Deputeti nga AKR-ja, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk duhet të shndërrohet në një çerdhe të fëmijëve.
Ai me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka reaguar kështu pasi gjatë fjalimit të tij në seancën e sotme të Kuvendi të Kosovës nuk ka mundur të flasë pasi është ndërprerë nga zhurma e krijuar nga deputetët dhe për këtë ai e ka lëshuar sallën.
“Parlamenti i Kosovës nuk duhet të shndërrohet në çerdhe të fëmijëve, por në institucionin ku diskutohen seriozisht problemet me të cilat ballafaqohet qytetari i Kosovës”.
“Sot gjatë fjalës time në Kuvend(isha duke folur për shkatërrimin e natyrës, prerjen e maleve, mbeturinat etj, si rezultat i të cilave shkaktohen dëmet nga vërshimet), disa nga deputetë të rinj me sjellje adoleshentësh ndërhynin duke bërë zhurmë sikur ata nxënësit e paedukuar në klasë”.
“Unë e dëgjoj fjalën dhe kontributin e secilit dhe është e rrugës që edhe unë të kërkoj qetësi kur flas. Kush nuk dëshiron me n’dëgju, le të dal jashtë dhe mos të krijojë atmosferë kaosi?”, ka thënë Pacolli.