Nagavci: Detyra ime si ministre në KShC ka mbaruar ditën që janë votuar anëtarët

Aktuale

Nagavci: Detyra ime si ministre në KShC ka mbaruar ditën që janë votuar anëtarët

Më: 16 korrik 2021 Në ora: 11:25
Arbërie Nagavci

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci ka thënë se Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC), është i pavarur dhe se vendimet i merr vet.

Ministrja e hoqi përgjegjësinë nga vonesat e KSHC-së për akreditimin e 239 programeve në universitetet publike, duke thënë se detyra e saj si ministre ka përfunduar në ditën kur ky Këshill është votuar në Kuvend.

Më tutje, Nagavci deklaroi se nga ana e ministrisë të gjitha procedurat janë kryer me kohë.

“Në momentin që e kam pranuar detyrën e kam gjetur KSHC-në jo funksional. I kam filluar me kohë dhe me rregull procedurat që ky institucion të bëhet funksional. E kemi sjellë për miratim në Kuvend. Ju kam bërë thirrje që të jeni të përgjegjshëm por nuk e keni pasur as vullnetin as dëshirën që ta votoni këtë Këshill. Ai është i pavarur dhe detyra ime si ministre ka përfunduar kur ky Këshill është votuar në Kuvend”, ka thënë ajo.

Ministrja nga Kuvendi i Kosovës i ka bërë thirrje KShC-së dhe Agjencisë Kosovare të Akreditimit që të kryejnë detyrat e tyre për akreditimin e këtyre programeve.

“Këshilli i përgjigjet Kuvendit dhe ju mund të interesoheni nëse ata po i kryejnë detyrat e tyre. Unë nga këtu bëjë thirrje nga Këshilli dhe Agjencia që ata ta kryejnë detyrën e tyre”, ka thënë ajo.

Ndaj kësaj deklarate të ministres ka reaguar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Ajo tha se KShC-ja qëllimisht e ka dështuar mbledhjen e parë për akreditimin e këtyre programeve.

“Qëllimisht është dështuar. Një mbledhje e kanë mbajtur dhe ajo ka dështuar. Mbledhjen tjetër e kanë caktuar me 27 korrik. Ajo që e thashë, për herë të parë pas 20 vitesh në Kosovë nuk ka afat për pranim të studentëve në muajin korrik”, deklaroi deputetja Bajrami.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat