Rastet me Covid-19 kanë shënuar rritje në Kosovë.
Me rritjen e rasteve, është rritur edhe mundësia që të përhapet edhe varianti i ri i këtij virusi “Delta”.
E shkaktar i infektimeve mund të jetë edhe mosvaksinimi i qytetarëve të cilët po vijnë nga shtetet e ndryshme.
Infektologu Salih Ahmeti, tha se nevojitet vaksinim masiv e i shpejt.
“Unë një problem që po e shoh sidomos nga rastet e ditëve të tjera ne kemi fillu me marr pacientë në gjendje shumë të rëndë që vijnë prej shteteve të jashtme që nuk janë vaksinu edhe pse kanë pasë gjitha mundësitë e vaksinimit duke u bazu në teori të ndryshme konspirative”, tha ai.
Ai ka paralajmëruar se mund të ketë rritje të madhe të rasteve nëse nuk ndodh vaksinimi dhe respektimi i masave mbrojtëse.
“Nëse ne nuk bëjmë vaksinime të shpejta dhe masive, nëse ne nuk e respektojmë distancën, mbajtjen e maskave, numri i rasteve ka fillu të shtohet edhe në vende të tjera dhe ne nuk bëjmë përjashtim, nuk mund të jemi një vend i veçantë jashtë vendeve të tjera, bashkëqytetarët tonë vijnë nga vendet më të ndryshme të cilat kanë forma të ndryshme të virusit si varianti DELTA”, tha Ahmeti.
Mosmarrja e vaksinës, sipas infektologut Ahmeti, paraqet rrezikshmëri për shëndetin e qytetarëve.
“Vaksina është e vetmja mbrojtje të cilin ne nuk e kemi pas më parë, por tani në muajt e fundit ekziston, dhe sot është bërë një lëshim i pajustifikueshëm, një rrezikshmëri e shëndetit personal dhe kolektiv e mos marrjes së vaksinave”, tha ai.
114 raste janë aktive me Coronavirus, 13 janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive, ku dy prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Që nga fillimi i pandemisë, në mars të vitit të kaluar, Kosova ka regjistruar gjithsej 107,954 raste me Coronavirus.
Prej tyre, 2,265 pacientë kanë vdekur dhe 105,575 janë shëruar.
Aktualisht në Kosovë është duke u zhvilluar vaksinimi masiv i qytetarëve, që do të thotë se të gjithë personat mbi 18 vjeç mund të regjistrohen për t’u imunizuar.
Deri të enjten, në Kosovë janë dhënë mbi 333,705 vaksina.
Qeveria e Kosovës ka thënë se ka prioritet vaksinimin e 60 për qind të qytetarëve deri në fund të vitit.