​Pozita e bindur se do t’i imunizojnë 60% e qytetarëve, opozita thotë se po manipulohet me shifra

Aktuale

​Pozita e bindur se do t’i imunizojnë 60% e qytetarëve, opozita thotë se po manipulohet me shifra

Më: 21 korrik 2021 Në ora: 12:00
Foto ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje e cila udhëheqë me vendin është e bindur që deri në fund të vitit do t’i imunizojnë 60 përqind e popullatës, por partitë opozitare në vend gjithë procesin e vaksinimit kundër COVID-19 po e konsiderojnë të dështuar.

Kështu u vlerësua nga deputetët e pozitës dhe opozitës që ishin pjesë e takimit të organizuar nga Forumi për Transparencë Parlamentare, me mbështetjen e NDI-së, me temën “Pandemia COVID-19: Procesi i vaksinimit në Kosovë”, që organizohet në kuadër të aktivitetit “Ditët e Kuvendit”.

Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku është e sigurt që deri në fund të vitit kundër COVID-19 do të vaksinohen 60 përqind e qytetarëve.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku tha se vaksinimi nuk është i detyrueshëm, por siç tha ajo duhet të punohet shumë në edukimin e qytetarëve për rëndësinë e vaksinimit.

Kollçaku: Deri në fund të vitit do i vaksinojmë 60 % të qytetarëve

“Ai synim që është përcaktuar nga qeveria që të vaksinohen rreth 60 % e qytetarëve që duhet të vaksinohen është e qartë që do vaksinohen më vjen mirë nga qytetarët në kontakt me ta ku theksojnë se nuk kanë probleme pengesa qoftë në regjistrim apo qasje tek vaksina tashmë edhe ekipet e vaksinimit janë shumë të konsoliduar në tërë territorin e Kosovës unë gjithnjë kam thënë se kur kemi vaksina të bisedojmë me moshën që është mirë me u marr vaksina meqenëse ende nuk është e detyrueshme jo vetëm tek ne, ndoshta në disa shtete janë fokusuar në disa grupacione me i krijua disa pengesa nëse nuk vaksinohen ne duhet të punojmë shumë në edukimin e qytetarëve[…]Kjo është një e arritur edhe Kosova radhitet ndër ato shtetet që punët i ka kryer me sukses në menaxhimin e pandemisë[...]Unë si epidemiologe me përgjegjësi të plotë them se aktualisht e kemi një situatë të qetë epidemiologjike por ne duhet të jemi në gatishmëri çfarëdo situate eventuale me ndonjë variant tjetër por që përgjigje definitive për çdo variant është vaksina“, tha ajo.

Por kritika rreth procesit të vaksinimit ka hedhur deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu i cili gjithë këtë proces e ka konsideruar si të dështuar.

Ai tha se Qeveria e Kosovës po e shkel ligjin për qasje në dokumente publike pasi po e mban sekret kontratën për blerjen e 1.2 milionë vaksinave.

Deputeti Haxhiu thotë se ka një mospërputhje totale të shifrave të vaksinimit ditor dhe sipas tij kjo e rrit pasigurinë tek qytetarët për tu vaksinuar.

Haxhiu: Me tastierë po tentojnë rrejshëm t’i prezantojnë shifrat e vaksinimit

“Ka mospërputhje totale me numri të prezantuar të vaksinimit ditor, pastaj të dozave të para të distribuara, dozave të dyta dhe numrit total[…]Ministria fillon të bëjë një prezantim më të mirë tek më 31.05 vaksinimet ditore dhe total, tek më datën 19 korrik fillon me prezantuar vaksinimet ditore, vaksinimet me dozën e parë dhe të dytë dhe dozën totale të administruar të cilat prej fillimit kanë mospërputhje me mijëra numra kjo është dështim total dhe kjo e rrit pasigurinë tek qytetarët duke tentuar që me tastierë me prezantuar rrejshëm që jemi të suksesshëm në procesin e vaksinimit dhe procesi i vaksinimit në Kosovë është vendi i vetëm në botë që fillon vaksinimi mbi moshën 18 vjeçare kur i ka më pak se 5 për qind të mbrojtur me dozën e dytë. Kjo është një edhe për të justifikuar vaksinimin e qeveritarëve, familjarëve të tyre në këtë proces që janë vaksinuar pa radhë dhe pa kriteret derisa kemi njerëz të moshuar që po kthehen nga qendrat e vaksinimit, Qeveria ka dështuar të bëjë vaksinimin edhe në komunat veriore të Kosovës, ku janë përzënë ekipet tona të vaksinimit janë fyer dhe nënçmuar dhe qeveria në vend se tu dal në mbrojtje e ka heshtur një dështim të tillë“, u shpreh Haxhiu.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ishte kritik për procesin e vaksinimit për çka kërkoi edhe qasje të re të institucioneve përgjegjëse.

Sipas tij synimi i vaksinimit të 60 përqind të popullatës është i pamundur pasi deri tani as 10 përqind e qytetarëve nuk janë imunizuar karshi COVID-19.

Zemaj: As 10 përqind e popullatës nuk është imunizuar

“Proklamimi se deri në fund të vitit do vaksinohen 60 % e qytetarëve është i vonshëm ne kemi pasur shpresën dhe deklarimin zyrtar se 500 mijë vaksina do jepen brenda muajit duke filluar nga qershori ku është theksuar vaksinimi masiv ndërsa atë akoma nuk po e shohim, tash 93 mijë vaksina në përqindje imunizimet e popullatës në 1.8 milionë apo 1.2 milionë që parashikohen të vaksinohen akoma nuk ka arritur as 10 për qind. Frika nga varianti delta që është i përhapur është i pashmangshëm që të na shqetësoj t gjithëve dhe qytetarët duhet të vaksinohen. Mënyra e administrimit duhet të ndryshohet t’i jepet një qasje dhe kaheje e re dhe të gjithë së bashku të kontribuojnë në këtë proces nuk duhet të fshihet ndaj paaftësisë për të menaxhuar një situatë….Përndryshe do vazhdoj kjo pasiguri do ketë huti edhe do dëmton procesin e vaksinimit frika që vjeshta do sjell rritje të variantit Delta është i paparashikueshëm për Kosovës marr parasysh të gjitha masat janë liruar nuk ka më kontroll mbi grupet dhe grumbullimet që bëhen, edhe numri i testimeve që paraqiten mbi të gjitha nuk kemi dëgjuar se është punuar në ngritje të kapaciteteve spitalore apo kapacitet tjera që kanë qenë në rritje në vazhdimësi”, theksoi Zemaj.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se qasja e qeverisë aktuale karshi procesit të vaksinimit është e gabuar dhe ka mungesë të transparencës .

Ai tha në vend që të shfrytëzohen Qendrat Kryesore Mjekësore Familjare për vaksinim por shfrytëzohen qendra të mëdha ku qytetarët po presin me orë për tu vaksinuar.

Lekaj: Qeveria dështoi në vaksinimin kundër COVID-19

“Mund të them se qeveria Kurti ka dështuar kur jemi tek vaksinimi apo imunizimi i masës Kosova ka një praktik të mirë në rajon sepse e kemi pasur zinxhirin e ftoftë të imunizimit ndër vendet më të mira në rajon dhe mendoj se kjo praktikë nuk është përdorur, qasje që më tepër të koncentrohet popullata në qendrat e mëdha është gabim dhe këtu e shoh se nuk është administruar si duhet. Nëse i marrim komunat nuk dihet unë nuk di që ka pasur ndonjë komunikim apo sensibilizim për moshat që janë kërkuar të vaksinohen e mos të flasim për zonat rurale. Nuk e kanë përdorur infrastrukturën e QKMF për të shpërndarë vaksinimit por atë e kanë bërë në një qendër ku qytetarët kanë pritur me orë të tëra dhe nuk ka pasur një rregull si duhet. Kur jemi tek shifrat nëse këta kanë menduar të marrin merita vetëm me tastierë dhe t’i fryjnë numrat ajo është dobësia më e madhe dhe krijon huti tek qytetari nëse kolegia e tha se jemi me vendet e rajonit të barabartë qysh në fillim e kemi nisur me një qasje të gabuar dhe jo transparente.

Në Kosovë procesi i vaksinimit ka nisur në fund të muajit mars dhe nga 15 qershori ka nisur vaksinimi masiv. Deri më sot janë administruar mbi 324 mijë dozave të vaksinave anti-COVID, prej tyre dozën e parë e kanë marr mbi 233 qytetarë, ndërsa edhe dozën e dytë e kanë marr mbi 93 persona.

Kosova në fund të muajit maj ka nënshkruar kontratë për blerje e 1.2 milionë vaksinave me kompaninë prodhuese Pfizer, ndërsa ka pranuar edhe donacione të shumta të vaksinave anti-COVID.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat