Tetë aktivistë të Partisë Socialdemokrate janë arrestuar në një aksion kundër taksës shtesë për regjistrimin e automjeteve.
Prej tyre, sipas zëdhënëses së kësaj partie, Natyra Kuçi, në paraburgim vazhdon të mbetet kryetari Dardan Molliqaj ndaj të cilit është shqiptuar masa prej 48 orësh.
Në aktivitetin e organizuar për të shfaqur pakënaqësinë ndaj vendimit për 5 euro shtesë këta janë ankuar se është ushtruar dhunë ndaj tyre, prandaj presin të reagojë Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Ndër të tjera në oborrin e Ministrisë së Drejtësisë mbi automjetet zyrtare këta vunë mbishkrimin “ZHVATËS” i cili ishte i njëjtë me disa tiketa që u vendosen po ashtu në vetura.
Para se ta merrnin policia, Frashër Krasniqi deklaroi se çmimi i këtij produkti në tender mund të blihet pesë herë më lirë e mund të bëhet edhe nga shteti, teksa theksoi se kompania ka fituar pa konkurrencë, gjë që sipas këtij subjekti u bë për shkak të interesave personale.