I shpallur zyrtarisht nga PDK si kandidat i kësaj partie për kryetar të Prishtinës, ish-ministri i shëndetësisë, Uran Ismaili ka disa ditë që ka nisur një fushatë “primitive” në kryeqytet.
E nisi në lagjen “Ulipana” para pesë ditësh, për të vazhduar më pas në Hajvali, ndërsa sot e kreu “t’bujtmen” e tij në Breg të Diellit.
Në të gjitha këto lagje, puna e tij e vetme ka qenë ngjyrosja e disa hapësirave të lëna anash, të cilat përpos një ngjyre tjetër nuk është që kanë pësuar ndonjë ndryshim të veçantë.

Duke pasur parasysh se kryeqyteti ka nevojë për ndryshime më të thella sesa ngjyrosja e një kiosku dhe vendosja e një stoli pa mbështetëse si pritore për autobus, kjo kampanjë e Ismailit po shihet si një mungesë e njohjes së realitetit nëpër lagjet e Prishtinës.
Shumë banorë madje e kanë kritikuar përzgjedhjen e familjeve ku ai po e kalon natën, duke i treguar se po e sheh një realitet shumë më ndryshe nga ç’e shohin familjet e varfëra që jetojnë në këto pjesë.

Fushata e kandidatit të PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili ka nisur 1 muaj para datës zyrtare që e ka përcaktuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Sipas KQZ-së, fushata zgjedhore për Zgjedhjet Lokale 2021, fillon më 16 shtator dhe përfundon më 15 tetor ndësa zgjedhjet zhvillohen më 17 tetor 2021.