Konstatimet e kundërthënëse të dy ekspertizave të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, lidhur me ekzistencën e afektit mendor të të pandehurit Durim Lushaj, ka bërë që Gjykata e Pejës të urdhërojë një superekspertizë psikiatrike ndaj të akuzuarit.
Durim Lushaj akuzohet se më 25 gusht 2016, në fshatin Shaptej të Deçanit, pas një mosmarrëveshjeje paraprake, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin Rexhep Ramaj.
Kurse, pas kësaj, i njëjti akuzohet bashkë me babain e tij, Sali Lushajn për vrasjen e tani të ndjerit Burim Ramaj.
I akuzuari Durim Lushaj do të nënshtrohet ekspertimit të ri psikiatrik për të vërtetuar përfundimisht nëse vrasjet i kreu nën afekt mendor, pasi dy ekspertizat e mëhershme përmbanin konstatime të kundërta rreth ekzistencës së afektit mendor.
Njëra prej ekspertizave konstatonte se Durim Lushaj kishte kryer vrasjen në afekt mendor, ndërsa tjetra përcaktonte se Lushaj në kohën e kryerjes së vrasjes nuk kishte patur afekt mendor.
Një vendim të tillë e ka marrë kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, gjatë seancës të së enjtes në Gjykatën e Pejës, pas propozimit të mbrojtësit të Durim Lushajt, avokatit Salih Mekaj.
“Gjykata në bazë të ligjit e ka detyrim të kërkojë superekspertizë pasiqë gjykata ka dy ekspertiza të pranueshme të cilat janë me konstatime kundërthënëse. Këtë ekspertizë do të urdhërojmë në Institutin e Psikiatrisë. Nëse nuk ka ekspertë brenda Institutit atëherë do të kërkojmë ekspertë nga jashtë”, tha gjykatësja Husaj-Rugova.
Ndryshe, para marrjes së vendimit të tillë, në gjykatë ishte i ftuar edhe kryetari i komisionit, eksperti i psikiatrisë forenzike, Shpend Haxhibeqiri, i cili kishte marrë pjesë ne ekzaminimin psikiatrik të pandehurit Durim Lushaj.
Eksperti tha se tek i pandehuri Lushaj nuk kishin gjetur se i njëjti të ketë patur ndonjë çrregullim mendor apo afekt mendor në kohën e kryerjes së veprës penale.
“Ne kemi thënë se nuk kemi gjetur çrregullim të përhershëm apo të përkohshëm që kishte për të ndikuar në aftësinë e tij mendore për të kuptuar dhe kontrolluar sjelljet e tij. Ne s’kemi gjetur as elemente të afektit mendor, andaj nuk e kemi shënuar në ekspertizë”, tha eksperti Haxhibeqiri.
Mbrojtësi i të pandehurit Durim, avokati Salih Mekaj, pyeti nëse kishin marrë për bazë faktin nëse lëndimet trupore të shkaktuara ndaj babait të pandehurit Durim, Sali Lushaj, kanë ndikuar që tek i pandehuri të shkaktohet afekti mendor.
Eksperti tha se kishin shqyrtuar edhe lëndimet e babait të pandehurit mirëpo sipas tij, për të ekzistuar afekti mendor duhet të plotësohen tri faza, ndërsa babai i të pandehurit nuk kishte qenë prezent në fazën e parë të ngjarjes dhe se gjendja e afektit mendor mvaret nga shumë rrethana tjera dhe faktorë të jashtëm, sipas të cilit nuk ekzistonin në rastin e të pandehurit Durim.