Avokati Arianit Koci ka komentuar çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, derisa ka përmendur rastin e Kroacisë.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Kroacisë në prag të pranimit në BE ia kishin vënë kusht që ta arrestonte njeriun më me ndikim në shoqërinë kroate - ish-kryeministrin Ivo Sanader dhe pas arrestimit, ajo u pranua, përcjell Bota sot.
Koci ka thënë se për Kosovën po shkon më rëndë, derisa për liberalizim të vizave, nuk mjaftoi as demarkacioni, as votimi i Gjykatës Speciale - e as arrestimi i ish-presidentit dhe ish-kryeparlamentarit.
Më tej, ai ka shtuar se liberalizimin e vizave duket se do ta përdorin si karrem për marrëveshjen finale me Serbinë.
Postimi i tij i plotë në Facebook:
No pasaran!
Kur Kroacia ishte në prag të pranimit në BE, ia patën vënë kushtin implicit që ta luftojnë korrupsionin - në rastin konkret ta arrestojnë njeriun më me ndikim në shoqërinë kroate - ish-kryeministrin Ivo Sanader.
Pas arrestimit, Kroacia u pranua.
Te rasti i Kosovës, krejt po shkon më rëndë!
Pazari ka rënë shumë - kryesisht për shkak të politikanëve tanë të paaftë.
Për liberalizim të vizave, nuk mjaftoi as demarkacioni, as votimi i Gjykatës Speciale - e as arrestimi i ish-presidentit dhe ish-kryeparlamentarit, që njëherësh ishin edhe një ndër themeluesit e UÇK-së.
Nuk mjaftuan as shumë lëshime që ia bëmë Serbisë.
Disa mund të thonë që të lartcekurat, nuk kanë lidhje me liberalizim.
Kanë që ç’ke me të!
Sidoqoftë, liberalizimin e vizave si duket do ta përdorin si karrem për marrëveshjen finale me Serbinë.
Kemi nevojë për liberalizim të vizave, por jo në dëm të interesave tona shtetërore.
Këtë besoj që e kanë kuptuar të gjithë.
No pasaran!