​Policia Kufitare e Kosovës e vetme në luftimin e kontrabandimit në veri

Aktuale

​Policia Kufitare e Kosovës e vetme në luftimin e kontrabandimit në veri

Më: 19 korrik 2021 Në ora: 13:17
Foto nga vendi i ngjarjes

Mosdefinimi i vijës kufitare me Republikën e Serbisë dhe msorespektimi i Marrëveshjes ndërkufitare për menaxhim të integruar të kufirit të vitit 2012-të dhe protokollit teknik të saj nga pala serbe mbeten sfidë për Policinë Kufitare të Kosovës. Ndërsa policët në veri detyrohet të blejnë numra të Serbisë në mënyrë që të mund të kontaktojnë me familjet dhe kolegët e tyre në qendër.

Kështu u tha në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku raportoi u.d të drejtorit të Departamentit për Kufi, Ragip Bunjaku.

Bunjaku me këtë rast tha se këtë vit është rritur numri i zbulimit të rasteve që lidhen me kontrabandim, ku vetëm në 6-mujorin e parë të këtij viti theksoi se janë zbuluar 72 raste të kontrabandimit me mallra

Bunjaku: Pala serbe nuk po shpreh asnjë vullnet me parandalu as kalimin ilegal as kontrabandën

“Moszbatimi i marrëveshjes po na shkakton vështirësi, janë ndërprerë të gjitha takimet në nivel lokal dhe në nivel qendror. Nuk kemi komunikim të drejtëpërdrejt, pas marrëveshjes ndërkufitare kemi pasur komunikim të drejtpërdrejt. Pala serbe nuk po shpreh asnjë vullnet me parandalu as kalimin ilegal, as kontrabandën”, u shpreh ai.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli pyeti për rastin në veri, ku ishin arrestuar 22 persona për korrupsion dhe kontrabandë.

Bunjaku: Me sa kam njohuri ky proces është në gjykatë

“Se ku është momentalisht procesi, me sa kam njohuri është në gjykatë, nuk kam njohuri më tutje. Këta zyrtarë me vendime të komisionit të brendshëm disiplinor dhe komisionit disiplinor të Policisë së Kosovës janë përjashtuar nga Policia e Kosovës, jo vetëm këta 22 të arrestuar, por edhe 2 që kanë ikur nga Kosova. Momentalisht janë duke u mbuluar me transfere të përkohshme nga pikat tjera kufitare dhe stacionet tjera policore, do të thotë nuk kemi numër të zvogëluar”, tha ai.

Një numër pyetjesh për policinë kufitare pati deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ku ndër tjerash e pyeti Bunjakun nëse është ende nën hetime.

Bajqinovci: A jeni ende nën hetime dhe çka po bëni për policët në veri

“Kisha pasur dëshirë të di se a jeni ende nën hetime që kanë shkruar mediat kohë më parë apo përfunduar procesi juaj”, pyeti Bajqinovci.

Bujaku deklaroi se nuk është nën hetime, teksa sqaroi edhe

Bunjaku: Nuk jam nën hetime, asnjëherë nuk është konfirmuar aktakuzë ndja meje

“I nderuari deputet nuk jam nën hetime, procesi ka përfunduar në tërësi, me të gjitha vendimet e gjykatës edhe të EULEX-it, edhe të gjykatave të Kosovës, Gjykatës Supreme. Plotësisht jam i pastër në këtë fushë, asnjëherë nuk është konfirmuar aktakuzë ndaj meje”, tha ai.

Bajqinovci tregoi interes lidhur me atë që po bëhet për policët në veri, gjegjësisht se çka po bënë Bunjaku në përmirësimin e kushteve për policët atje.

Bajqinovci: Çka jeni duke bë rreth kësaj pune, në Bërnjak dhe Jarinjë

“Transport nuk ka për policët në veri, shujta s’ka, qasja e valës dhe IPKO-s mungon në veri. Punëtorët e Policisë Kufitare, pra policët detyrohen me ble numra të Serbisë në Mitrovicë, në dy pikat kufitare për me e thirr familjen dhe me kontaktu përmes viber-it me ta dhe kolegët e vet në pjesën qendrore. Çka jeni duke bë rreth kësaj pune, në Bërnjak dhe Jarinjë”, pyeti ai.

Koloneli Ragip Bunjaku tha kjo është jashtë kapacitetit të Policisë.

Bunjaku: Për momentin është jashtë kapacitetit të Policisë kjo çështje

“Për momentin është jashtë kapacitetit të Policisë kjo çështje. Kemi kërkuar disa herë me i vendosë disa antena, IPKO ka tentuar njëherë por nuk ka arritur e pastaj te shohim tani si do të shkojë situata[...]Një ndër sfidat e përmenda edhe kontrabandën gjatë prezantimit që është mjaft e theksuar. Tërë territorin e Republikës e mbikëqyrim, e patrullojmë dhe them me kompetencë që është mjaft i sigurt. Ne shpesh i kemi mbyllur por qytetarët serbë i largojnë pengesat. Pala serbe nuk po ndërmerr asnjë veprim me i parandalu këto. Kështu që na mbetet neve ta luftojmë kontrabandën në tërë territorin që e patrullojmë me Republikën e Serbisë”, tha Bunjaku.

Kurse deputeti Arbër Rexhaj pyeti për arsyet e mosrekrutimit të stafit në një periudhë 15-vjeçare, pasi siç tha ai, është një shumë gjatë kohore për të mos pasur staf të ri.

Rexhaj: Pse për 15 vite nuk ka pasur rekrutim stafi

“Pse për 15 vite nuk ka pasur rekrutim stafi”, pyeti ai.

U.d. së drejtorit të Policisë Kufitare, Ragip Bunjaku tha se nuk është në dijeni për arsyen e mosrekrutimit të stafit të policisë kufitare, teksa shtoi se një gjë të tillë do ta bëjnë në shtator.

Bunjaku: Nuk e di pse nuk ka pasur rekrutim stafi, në shtator do të rekrutojmë staf në policinë kufitare

“Ne kemi pasur disa konkurse, kur është paraqitur nevoja, por kryesisht kanë apliku policët të gjeneratave më të vjetra. Kurse pse nuk ka pasur rekrutim nuk mund të jap përgjigje, nuk di definitivisht, nuk di a ka pasur kërkesë nga ish-drejtori i Policisë Kufitare për rifreskim të stafit apo jo... Besoj që nga shtatori do të fillojmë me rifreskimin e stafit të Policisë kufitare, se 50 vjet mosha mesatare është mjaftë e vjetër”, u përgjigj ai.

Deputeti i PDK-së, Elmi Reçica pyeti se a e pengon Bunjakun në marrjen e vendimeve fakti se është ushtrues detyre dhe jo drejtor. Lidhur me këtë, ky i fundit tha se nuk përbënë ndonjë problem, pasi e kryen punën në kapacitete të plota.

I pyetur nëse do të ndërroj drejtorët që kanë skandale e që punojnë në Policinë Kufitare, Bunjaku tha se Policia e Kosovës është në proces të reformimit dhe që nuk do të falet askush që është i involvuar në kontrabandim apo gjëra të tjera.

Sipas u.d. të Drejtorit të Policisë Kufitare, Ragip Bunjaku, 6-mujorin e parë të këtij viti janë 72 raste të zbuluara të kontrabandimit me mallra, 20 të arrestuar në lidhje me kontrabandimin me migrantë, kurse 28 viktima të kontrabanduara.

Ai po ashtu tha se këtë vit kanë zbuluar edhe raste të kontrabandimit të kërpudhave, e që sipas tij është e rrezikshme që të hyjnë në treg pa iu nënshtruar kontrollimit të cilësisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat