Bajrush Hoti do të jetë kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Malishevës, shkruan “Bota sot”.
Lajmin e bëri të ditur vet partia e Hotit, përmes një kumtese ku tha se në mbledhjen e mbajtur sot, Kryesia e LDK-së ka vendosur që Bajrush Hoti të jetë kandidat për të parin e Malishevës.
Në lidhje me këtë vendim të partisë, Hoti përmes një shkrimi në Facebook ka falënderuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe organet tjera të partisë për besimin e dhënë.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar se Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i fitojë zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Ja postimi i Hotit:
Të dashur qytetarë,
sot kryesia qendrore e LDK-së ka caktuar disa kandidatë për disa komuna për kryetar komuna,e për komunën e Malishevës nga radhët e LDK-së kryesia qendrore vendosi që unë, Bajrush Hoti, të jem kandidat për kryetar komune në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 Tetor.
Falënderoj strukturat degës së LDK-së, Kryesinë e degës, kryetarët e nëndegëve, kryetarin e LDK-së z. Lumir Abdixhiku dhe Kryesinë Qendrore të LDK-së për besimin e dhënë.
Besoj shumë se në bashkëpunim me të gjitha strukturat e degës, anëtarësinë e LDK-së, dhe të qytetarëve të komunës së Malishevës do ta fitojmë këtë garë për një ndryshim të madh e të shumë pritur nga qytetarët e komunës së Malishevës.
Me respekt,
I juaji Bajrush Hoti