Përplasje të forta mes LDK-së dhe VV-së / “Mos ja fut kot” – Ish-kryeministri e ministri Murati me deklarata të ashpra

Aktuale

Përplasje të forta mes LDK-së dhe VV-së / “Mos ja fut kot” – Ish-kryeministri e ministri Murati me deklarata të ashpra

Më: 21 korrik 2021 Në ora: 11:58
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere

(E plotësuar 14:19) - Rishikimi i buxhetit për vitin 2021, veçanërisht neni 15 paragrafi 5 i ligjit bazik, ka bërë që të ketë sulme verbale në Komisionin për Buxhet ndërmjet deputetit të LDK-së Avdullah Hoti dhe ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Me këtë rishikim është paraparë të bëhet edhe një marrëveshje ndërkombëtare në formë kredie shtesë për mbulimin e pasojave të shkaktuara nga COVID-19, por që është kundërshtuar nga deputetët e opozitës, pasi sipas tyre nuk ka minuese në buxhet.

Anëtari i Komisionit nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka kërkuar rishikim të nenit 15 të këtij projektligji, pasi sipas tij nuk është e nevojshme kjo kredi.

Ish-kryeministri Hoti theksoi se marrëveshja nga 25 milionë në mbi 60 milionë euro kredi janë bërë me informata të pasakta, pasi siç tha ai minuese në buxhet nuk ka.

Përveç kësaj Hoti tha se ministri Murati është duke i mashtruar kreditorët ndërkombëtar për të marrë kredi për diçka që nuk ekziston.

Hoti: Ju jeni duke i mashtruar kreditorët ndërkombëtar për të marrë kredi për diçka që nuk ekziston

“Veç ta kemi të qartë, nëse kjo votohet dhe ju insistoni si kryetar i Komisionit dhe ministri nuk ka gatishmëri që me u ul dhe me rishiku këtë nen dhe me riformulu për me prezantu realitetin, ne në seancë duhet t’i njoftojmë edhe deputetët lidhur me këtë marrëveshje ndërkombëtare. Praktikisht jeni duke i mashtruar kreditorët ndërkombëtar për të marrë kredi për një çështje e cila nuk ekziston. Nuk kemi nevojë të veproni kështu[…]Kjo çështje ka për të bërë problem edhe në seancë, ju i keni votat dhe e kryeni, por ta dini dhe ta keni të që qartë çka jeni duke bërë”, theksoi Hoti.

Për këtë ka reaguar ministri Murati i cili theksoi se kjo kërkesë e deputetit Hoti është për inate politike.

Ndërsa, për këtë cilësim politik nga ministri Murati, ish-ministri Hoti ia ktheu shkurt, “mos ia fut kot, po i shtrembëroni fjalët”.

Përplasja e ministri Murati dhe deputeti Hoti: Mos ia fut kot, mos i shtrembëroni fjalët

“Murati: Megjithëse sot po votohen të gjitha nenet një nga një edhe ato që s’kanë amendamente, megjithatë sa i përket asaj që u tha nga deputeti Hoti, nëse po doni me shfrytëzuar këtë rast ose këtë paragraf si arsyetim para qytetarëve dhe keni vendos mos me votuar kredinë për çështje politike. Hoti: Mos e hap këtë temë politike, mos ia fut kot. Mos hap biseda tilla. Mos e qitni diskutimin në rrafsh tjetër. Po të doja ashtu, e them publikisht. Por, unë po të tregoi teknikisht, ligjërisht qysh duhet bëhen gjërat. Nëse dua me pas arsye politike ta them drejt. Pra, mos i shtrembëroni fjalët”.

Gjatë arsyetimit të projektligjit për rishikim, ministri Murati tutje ka thënë se marrëveshja ndërkombëtare për kredi ka për qëllim blerjen e vaksinave antiCOVID-19 dhe menaxhimin e pandemisë.

Murati: Marrëveshje ndërkombëtare për blerjen e vaksinave, mos bëni inate politike

“Nëse tendenca është për të krijuar një pretekst si arsyetim për mos ta votuar financimin shtesë që është nga CEB-i apo Banka Zhvillimore e Këshillit Evropian, e cila përveç tjerash, që nuk janë vetëm këto shpenzimet e vetme dhe financimi retroaktiv, është edhe blerja e vaksinave, është sigurimi i zinxhirit të ftohtë, edhe shumë shpenzime të tjera që parashihen të ndodhin në lidhje me menaxhimin e pandemisë. Por, nëse ju keni vendosur që për shkak të këtij neni ta shfrytëzoni si pretekst për të mos e votuar një marrëveshje ndërkombëtare për inate politike, është çështje tjetër”, theksoi Murati.

Kundër këtij neni doli të jetë edhe deputeti nga PDK-ja Bedri Hamza i cili theksoi se është i befasuar nga kush do që e ka formulua këtë nen që parasheh kredinë nga 25 milionë në mbi 60 milionë.

Hamza: Jam befasuar me kredinë përtej 25 milionë në mbi 60 milionë

“Po flasim për 25 milionë euro dhe po flasim për një shumë tjetër, përtej atij 25 milionëshit. Shuma prej 25 milionë e ratifikuar s’ka nevojë me ardh për ratifikim. Pra, po flasim për një shumë mbi 60 milionë. Këto janë gjëra të ndryshme. Por, nëse kishte me u formulu ky nen kështu prej Departamentit të Buxhetit në Ministrinë e Financave kisha me u befasu shumë fort. Mirëpo, jam goxha i sigurt që është formuluar prej ndonjë departamenti tjetër. Kështu që mirë nuk e kanë formulimin, dhe nuk mundem me u pajtu”, u shpreh Hamza.

Edhe deputeti Pal Lekaj nga AAK u shpreh i habitur si mund të mbulohet buxheti me huazim.

Lekaj: Nuk mbulohet buxheti me huazim

“Sa i përket këtij amendamenti, mendoj që ministri mund të humb pakëz kohë dhe ta përmirësoj që të kemi një konsensus. Nuk e di pse këmbëngulni që mos me ndërhyrë. Asnjë dokument nuk është i vdekur që mos të ndryshojë. Dhe me të drejt e thonë dy ish-ministrat, sepse nëse ju mendoni që këtë buxhet ta mbuloni me huazim, mendoj që nuk qëndron”, theksoi Lekaj.

Ndërsa, pas gjithë këtyre kundërshtimeve, në krah i doli ministrit Murati, bashkë partiaku i tij që është kryetar i Komisionit, Armend Muja, i cili theksoi se një praktikë e tillë për marrëveshje ndërkombëtare nuk është që nuk ka ndodhur edhe nga ish-ministrja Hykmete Bajrami.

Muja: Nuk është diçka që nuk ka ndodhur më herët edhe nga ish ministrja Bajrami

“Nuk është diçka që nuk ka ndodhur më herët, është diçka që është paraparë mbi ligjin për ndarjet buxhetore. Ligji për ndarjet buxhetore, ka qenë i miratuar me përkrahje të LDK-së dhe PDK-së. Nuk është që po vjen i ri, rishtazi. Ka qenë pikërisht ish-ministrja Hykmete Bajrami që në fakt e justifikon këtë kredi”, theksoi Muja.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me 6 vota për, 2 kundër ka miratuar përmbajtjen tekstuale të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2021.

Me buxhetin e rishikuar, shpenzimet do të jetë në total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.

Në seancën e fundit parlamentare me shumicë votash Kuvendi ka miratuar mocionin e propozuar nga VV-ja që rishikimi i buxhetit për vitin 2021 të bëhet me procedurë të përshpejtuar.

Seanca parlamentare për miratimin në lexim të dytë të rishikimit të buxhetit pritet të mbahet më 28 korrik në orën 10:00.

***

Me shumicë votash Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në mbledhjen e radhës ka miratuar përmbajtjen tekstuale të  Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Përplasje në Komision ka pasur ndërmjet ministrit të Financave, Hekuran Murati dhe deputetit të LDK-së Avdullah Hoti, mbi Ligjin për ndarjet buxhetore.

Me këtë marrëveshje është paraparë të bëhet një marrëveshje ndërkombëtare për mbulimin e pasojave nga Covid-19.

Deputeti i LDK-së Avdullah Hoti i ka reaguar ministrit  Hekuran Murati ku edhe ka kërkuar rishikimin e nenit 15 të këtij Projektligji.

Hoti tutje i tha Muratit “se po ia fut kot e po i mashtron deputetët”.

“Kur ka filluar pandemia në mars apo në prill janë bërë shpenzime pa ndarje buxhetore dhe tash kjo nuk ka asnjë logjik që kjo të përsëritet aj precedent është bërë atë kohë. Jemi duke bërë diskutime në Komision me qëllimin më të mirë për të bërë më të mirë”.

“Sa herë mbarojnë argumentet profesionale kalojnë më gjëra që nuk ndryshojnë, ku janë minuset në buxhetin 3 vitit 2021 që tash po do në me i mbuluar me kredi”.

Ministri Murati tha se kërkesa e deputetit Hoti po bëhet për çështje politike.

“Ne e kemi shqyrtuar dhe janë disa lëshime te emërtimi i neneve, saktësisht kemi të bëjmë. e nenin 9 me projektligj ku referenca e nenit 21 duhej të ishte e nenit 23. Financimi bëhet në dy forma, kur kemi të bëjmë përmes huamarrjes dhe e dyta ka të bëjë me financimin si mbështetje buxhetor”.

“Çështja e shpenzimeve buxhetore është e rregulluar me ligjin e buxhetit dhe ku thuhet se ka pasur ndarje mund të konsultohet auditori, financimi ka ndodh prej grantit qeveritar. Sa i përket mënyrës se si qeveria i përmbush nevojat e veta kjo rregullohet me ligjin për borxhin publik”.

Në përplasje me Hotin, ministri Murati tha se tendencë ka krijimin e një preteksti që të mosvotohet financimi shtesë.

“Zakonisht praktika ka qenë me i votuar nenet që ka rekomandime ndërsa sa i përket asaj që u tha nga Hoti nëse po doni me shfrytëzuar këtë rast si arsyetim dhe keni vendosur mos me votuar marrëveshjen ndërkombëtarë, nëse tendenca është për të krijuar një pretekst për mos me votuar financimin shtesë”.

Deputeti nga PDK-ja Bedri Hamza, pyeti për ndryshimet që janë bërë sa i përket rishikimit në nivelin komunal.

“Kur është në pyetje te klauzola e investimeve a mundeni me na tregu a ka pasur rishikim në nivel komunal dhe pse ka ardhur deri te ky ndryshim”.

***

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere me 6 vota për, 2 kundër ka miratuar përmbajtjen tekstuale të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021.

Me buxhetin e rishikuar për vitin 2021 shpenzimi do të jetë në total 2 miliardë e 516 milionë euro, kurse të hyrat do të jenë 2 miliardë e 43 milionë euro.

Me këtë rishikim është paraparë të bëhet edhe një marrëveshje ndërkombëtare në formë kredie për mbulimin e pasojave të shkaktuara nga COVID-19, por që është kundërshtuar nga deputetët e opozitës.

Anëtari i Komisionit nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti ka kërkuar rishikim të nenit 15 të këtij projektligji, pasi sipas tij nuk është e nevojshme kjo kredi.

Për këtë ka reaguar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati i cili theksoi se kjo kërkesë e deputetit Hoti është për çështje politike.

Për këtë cilësim politik nga ministri Murati, ish-kryeministri Hoti ia ktheu shkurt: “Mos ia fut kot, po i mashtroni deputetët”.

Në seancën e fundit parlamentare me shumicë votash Kuvendi ka miratuar mocionin e propozuar nga VV-ja që Rishikimi i buxhetit për vitin 2021 të bëhet me procedurë të përshpejtuar.

Seanca parlamentare për miratimin në lexim të dytë të rishikimit të buxhetit pritet të mbahet më 28 korrik në orën 10:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat