Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se xhudistja Majlinda Kelmendi mbetet kampione olimpike e përhershme.
Po ashtu, Osmani në postimin e saj në Facebook, ka shkruar se Majlinda i solli Kosovës respekt më shumë se çdokush tjetër.
“Sepse ajo çfarë ke bërë ti për Kosovën tejkalon çdo medalje. Pavarësisht rezultatit të sotëm, ti tashmë ke realizuar ëndrrën e një populli të tërë”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Postimi i plotë:
Majlinda për ne mbetet kampione olimpike e përhershme. Është ajo që i dha Kosovës shkëlqimin e saj të parë, ajo që e ndriçoi emrin e Kosovës para krejt botës, ajo që ngriti flamurin tonë atje ku nuk arrinte askush tjetër dhe bëri që të dëgjohej e nderohej himni ynë në vende që nuk na njohin.
Majlinda i solli Kosovës respekt më shumë se çdokush tjetër. Ajo i dha motiv çdo fëmije, çdo të riu, e mbi të gjitha çdo vajze, për të luftuar për ëndrrat e veta e për t’u ringritur gjithnjë pavarësisht sfidave.
Faleminderit kampione, për këto e shumëçka tjetër. Sepse ajo çfarë ke bërë ti për Kosovën tejkalon çdo medalje. Pavarësisht rezultatit të sotëm, ti tashmë ke realizuar ëndrrën e një populli të tërë.
Por jo vetëm falënderim Majlindë. Me ty jemi të gjithë, e arta jonë.
Majlinda është Kosova! ??