Anëtari i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi publikoi në profilin e tij në Facebook një foto të vjetër, ku shihet së bashku me ministrin e tashëm të Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe anëtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në mbishkrimin e kësaj fotografie, Krasniqi ia kujton Aliut kohën kur ishin bashkë pas aksioneve e protestave të Vetëvendosjes për barazi.
“Ishim bashkë. Në konakun e Hanës (nënës) dhe Alisë (babës). Pas aksioneve e protestave për barazi, shtëpia jonë i ka pritë përherë aktivistët”, shkroi Krasniqi.
Ai tha se edhe tani takohet me Liburn Aliun, kryeministrin Albin Kurti e ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveqla por në pozita të tjera.
“Sot ende takohemi. Ama në pozita tjera. Liburni si keqpërdorues i milionave, në shërbim të monopoleve - Alia si protestues që vazhdon me luftu për barazi. Albini si kryeministër që po na e sjell Asociacionin e komunave me shumicë serbe - ne si protestues që s'e kem ndërmend me u ndalë. Xhelali si kryepolic - ne si aktivistë politikë, siç kemi qenë gjithmonë”, përfundoi Krasniqi.
Ndryshe, Disa aktivistë të Partisë Socialdemokrate janë arrestuar sot pranë ndërtesës “Rilindja”, pas aktivitetit të mbajtur si shenjë proteste për shkak të vendimit të Ministrisë së Infrastrukturës që nga 1 shtatori të paguhet taksë prej 5 eurosh për regjistrim të automjeteve.