancën e mirë deri në fund të vitit pritet të kemi përmirësim edhe të këtyre indikatorëve, më saktësisht deficiti në përputhje me rregullën e përkohshme fiskale të kufirit të deficitit buxhetor pritet të luhatet në rreth 4.6 përqind e bruto produktit vendor për vitin 2021. Ndërsa në dy vitet pasardhëse pritet një rikthim gradual drejtë kufirit bazë të deficitit fillimisht në 3 përqind për vitin 2022, e pastaj në 2 përqind të bruto prodhimit vendor për vitin 2023. Borxhi publik si përqindje ndaj GDP-së po ashtu si rezultat i zhvillimeve dhe parashikimeve të lartpërmendura, pra me rritjen e të hyrave e njëkohësisht duke mbajtur shpenzimet nënkontroll parashihet të luhatet deri në fund të vitit në shifrën 27.6 përqind e bruto prodhimit vendor apo 1 përqind më ulët sesa që ishte paraparë me ligjin bazik”, tha ajo.

Ai potencoi se synojnë një riorientim të shpenzimeve drejtë atyre sektorëve apo fushave që janë prekur më së shumti nga situata COVID-19, për të ruajtur shëndetin publik dhe kapacitetet prodhuese dhe konsumuese të ekonomisë sonë.

Përkundër sfidave, Murati tha se beson që ky dokument merr për bazë dhe i adreson të gjitha prioritet e shtetit.

​Kusari-Lila: Me miratimin e rishikimit të buxhetit hymë në periudhë stabile për pjesën tjetër të vitit

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se me miratimin e rishikimit të buxhetit, Kosova do të hyjë në një periudhë stabile për pjesën tjetër të vitit 2021.

Ajo tha se me anë të tij do të përfitojnë edhe bizneset dhe ekonomia e vendit me ringjalljen ekonomike.

Kusari-Lila: Me votimin e këtij buxheti të rishikuar do të hyjmë në një periudhë stabile

“Me votimin e këtij buxheti të rishikuar do të hyjmë në një periudhë stabile për pjesën e dytë të vitit 2021. Do të vendosim një rrugë të qartë të stabilitetit edhe për vitet në vijim”, tha ajo.

Kusari-Lila në seancën e sotme të Kuvendit tregoi edhe detaje për përfitimet e kësaj pako të rimëkëmbjes.

Kusari-Lila: Mbështetja për punëtorët nga 170 euro në tre muajt e parë

“Mbështetja për punëtorët nga 170 euro në tre muajt e parë, gratë që do të punësohen mbështetje nga 150 euro për tre muajt e parë, si dhe masa për ringjalljen e ekonomisë dhe biznesit për gjithë prodhuesit deri në 20 përqind dhe 20 përqind të bizneseve të grave”, u shpreh ajo.

***

Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në ora 15:00.

​​S’ka vendimmarrje, dështon miratimi i marrëveshjes ndërkombëtare

Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë projektligjin për ratifikimin e amendamentimit të marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime për financimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.

Përderisa pozita ka kërkuar mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta miratuar këtë marrëveshje, opozita nuk ka marrë pjesë në votim nën arsyetimin se janë injoruar nga partia në pushtet dhe se nuk kanë marrë informacionet e nevojshme për të njëjtën.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka arsyetuar këtë projektligj, derisa bëri të ditur se do të financohet 50 përqind grant dhe 50 përqind me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane për Investime.

Amendamentimi tha se është më tepër çështje teknike dhe nuk krijon obligime të reja financiare për Kosovën.

Murati: Financohet 50 përqind grant dhe 50 përqind me kredi

“Financohet 50 përqind e grant nga korniza investuese e Ballkanit Perëndimor, kurse 60 përqind tjera me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane për Investime, pra që të dyja marrin pjesë proporcionalisht në financimin e gjysmës së projektit. Pas shumë vonesave dhe sfidave duke marrë parasysh se ky projekt është nënshkruar që në vitin 2015, pas shumë vonesave dhe sfidave të hasura në implementim projekti ka filluar të ketë një dinamikë të shtuar të punimeve dhe ka filluar dismbursimet nga granti dhe kredia”, tha ai.

Por partitë opozitare kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në votim për shkak që nuk janë konsultuar më herët për këtë çështje, derisa ka akuzuar pozitën për injorim të opozitës.

Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, tha se nuk janë konsultuar asnjëherë nga LVV për këtë marrëveshje dhe se nuk janë kontaktuar as grup parlamentar për të kërkuar ndihmë.

Ai tha se pozita ka vlerësuar që i ka votat dhe e ka përjashtuar opozitën nga diskutimet për këto projekte, e derisa të kenë informatat e nevojshme Hamza tha se nuk do të marrin pjesë në votim.

Hamza: Nuk kemi informata, PDK nuk merr pjesë në votim

“Derisa ne t’i kemi informatat e nevojshme, sqarimet e nevojshme, konsultimet e nevojshme, PDK nuk do të merr pjesë në votim”, tha ai.

Deputeti i LVV-së, Armend Muja, tha se i vetmi ndryshim substancial në këtë marrëveshje është zgjatje e afatit për implementim.

Muja: I vetmi ndryshim është zgjatja e afatit për implementimin e marrëveshjes

“Nuk ndryshon asgjë në përmbajtje, i vetmi ndryshim substancial është zgjatja e afatit për implementimin e kësaj marrëveshje dhe teknikalitete në emërtime. Për këtë arsye ne i rekomandojmë fuqishëm Kuvendit edhe grupeve parlamentare që në emër të interesit kombëtar dhe rëndësisë së veçantë të këtij projekti ta miratojnë në këtë Kuvend”, tha Muja.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se ministri i Financave Hekuran Murati, kishte bllokuar këtë marrëveshje në mandatin e kaluar, e për këtë ka pyetur ministrin se çka mendon sot për këtë marrëveshje që dikur e kishte kundërshtuar.

Gashi ka përmendur të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare që Lëvizja Vetëvendosje nuk kishte votuar, e që ishte pamundësuar miratimi i tyre.

Ai ka kërkuar nga ministri Murati që të deklarohet se çka mendon për të gjitha këto marrëveshje që i kishte kundërshtuar e që tash do t’i sjell në Kuvend për miratim.

Gashi: Ministri Murati po mashtron sot apo ka mashtruar atëherë dhe sot

“A ka mashtruar ministri atëherë deputet dhe kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa publikun dhe ka prishur traditën e mirë të mbrojtjes së interesit atëherë apo po atëherë ka besuar që këto janë të këqija dhe sot po thotë që janë të mira, po mashtron sot, apo ka mashtruar edhe atëherë edhe sot. Edhe atëherë e ka ditur që marrëveshjet janë të mira edhe sot po thotë duhet me i bë se janë të mira...Ke prish traditën e votimit për çështje me interes nacional për interes ditor politik, tash duhet me dalë dhe me thënë që ke gabuar dhe ke mashtruar, me kërku falje për çka ke bë, përndryshe nuk ka kuptim që ne me hy në një proces votimi ose siç tha ish-ministri Hamza me siguri ju i keni 80 vota dhe e kaloni, nëse i keni kaloni në rregull është, por nëse nuk i keni duhet me dalë dhe me thënë që e kam kuptuar që e kam pasur gabim, duhet me dalë me thënë që e kam kuptuar që kam mashtruar dhe duhet me dalë me thënë që kjo është çështje mbi interesin politik të ditës”, tha ai.

Gashi tha se do të marrin vendim në bazë të asaj se si ministri Murati do të rregullojë sjelljet e mandatit të kaluar.

Edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se nuk do të marrin pjesë në votim për shkak të arrogancës së pushtetit.

Lekaj: Edhe 2/3 nuk vlejnë nëse nuk kërkoni konsensus dhe bashkëpunim me opozitën

“Ndoshta i keni numrat që unë aty ju përgëzoj nëse i keni numrat, por derisa keni këtë injorancë totale për opozitën mendoj që nuk ia vlen që të bisedojmë për këto çështje që janë me të vërtetë me rëndësi jetike për qytetarët e vendit. Por, ju duhet ta keni parasysh që ngandonjëherë edhe numrat edhe 2/3 nuk vlejnë nëse nuk kërkoni konsensus dhe bashkëpunim me opozitën”, tha ai.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar shefja e grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se opozita e tanishme i ka humbur zgjedhjet jo për shkak të mosvotimit të marrëveshjeve po për shkak të kulturës së keqqeverisjes.

Kusari-Lila: Mosvotimit ngjitjani emrin e inatit të juaj

“Nëse nuk dëshironi me votu, mos ia ngjitni emrin Hekruan Murati, por ngjitja emrin mos votimit të juaj në inatet që i keni në atë çka ka ndodhur. Ju nuk i kemi hupur zgjedhjet për arsye se nuk janë votuar ato tri marrëveshje këtu, por për shkak të kulturës së keqqeverisjes”, tha ajo.

Kundër qëndrimit të partisë së tij ka dalë deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i cili tha se çështjet që votohen në Kuvend janë në interes të Kosovës dhe duhet të qëndrojnë në sallë dhe të votojnë pro, kundër apo të abstenojnë.

Haliti: Duhet të qëndrojmë në sallë, të votojmë pro, kundër apo abstenim

“Kur është fjala për votime, çështjet që votohen në parlament të Kosovës janë në interes të Kosovës, jo vetëm marrëveshjet ndërkombëtar. Prandaj duhet të qëndrojmë në sallë, të votojmë pro, kundër apo abstenim”, tha ai.

Pas dështimit të miratimit të kësaj pike, Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë deri në orën 15:00.

***

Bajrami: Procesi i akreditimit është bllokuar për të favorizuar kolegjet private

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka akuzuar anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë se po zvarritin procesin e akreditimit të programeve të universiteteve publike për të favorizuar kolegjet private.

Hykmeti që ka qenë edhe ministre e Arsimit, tha se me këtë zvarritje të vendimmarrjes në KSHC po paralizohen universitetet publike, derisa tha se kolegjet private po prezantojnë regjistrimet e studentëve çdo ditë.

Bajrami: KSHC ka bllokuar vendimmarrjen për të favorizuar kolegjet private

“Kjo zvarritje e qëllimshme e vendimmarrjes në KSHC i ka paralizuar universitetet publike të cilat nuk po mund të regjistrojnë studentë, ndërsa kolegjet private po prezantojnë në rrjetet e tyre sociale regjistrimet e studentëve çdo ditë. KSHC dhe të dërguarit tuaj në këtë këshill qëllimisht e kanë bllokuar vendimmarrjen në këtë institucion vital të shtetit për të favorizuar kolegjet private në kurriz të universiteteve publike. Kjo jo vetëm që është e paligjshme por është edhe veprim tepër i dëmshëm sepse prish bilancet në sistemin e arsimit të lartë në Kosovë dhe bie ndesh me standardet dhe udhëzimet evropiane”, tha Bajrami.

Ajo tha se nëse KSHC ndërhynë në raportet e ekspertëve ndërkombëtar, kjo do të jetë edhe një goditje e rëndë për mosanëtarësimin në ENQA dhe EQAR.

Bajrami tha se pas 20 viteve në Kosovë në universitetet publike nuk ka afat të regjistrimit në muajin korrik, e që u shpreh se po të ishte LVV në opozitë, do të kishte thënë që kjo është korrupsion dhe favorizim i privatëve, e në bazë të kësaj pyeti se ku është interesi i qytetarëve.

Asaj i ka reaguar ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila u shpreh se detyra e saj si ministre ka përfunduar në momentin kur Këshilli është ratifikuar në Kuvend.

Nagavci tha se llogaridhënie dhe përgjigje, deputetët mund të ftojnë në raportin anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, derisa përmendi se janë mbi 240 programe të cilat presin për akreditim.

Nagavci: Do të kërkojë që ky këshill të kryej detyrat

“Është një institucion i pavarur dhe detyra ime si ministre e Arsimit ka përfunduar në momentin që këshilli është ratifikuar në Kuvend. Unë do të kërkojë përgjegjësi edhe do të kërkojë që ky këshill të kryej detyrat dhe përgjegjësitë e saj, me kaq përfundon mandati im. Ndërkaq, për llogaridhënie dhe përgjigje Këshilli i përgjigjet Kuvendit, pra ju si deputete mund të ftoni pastaj në raportim apo të interesoheni që përkundër që nuk keni votuar dhe nuk keni qenë t interesuar që Këshillin ta bëni funksional të paktën tani të interesoheni që ata të kryejnë detyrat e tyre. Por, po e përsëris edhe një herë janë më shumë se 240 programe të cilat presin për akreditim dhe janë raportet të cilat duhet të shqyrtohen, e unë edhe nga këtu bëjë thirrje edhe për Këshillin edhe për Agjencinë që t’i kryejnë me përgjegjësi dhe kompetencë detyrë e tyre”, tha ajo. 

***

Aliu: Sistemi i ujësjellësit në Deçan nuk është i mbrojtur, rezervuari dhe pusetat janë të qasshme

Ministri i Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor,  Liburn Aliu ka thënë se sistemi i ujësjellësit në përgjithësi në Kosovë është i brishtë, ndërkaq gypat e ujit dhe pusetat në sistemin e ujësjellësit në Deçan nuk janë të mbrojtura.

Sipas ministrit Aliu, vetëm një vërshim uji do të krijonte situatë të tillë në shumë vende të tjera, njëjtë si në Deçan.

Aliu u shpreh se, “Sistemi i Ujësjellësit KRU “Hidrodrini”, nuk është i mbrojtur”.

“Pusetat janë të qasshme, rezervuari mund të jetë lehtë i qasshme. Klorizimi është bërë në mënyrë manuale. I gjithë sistemi është i brishtë. Nëse e shohim sistemin ne vendin tonë e sidomos në rastin në fjalë duhet ta kemi të qartë që ky sistem të jetë i komprometueshëm, situata të tillë mund të kemi edhe në të ardhmen”, tha Aliu.

“Një vërshim uji mund të krijojë situatë të tillë”, tha Aliu në seancën e Kuvendin të Kosovës.

Aliu tha se menjëherë pas raportimit të rasteve të para, kanë dërguar në terren inspektorët, të cilët në bazë të të dhënave, kanë gjetur se i gjithë sistemi duhet të inspektohet dhe të merren masa.

Sipas tij kjo është një nevojë emergjente.

“Si ministri ne kemi dërguar inspektoratin për ta parë gjendjen e sistemit të ujësjellësit dhe mundësitë eventuale të sistemit të ujësjellësit. Nga ajo që është parë në terren është parë se i gjithë sistemi duhet të inspektohet dhe të merren masa”, tha Aliu.

Haliti kërkon masa urgjente për të gjitha qyetet që s’e kanë ujin e filtruar

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që urgjentisht të marrë masa për të gjitha qyetet e Kosovës që nuk e kanë ujin e filtruar.

Haliti në seancën e sotme të Kuvendit tha se urgjentisht duhet të planifikohen rezervaret e ujit që të furnizohen të gjithë qytetarët e Kosovës.

“Qeveria urgjentisht duhet të marrë masa për të gjitha qytet që nuk e kanë ujin e filtruar, të planifikojnë rezervaret e ujit e të furnizohen të gjithë qytetarët.  Unë dua të ju them se në Deçan, Junik Peje e Istog, uji pihet edhe përmes vadave, prandaj mund të ndodhin edhe në vende të tjera”.

Ai thotë se uji nuk po filtrohet, por vetëm po klorifikohet, e që sipas tij po bëhet klorifikim pa standarde.

“Nuk e di nëse qeveritë tona kanë bërë ndonjë projekt për këtë çështje, asnjëra prej këtyre qyteteve nuk pin ujë të filtruar, uji vetëm klorifikohet pa standarde. Shif kush e bën klorifikimin dhe pastaj mund ta konstatosh shumëlehtë se a pijnë qytetarët ujë të pastër. Në Deçan është dashtë të bëhet ndërhyrje e madhe me ujë, derisa të konstatohet se a duhet të pihet uji”.

Haliti: Është dashur t’iu dërgohet ujë të pijshëm njerëzve të Deçanit

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, gjatë fjalës së tij në seancën e sotme plenare, ka kërkuar nga Qeveria që të marrë masa për të gjitha qytetet dhe rajonet të cilat nuk e kanë ujin e filtruar, të planifikojnë rezervuar të ujit dhe të furnizohet e gjithë popullata e Kosovës.

“Nuk po them vetëm në Deçan e Pejë, por në gjithë Kosovën, të bëhen rezervuar të ngjashëm siç është bërë ai i Radoniqit, i cili e filtron ujin e pijshëm, dhe pastaj nuk ka kriza të tilla”.

Tutje, sipas Halitit, në Deçan, Junik, Pejë e Istog, uji pihet përmes vadave që kalojnë nëpër fshatra të tyre. Mund të ndodhin helmime të tjera nëse është në pyetje helmimi përmes ujit. Qeveritë tona nuk kanë bërë ndonjë projekt për këtë çështje por burimet e mëdha të ujit janë në atë zonë dhe fatkeqësisht asnjëra prej këtyre qyteteve dhe fshatrave nuk pinë ujë të filtruar”.

Në fund, Haliti pati një vërejtje për Qeverinë.

“Në Deçan është dashur të bëhet ndërhyrje e madhe me uje, t’iu dërgohet njerëzve ujë të pijshëm deri në konstatimin a pihet uji”, tha ai

***

Gashi: Për herë të parë në historinë e Kosovës një kryeministër me buxhet shteti qëndron në konferencë në Greqi

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka kritikuar Qeverinë lidhur me menaxhimin e situatës në Deçan.

Gashi ka thënë se reagimi institucional në lidhje me ndodhitë në Deçan ishte shumë i vonshëm.

Ai është shprehur se nuk ka ndodhur asnjëherë, siç ka thënë ai me buxhet të shtetit, që një kryeministër të qëndrojë në një konferncë internacionaliste në Greqi, ku sipas tij flitet për ide komuniste.

“Për herë të parë në historinë e Kosovës një kryeministër me buxhet shteti qëndron në një konferencë interenacionale në Greqi, ku flitet për ide komuniste. Ky kryeministër ka dështu me u përgjigjë në Deçan për të mirën e qytetarëve. Qëndron me paret e buxhetit me familje”, u shpreh ai në seancën e Kuvendit.

Ndryshe, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se shpenzimet e Kurtit për vizitën ku ai mori pjesë në një simpozium në Greqi, i ka mbuluar organizatori.

***

​PDK: Familja presidenciale Osmani-Sadriu i kushtojnë buxhetit të Kosovës mbi 70 mijë euro në vit

Partia Demokratike e Kosovës ka adresuar një mori kritikash ndaj presidentes Vjosa Osmani dhe bashkëshortit të saj, Prindon Sadriu. Sipas tyre, familja presidenciale, Osmani-Sadriu i kushtojnë buxhetit të Kosovës mbi 70 mijë euro në vit.

Deputetja e partisë më të madhe opozitare, Floretë Zejnullahu në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, tha se kjo familje po e trajton Kosovën si monarki dhe se të njëjtit marrin rreth 33 paga minimale për një muaj.

Zejnullahu: Familja presidenciale Osmani-Sadriu i marrin buxhetit të Kosovës më shumë se 70 mijë euro gjatë një viti”

“Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe bashkëshorti i saj Prindon Sadriu marrin me dhjetëra mijëra euro vetëm paga nga buxheti i Kosovës. Familja presidenciale e Vjosa Osmanit po e trajton Kosovën si monarki, përderisa kjo familja nga buxheti i shtetit brenda 1 viti merr para më shumë se çdo qytetarë i Kosovës. Nga deklarimi i pasurisë në Agjencinë kundër Korrupsionit, kjo familje merr nga buxheti i Kosovës më shumë se 33 mijë euro paga vetëm për 1 vit, bashkëshorti i saj i cili tashmë është avancuar në diplomaci merr mbi 36 mijë euro paga për një vit. Pra familja presidenciale Osmani-Sadriu i marrin buxhetit të Kosovës më shumë se 70 mijë euro gjatë një viti”, tha ajo.

***

​Tahiri thotë se situata në Deçan është injoruar nga kryeministri Kurti

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se rasti i helmimit të qytetarëve të Komunës së Deçanit është injoruar dhe është shpërfillur nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti.

Ai në seancën e sotme e sotme plenare, tha se nuk ka ndodhur në histori të një shteti që të ketë helmim masiv me mbi 1 mijë e 300 njerëz dhe shteti të reagojë pas tri ditëve.

Tahiri: Nuk ka ndodhur që të ketë helmim masiv dhe qeveria të reagojë pas tri dite

“Në historinë e një qeverisje, e një shteti nuk ka ndodhur që të ndodh një helmim masovik me 1 mijë e 314 njerëz dhe shteti dhe qeveria të reagojë tek pas tri ditësh dhe ai reagim të vjen pas një presioni publik dhe politik që buron edhe nga Kuvendi, edhe nga qytetarët e Kosovës, edhe nga familjarët e të infektuarve. Nëse kemi një kësi lloj injorimi, një shpërfillje të tillë nga qeveria dhe nga kryeministri në një tema kaq sensitive, çka do të ndodh në raste të tjera”, tha ai.

Ai ka reaguar edhe për vendimin që qytetarët duhet të paguajnë shumën prej 5 eurove për regjistrim të automjetit të tyre që të pajisen me një tiketë që dëshmon se automjeti është i regjistruar. Ai u shpreh se ky vendim është i kundërligjshëm dhe kërkoi që një gjë e tillë të largohet.

Tahiri: Vendimi për taksën prej 5 euro është i kundërligjshëm

“Vendimi i taksës për qytetarët e Kosovës për të paguar 5 euro është thjeshtë i kundërligjshëm, është nënshkruar në kundërshtim me rregulloren e punës së qeverisë, përgjegjësi penale, institucionale dhe qeverisëse ka vetëm ministri dhe jozëvendësministri. Kërkojmë nga ju që të largoni këtë taksë menjëherë dhe të mos ndodh që me taksa të tilla të pasurohen individ dhe mbi këtë të rëndohet jeta e qytetarëve të Kosovës”, tha ai. 

***

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku ka deklaruar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës se Qeveria Kurti ka menaxhuar me sukses situatën e helmimit në komunën e Deçanit.

Ajo në deklarimet jashtë rendit të ditës, tha se ekzekutivi dhe në veçanti Ministria e Shëndetësisë kanë qenë në dispozicion të plotë për ndihmën me barna, materiale shpenzuese dhe sanimin e dëmeve në Deçan.

Kollçaku: Dora e shtetit nuk krijohet përmes shtrëngim të duarve, por veprimeve konkrete

“Jo vetëm që kjo ministri u koordinua me gjitha ministritë tjera dhe institucionet, por e gjeti mbështetjen e plotë nga kabineti qeveritar në krye me kryeministrin e Kosovës për të pasur në dispozicion të gjitha mjetet e nevojshme, përfshi ato buxhetore. Meqë rast u ndanë 150 mijë euro për ujësjellësin dhe sanimin e pasojave. Dora e shtetit nuk krijon vizitat dhe shtrëngim duarsh, apo fjalë ngushëlluese në ndonjë foto të shkrepur në vendngjarje, e aq më pak dezinformatat dhe krijimin e panikut përmes mungesës së informatave të pakonfirmuar. Mbështetja e shtetit konsiderohet vetëm ajo institucionale, konkrete që përmirëson situatën përmes ekspertizës në hulumtimin dhe eliminimin e shkakut, sanimin e pasojave dhe ndihmën e barnave dhe material shpenzues”, tha ajo.

Kollçkau lavdëroi edhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ku tha se me praninë e tij në vendngjarje ndihmat konkrete nuk patën si të mungojnë.

Zemaj: Qeveria ka treguar papërgjegjësi për rastin në Deçan

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, në kuvend tha se Qeveria ka treguar papërgjegjësi në menaxhimin e situatës së helmimit të banorëve të Deçanit. 

Ai shtoi se Qeveria Kurti ka treguar neglizhencë dhe dyfytyrësi në qasjen ndaj gjendjes shëndetësore të banorëve.

“Pasi numri i të helmuarve në Deçan kaloi shifrën 900, kryeministri preferoi të ligjëronte për Aristotelin dhe Platonin në Greqi. Kjo papërgjegjësi tregon paaftësi për të udhëhequr, të dashuruar në vetveten por jo në qytetarin. Duhet të reagojmë ndaj kësaj situate”, ka deklaruar Zemaj.

Ish-ministri i Shëndetësisë ka potencuar se “Qeveria duhet t’i kthehet realiteti, jo temave boshe dhe populizmit”.

***

Nura i PDK-së fton qytetarët t’i thonë jo taksës së Kurtit

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka nisur me diskutime për taksën prej 5 eurosh të vendosur nga ministria e Infrastrukturës për regjistrim të automjeteve.

Deputeti i PDK-së, Fadil Nura tha se  ky vendim po merret nga terrasat luksoze të Greqisë tek lagja Marigona.

“Fermerët tanë kanë mbetur për gjynah, pa përkrahje e pa mbështetje. Sot kulmoi me vendimin skandaloz me vënien e një barre prej pesë eurosh për regjistrimin e automjeteve që pasqyron marrëzinë e kësaj qeverie. Nga terrasat luksoze nga Greqia tek lagja Marigona nxjerrin kësi vendime”, tha ai.

Ai bëri thirrje që prokuroria të veprojë në këtë rast, duke ftuar qytetarët t’i thonë jo kësaj takse që ai e quajti “plaçkitëse të Kurtit”.

“Mendësinë e tillë të mashtrimit e hajnisë po e shohim të shfaqur nga e njëjta shkurrë udhëheqjeje që e kishin nisur me kifle e qumësht, e tash po e përfundojnë në prehrin e oligarkëve. Thoni ju kësaj takse plaçkitëse të Kurtit. Ftoj prokurorinë të veprojë ngase e ka obligim të mbrojë qytetarët nga një hajni e tillë masive”, tha ai.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur të premten për të shqyrtuar një sërë nismash ligjore. Të zgjedhurit e popullit, si pikë kryesore të seancës së sotme pritet shqyrtojnë në parim projektligjin për rishikimin e buxhetit, derisa do ta shqyrtojnë rekomandimin për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave dhe Projektligjin për Gjykatën Komerciale.

Krahas të zakonshmëve, deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë Projektligjit për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10 dhe disa marrëveshje të tjera ndërkombëtare.

Ndërkohë, pritet të votohen edhe disa rezoluta të debatet parlamentare nga seancat e kaluara.

Kuvendi mblidhet sot në seancë të rregullt plenare

Kuvendi i Republikës së Kosovës, do të mblidhet sot në seancë të rregullt plenare.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në këtë seancë do të shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e amendamentimit të Marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI), për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.

Pastaj do të shqyrtohet Projektligji për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II), Projektligji nr.08/L-008 për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+)  (ada numri referues 8116-00-2020)”, si dhe Projektligji nr.08/L-009 për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”.

Po ashtu do të bëhet edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-016 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, si dhe i Projektligjit nr. 08/L-015 për Gjykatën Komerciale.  

Në vijim seanca do të shqyrtojë rekomandimin e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, si dhe pritet të votojë për kërkesën e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni.

Zgjedhja e tre anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komuniteteve jo shumicë, do të jetë pikë e radhës e rendit të ditës në këtë seancë, për t'u pasuar nga propozim-rezoluta nga debati parlamentar për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit.

Propozimi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës për zëvendësimin e anëtarit në komision parlamentar dhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2020, do të jenë pikat e fundit për shqyrtim në këtë seancë plenare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat